E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sllovakia mbështet të ardhmen e Kosovës evropiane

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, në kuadër të pjesëmarrjes në Konferencën e 49-të për Siguri që po zhvillohet në qytetin e Munihut, ka pasur një takim me Miroslav Lajçak, ministër i Punëve të Jashtme i Sllovakisë.

Hoxhaj e ka informuar homologun sllovak për progresin që po bënë Republika e Kosovës në konsolidimin e shtetësisë, në suksesin e integrimit në sistemit ndërkombëtar përmes zgjerimit të gjeografisë globale të njohjeve ndërkombëtare të Kosovës.

Shefi i diplomacisë kosovare po ashtu ka informuar homologun sllovak edhe për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në organizatat evropiane dhe globale, si dhe për reformat e ndërmarra të domosdoshme për rrugën evropiane të Kosovës, shkruan zëri.

“Aspiratën e vetme që e kanë qytetarët e Kosovës është anëtarësimi në BE dhe gjatë këtij viti, Kosova si rezultat i progresit të bërë pret vendime dhe hapa konkrete sa i takon Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit dhe liberalizimit të vizave”, ka thënë ministri Hoxhaj.

Hoxhaj theksoi vullnetin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për fuqizimin e marrëdhënieve bilaterale me Republikën e Sllovakisë, theksohet në një komunikatë të MPJ të Kosovës.

Në anën tjetër Lajçak – siç njoftohet më tutje në komunikatë – tha se vendi i tij e mbështet të ardhmen evropiane të Republikës së Kosovës dhe se këtu Kosova mund të llogaris në mbështetjen e Sllovakisë.

Ministri Hoxhaj ka informuar ministrin Lajçak edhe për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›