Ende qëndrojnë
Në javën e tretë të grevës së veteranëve të ish-UÇK-së, atyre iu është bashkuar edhe Magbule Bela nga Hani i Elezit. Edhe kjo veterane e ish- UÇK-së, tash e dhjetë ditë vuan së bashku me ish-bashkëluftëtarët e saj duke kërkuar që t’u plotësohen kërkesat e tyre.
“Grevën do ta vazhdoj bashkë me ish-ushtarët e UÇK-së deri në momentet e fundit”, tha Bela për Express.
Ajo gjithashtu iu bëri thirrje të gjithë bashkëluftëtarëve që t’i bashkëngjiten grevës për arsye se për ato që kanë bërë meritojnë një trajtim më të mirë nga shteti.
Grevistët tash ndodhen në ditën e 22-të grevës dhe gjendja e tyre është përkeqësuar në masë të madhe. Katër prej tyre u është përkeqësuar më shumë gjendja shëndetësore.
Një ndër ta është edhe ish-eprori i UÇK-së, Ramiz Bala, i cili ka qenë në gjendje të rëndë shëndetësore dhe me rekomandimin e mjekut është detyruar ta ndërpresë grevën dhe të shkojë në shtëpi.
Numri i veteranëve të luftës të cilët ndodhen në grevë para Qeverisë, po rritet gjithnjë e më shumë. Përveç atyre, nga komuna e Kaçanikut dhe ajo e Malishevës, grevës u janë bashkuar edhe veteranët nga Podujeva, Mitrovica dhe Vushtrria.
Një ndër përkrahësit e tjerë të grevës është edhe Shoqata e invalidëve të dalë nga lufta në Therandë, e cila ka mbyllur dyert e kësaj shoqate në shenjë solidariteti me ta.
Grevën e veteranëve e përkrahu të hënën edhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, duke u bërë një vizitë.
Ai u shpreh mjaft i brengosur dhe i përkrahu veteranët duke thënë se ligji që e kërkojnë duhet që sa më parë të miratohet.
Derisa grevistët ende qëndrojnë në tendat e tyre përballë Qeverisë, drejtues institucionalë mbesin prapa premtimeve të dhëna se ekzekutivi është duke punuar për procedimin e Ligjit për vlerat e luftës në Kuvendin e Kosovës.
Numri dy i ekzekutivit të vendit ka rikujtuar të hënën faktin që Ligji për vlerat e luftës njëherë është proceduar në Kuvend, ndërkaq i ka ftuar grevistët për mirëkuptim dhe ndërprerje të grevës.
Kuçi i ka ftuar te gjithë grevistet për zgjidhje me dialog. “Na vjen keq që janë aty dhe kemi dëshirë që t’i shohim si pjesëtarë të barabartë të shoqërisë, bile edhe të respektuar”, tha ai. Kuçi po ashtu deklaroi se për shkak të rrethanave që kanë qenë në Kuvend, është kthyer Ligji pas shqyrtimit të parë, kurse Qeveria është duke i bërë përgatitjet e duhura që ta procedojnë sa më shpejt që është e mundur një ligj të tillë.
“Unë i ftoj ata për mirëkuptim dhe për zgjidhje përmes dialogut dhe jo përmes grevës, e cila nuk është imazh i mirë për vendin, por edhe është e dëmshme për shëndetin e tyre”, ka thënë Kuçi.
Mungesën e vizitës së përfaqësuesve të Qeverisë te grevistët, Kuçi e ka arsyetuar me vizitën e kryeparlamentarit Krasniqi. Ai e ka vlerësuar të rëndësishme vizitën e ish-zëdhënësit të UÇK-së, tani kryetar i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, që para disa ditëve ua ka bërë grevistëve. Greva edhe më tej vazhdon.