Endri Dalipi, pak për një Elbasan që inspiron superligën
Verdheblutë i largohen gjithnjë e më tepër synimit për të qenë pjesë e elitës së futbollit, edhe pse shpresat nuk janë shuar
Elbasani duket gjithmonë e më larg superligës. Ndeshja e humbur ndaj Luftëtarit duket se ishte shansi i fundit për këtë skuadër, e cila tani e sheh akoma më larg kategorinë superiore. Një ndeshje për tu harruar nga të gjithë ajo me Luftëtarin, pasi çdo gjë dukej se çalonte diku. Nuk ishte ai Elbasan që të gjithë kishin parë këtë sezon brenda në stadiumin Ruzhdi Bizhuta. Përjashtim bënte vetëm mesfushori Endri Dalipi, i cili gjithmonë bie në sy me lojën e tij.
Pavarësisht se nuk zhvillon një lojë të një ritmi të lartë, ai ndodhet gjithmon aty për të shënuar gola të rëndësishëm për këtë skuadër. Edhe paraqitjet e tij në fushë e justifikojnë faktin që është i vetmi lojtar, i cili përpiqet të bëjë gjithçka në fushën e lojës, duke qenë ndër më aktivët. Fakti që edhe në këtë ndeshje ai shënoi një dopietë tregon se është një nga lojtarët më të dalluar të kësaj skuadre, duke treguar vlera më shumë se çdo lojtar tjetër i kësaj skuadre.
Për tu ngjitur në superligë nuk mjaftojnë thjesht lojërat e mira individuale të ndonjë lojtari në veçanti, por duhet loja në grup, ashtu siç e kanë theksuar dhe mjaft specialist të tjerë. Kjo gjë duket se mungon tek Elbasani, pasi në ndeshjet e fundit kemi vënë re një skuadër, e cila nuk po di të lidhet në fushën e lojës. Në ndeshjen ndaj Luftëtarit kemi parë një Elbasan apatik, që ka dhuruar futboll vetëm në 10 minutat e fundit të ndeshjes, duke qenë larg asaj skuadre që pretendon të ngjitet në superiore.
Tashmë shpresat për superligën po veniten, duke parë që edhe rivalët po shkëputen nga Elbasani. Kur kanë mbetur edhe 10 javë kampionat për tu luajtur, asgjë nuk është e pamundur dhe Elbasani mund të tentojë të përmbysë gjithçka në favor të vet, por duket se ka pak gjasa që të ndodhë kjo gjë, pasi për momentin Elbasani është kthyer në një skuadër e mesit të renditjes.
Edhe tifozët tashmë duket se do ta braktisin këtë skuadër, pasi në momentin që lojtarët i kanë bërë thirrje ata kanë mbetur të zhgënjyer nga ajo që kanë parë në fushë. Elbasani duket se tani po merr tatëpjetën, duke parë edhe kalendarin e vështirë që po i rezervon kampionati.
Sërish për këtë skuadër mbeten ndeshjet me rivalët direktë, ku Elbasani ka arritur të mposhtë vetëm skuadrën e Kukësit brenda në shtëpi dhe ka arritur të marrë një barazim të bardhë në Ruzhdi Bizhuta ndaj Besëlidhjes. Rezultate jo të kënaqshme për një skuadër, e cila ka luajtur kundër rivalëve kryesorë. Tani pritet reagimi i verdhebluve, pasi ende çdo gjë ska përfunduar.
