Lushnja mjekon plagët e Lezhës, tani mendon për Luftëtarin
Verdhejeshilët kanë analizuar humbjen ndaj Besëlidhjes. Sulmuesi Sefa në dyshim për takimin e radhës
Skuadra lushnjare ka lënë prapa shijen e hidhur të humbjes të së shtunës, ku është mposhtur 1-0 në transfertën e Lezhës nga rivali i saj direkt. Java stërvitore ka nisur për ta me një analizë të hollësishme rreth ndeshjes së luajtur në stadiumin Besëlidhja, ku lushnjarët, edhe pse me shumë pretendime, nuk kanë qenë të aftë të marrin asnjë pikë.
Ndeshja në transfertën e lezhës ka qenë shumë e bukur, luftarake, por shterpë për lushnjarët dhe dyshen sulmuese Canka-Sefa.Madje ky i fundit është dëmtuar rëndë dhe pritet vendimi i stafit mjekësor, që do të vendosë nëse sulmuesi shtatlartë Sefa mund të luajë në ndeshjen e ardhshme. Megjithatë, janë të shumtë faktorët që Lushnja duhet të kishte arritur një rezultat pozitiv në transfertë.
Edhe pse me një mbështetje maksimale të tifozerisë lushnjare, të shumtë në numër në Lezhë, skuadra verdhëjeshile nuk mundi të shkonte më tej dhe të përmbyste rezultatin 1-0, të inicuar nga një ish i saj, si Çutra, krosin e të cilit e shndërroi në gol, i kudondodhuri Miliç për vendasit. Numrit rekord të tifozëve në Lezhë, skuadra e zemrës së tyre, Lushnja, i është përgjigjur me një lojë të plogët dhe nuk ka bërë atë që duhet.
Asnjë iniciativë për të kapur topin e parë, aksionet sulmuese qenë të lexueshme, që mbrojtja stoike e lezhjanëve i sprapsi ende pa hyrë në 16-she. Sulmi i Lushnjës, me Cankën dhe Sefën, vepruan të shkëputur dhe ishin mjaft larg skuadrës, e cila u udhëhoq me shumë mjeshtëri nga kapiteni Çela, por pa mundur të marrë qoftë edhe një pikë në transfertën e Lezhës.
Duke parë zhvillimet e javës së 20-të të kategorisë së parë, vëren se lushnjarët nuk mundën ta mbajnë vendin e dytë për më shumë sesa një javë. Kukësi sërish e ka parakaluar. Kësisoj, skuadrës së Malkos i del detyrë urgjente të rikuperojë dhe të fitojë takimin e radhës. Në stadiumin Roza Haxhiu kësaj here do të zbresë skuadra gjirokastrite e Luftëtarit, që edhe pse kryeson e distancuar, nuk do të vijë në Lushnje për shëtitje.
Ky takim i rëndësishëm do të përcaktojë edhe fatet e mëtejshme të kësaj Lushnjeje, e cila pretendon të debutojë në kategorinë elitare sezonin e ri. Ka apo nuk ka kjo Lushnjë stof për në superligë?
