E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dështaku i Barcelonës

Është aktualisht skuadra më e mirë në botë, por edhe ajo di të gabojë. Më 2009, Barcelona transferoi sulmuesin Keirrison nga Palmeiras me shpresë se bëhet fjalë për Romarion e ri. Gjiganti katalan shpenzoi mbi 20 milionë euro për shërbimet e tij. I gjithë ky investim shkoi huq. Ai asnjëherë nuk bindi trajnerin Pep Guardiola, kurse pas disa periudhave të huazimit është lënë i lirë të kthehet te skuadra Coritiba, ku edhe bëri hapat e parë.

Mund të jetë skuadra më atraktive në botë, por edhe në Barcelonë ndodh të bëhen gabime të rënda në blerjen e futbollistëve.

I paharrueshëm shkëmbimi Ibrahimovic-Eto’o (me 46 milionë euro në favor të Interit) si dhe 30 milionë eurot e shpenzuara kot për qendërmbrojtësin Chygrynskiy, të rikthyer në Shakhtar Donetsk pas vetëm një sezoni në Nou Camp.

Por, një prej gabimeve më të rënda të Barcelonës në tregun e futbollistëve mban emrin Keirrison de Souza Carneiro, i njohur si Keirrison, futbollistit të talentuar brazilian i transferuar më 2009 nga Palmeiras për mbi 15 milionë euro. Pas zbarkimit në Spanjë, ai konsiderohej Romario i ri. Barcelona vendosi ta huazonte menjëherë te Benfica, por përvoja portugeze rezultoi me dështim total.

Më pas erdhi koha për të shijuar futbollin italian. Keirrison u huazua te Fiorentina, por me fanellën e skuadrës toskane ai bëri 10 paraqitje dhe shënoi vetëm tri gola. Shumë pak për të siguruar konfirmimin në Firencë dhe për të bindur pronarët e klubit të investojnë rreth 8 milionë euro për të fituar pronësinë e përbashkët të kartonit të tij.

Më 2010 u mor vendim që ai të kthehet në Brazil, së pari në Santos (13 ndeshje dhe 4 gola) e më pas te Cruzeiro (8 ndeshje, një gol i vetëm). Edhe këtu një dështim i plotë. Keirrison në pajtim me klubin kampion të botës, Barcelona, ka vendosur të kthehet i lirë në Coritiba, skuadër ku u zhvillua deri te shpërthimi që u përcoll me kalimin e tij në Palmeiras e më pas te Barcelona.

Një gabim i rëndë, por edhe i rrallë i Barcelonës dhe trajneri Pep Guardiola nuk i besoi asnjëherë këtij futbollisti që deri para disa vitesh konsiderohej talent i madh që mund të përcillte hapat e shumë lojtarëve brazilianë, të cilët në të kaluarën kishin bërë karrierë të ndritur në La Liga. Keirrison – për kartonin dhe pagën – i kushtoi Barcelonës së paku 20 milionë euro. Nga kjo mësojmë se edhe më të mirët nganjëherë mund të gabojnë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›