E Diel, 1 Nëntor 2026

Plori, i kënaqur nga ekipi dhe i zhgënjyer nga gjykimi

Nga Dritan Kurti

Trajneri i ekipit të Burrelit, Elvis Plori, shprehet se ekipi i tij e ka kryer detyrën me sukses dhe se provat i ka dhënë edhe në ndeshjet në transfertë. Nisur nga kjo, ai thekson marrjen e një pike në Velipojë dhe tri pikët e marra në Himarë, kundër kësaj të fundit. Por Plori shpreh pakënaqësitë e tjera, të cilat lidhen me ndershmërinë në gjykimin në ndeshjet në transfertë.

Pos vështirësive të terrenit, pasi Himara gjendet në vendin e fundit dhe lufta për të mbijetuar është shumë e madhe, ekipi i Plorit është ndëshkuar edhe nga gjykimi, ku sipas tij ishte jo i drejtë. Ne shkuam në Himarë për të luajtur futboll dhe me synimin e marrjes së tri pikëve, gjë të cilën e arritëm, por nuk pritëm që të përballeshim sërish me xhaketat e zeza. Megjithatë, ne arritëm të fitonim, edhe pse në minutat e fundit.

Futbollistët tanë e kryen më së miri detyrën e tyre dhe për këtë jam shumë i kënaqur. Bëmë një lojë të mirë dhe të ndershme, fituam ne sepse ishim më të mirët. Me golin e shënuar në minutën e fundit arritëm të sfidojmë jo vetëm ekipin e Himarës, por edhe gjyqtarët, të cilët favorizuan ekipin vendas.

Njëanshmëria e gjyqtarëve u vu re edhe në lumin e kartonëve të verdhë që u dhanë për futbollistët e Burrelit, por nuk ia arritën qëllimit me provokimet e tyre për ta ulur numrin e futbollistëve matjanë në fushën e gjelbër. Megjithatë, kjo gjë tashmë ka kaluar, ne morëm tri pikë shumë të vlefshme, arritëm të ngjitemi një vend më lart në tabelë dhe i jemi larguar zonës së nxehtë të rënies.

Kemi filluar të mendojmë për ndeshjen e radhës, të cilën do të kemi në shtëpinë tonë dhe përballë ekipin e Skraparit, i cili edhe ky gjendet në zonës e nxehtë të rrezikut. Jam i bindur se edhe këtë provë do ta kalojmë me sukses, – u shpreh Plori. Fitoren e të shtunës në Himarë e ka mirëpritur edhe tifozëria matjane, e cila e ka mbështetur ekipin gjithmonë. Faza e dytë ka qenë ndryshe për Burrelin, pasi ka njohur suksese të njëpasnjëshme dhe ka rritur produktivitetin e tij në kategori.

Me tri pikët e marra në Himarë, tashmë matjanët mbajnë vendin e 11-të në kuotën e 24 pikëve, çka do të thotë se momentalisht janë jashtë rrezikut të rënies nga kategoria. Megjithatë, janë edhe 10 ndeshje për tu luajtur deri në fund të kampionatit dhe gjithçka mund të ndryshojë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›