Privatizimi i ARMO-s, i kerkohet SHISH-it dhe ambasadave te hetojne tenderin
Ervin Koçi
Asnjëherë si kësaj here privatizimi i njërës prej ndërmarrjeve publike strategjike të vendit nuk ka bërë kaq bujë edhe në opinionin ndërkombëtar, sa në rastin e ARMO-s. Të shumta janë mediat ndërkombëtare që kanë folur mbi privatizimin e strategjikut të naftës në vend, dhe po ashtu edhe selitë diplomatike dhe kancelaritë europiane në lidhje me këtë tender që do të nisë sot për të përfunduar në qershor. Nga ana tjetër qeveria shqiptare për të mbyllur çdo koment apo për të mos i lënë rrugë abuzimeve mediatike ose atyre të opozitës, i ka bërë thirrje Ambasadave të akredituara në Tiranë dhe Shërbimit Informativ Shtetëror që të ndihmojnë me informacionet e tyre për 25 kompanitë që deri tani kanë paraqitur ofertat për privatizimin e kompanisë “ARMO”. E cilësuar nga Ministria e Ekonomisë si një privatizim strategjik dhe shumë i rëndësishëm, zëvendësministri Neritan Alibali, në një konferencë të posaçme për shtyp, deklaroi jo vetëm rëndësinë e këtij privatizimi, por dhe kërkoi asistentë nga mjaft struktura, përfshi dhe ato të huaja, për të monitoruar këtë tender ndërkombëtar. Ai sqaroi se për shkak të gjeopolitikës, “ofertat mund të vijnë jo vetëm nga kompani shumë serioze, por edhe nga kompani, të cilat mund të kenë qëllim të dytë zhvillimin e ARMO-s, investimet në të dhe që mund të kenë interesa të tjera”. Nga ana tjetër, për këtë Ministri vëzhgimi dhe ndjekja me kujdes e këtij procesi privatizimi, është një garanci më tepër për transparencë dhe ligjshmëri të privatizimit të kompanisë ARMO.
“Zgjedhja” e kompanisë
Sipas zëvendësministrit të Ekonomisë, Neritan Alibali, kjo ministri është e interesuar që fituesi të jetë një kompani e fuqishme me investime serioze që t’i shërbejë zhvillimit të Shqipërisë dhe interesave të saj strategjike. Sot është afati i fundit i pranimit të ofertave për blerjen e 85 për qind të aksioneve të njërës prej ndërmarrjeve të fundit strategjike, që kanë mbetur në dorë të shtetit shqiptar. Ndërkohë një kompani amerikane po ndihmon me kuadrin ligjor në procesin e tenderit. Ajo u përzgjodh me tender ndërkombëtar për konsulencën e procesit dhe është një nga kompanitë më të njohura në këtë fushë. “Amerikania ‘Pattom Boggs’, me të cilën u punua për hartimin e kuadrit ligjor dhe procedurat e privatizimit, bëri që ky kuadër ligjor të jetë i standardeve të larta ndërkombëtare dhe që garanton një proces të drejtë, transparent dhe që u shërben interesave kombëtare, të vendit dhe programit të qeverisë për privatizimet strategjike”, - theksoi Alibali. Ai vijoi më tej duke thënë se, “ky kuadër ligjor e mbron procesin e privatizimit të ARMO-s nga të gjitha defektet dhe dobësitë që janë evidentuar në proceset e mëparshme”. Gjatë periudhës së pritjes së ofertave u dha i gjithë informacioni shtesë i kërkuar nga kompanitë, që shprehën interes dhe blenë dokumentet e tenderit. Me propozim të konsulentit "Pattom Boggs", u organizua një "Road Show" me të gjitha kompanitë në fund të muajit prill 2008. “Janë 25 kompani që kanë blerë dokumentacionin e privatizimit të ARMO-s”, - tha Alibali.
Procesi i privatizimit
Duke marrë parasysh rëndësinë e madhe strategjike të privatizimit të ARMO-s, në Komisionin e Vlerësimit të Ofertave, ndryshe nga më parë, janë përfshirë zëvendësministrat e Ministrisë së Financave, të Ministrisë së Drejtësisë, si dhe dy përfaqësues të kompanisë konsulente amerikane "Pattom Boggs", të cilët janë anëtarë të Komisionit me të drejta të plota. Zëvendësministri Alibali theksoi se, pas përfundimit të vlerësimit të ofertave, çdo kandidat, ka të drejtën e apelimit të vlerësimit te ministri i Ekonomisë, i cili brenda 10 ditëve shqyrton ankesën dhe kthen përgjigje. “Për ta bërë procesin sa më të mbrojtur nga çdo shkelje apo padrejtësi, Këshilli i Ministrave, ka të drejtë ligjore që në çdo kohë, para shpalljes së fituesit, të anulojë procedurën e tenderimit", - tha zëvendësministri Alibali. Nisur nga fakti se sidomos në ditët e fundit, nga rrethe të caktuar dhe reflektime të tyre, janë rritur në maksimum presionet lobiste në drejtim të privatizimit të ARMO-s, Alibali tha se “ju garantoj që qeveria dhe METE nuk influencohen aspak prej tyre dhe akuzave të hedhura në opinionin publik. Por do të dëshironim që forca të ndryshme politike, për asnjë arsye, të mos përfshiheshin në presione të tilla, të cilat, do ta dëmtonin procesin e privatizimit”.
Kompanitë, kush interesohet për privatizimin e “ARMO”-s
Privatizimi i 85 për qind të aksioneve të njërës prej ndërmarrjeve të fundit strategjike, që kanë mbetur në dorë të shtetit shqiptar, ARMO-s, ka bërë që jo pak kompani të fuqishme të interesohen për të. Ndër kompanitë që janë më të interesuara janë ajo çeke "Penta Group", e cila do të paraqitet me një konsorcium, pas të cilit mendohet se qëndrojnë kompanitë e fuqishme ruse të naftës e gazit. Sipas legjislacionit shqiptar, një gjë e tillë lejohet, me kusht që kompania fituese e tenderit të ketë një lidhje tip "konsorcium" me një tjetër kompani, të paktën në raportet 20-80 për qind, kjo e fundit, nga e saj, duhet të jetë aktive në tregun strategjik prej vitesh dhe të ketë një përvojë të pasur e asete të mjaftueshme për të përballuar operimin në sektor. Kompani të tjera janë kroatja “INA Nafta Plin”, e cila vjen në garë së bashku me MOL-in hungarez, "Hellenic Petroleum" të Greqisë, "Petrofac" përfaqësuar nga rusi “Eliiar Alijev” me bazë në Kirgistan etj. E përbashkëta e të gjitha këtyre kompanive, me përjashtim të "Bankers Petroleum" të Kanadasë, pak të favorizuar, është se ndër aksionarët e tyre, përfshijnë detyrimisht kompani ruse. Por ende nuk dihet nëse do të përfshihen kompani amerikane apo të tjera perëndimore në konsorciume ofertuese.
21 Maj 2008