E Shtunë, 31 Tetor 2026

Energjia, 6 orë ndërprerje nga Selita deri në Sharrë

23/04/2009  Linja 110 kilovolt

Një pjesë e mirë e kryeqytetit do të ketë ndërprerje të energjisë elektrike gjatë ditës së enjte. Që në orën 9 të mëngjesit deri në orën 5 të pasdites zona e Bllokut, Selitës, Tiranës së Re dhe deri në Kombinat e Ndroq do të përballen me kufizime të energjisë elektrike. Ka qenë Operatori i Sistemit të Transmetimit, i cili ka njoftuar dje se do të kryhen punime në linjën që furnizon me energji këtë pjesë të qytetit. “Ditën e enjte do të kryhen punime në nënstacionin e Sharrës dhe në linjën 110 kv Selitë-Sharrë. Nga ora 09 : 00 – 17 : 00, si pasojë e punimeve do të ketë kufizime të energjisë elektrike”, - njoftuan burimet zyrtare nga OST-ja. Operatori i Sistemit të Transmetimit ka kërkuar mirëkuptimin e konsumatorëve dhe biznesit, kryesisht për shqetësimet që mund të krijohen gjatë orëve të punimeve. Sipas të dhënave, Operatori i Sistemit të Transmetimit po investon rreth 150 milionë euro për projekte të ndryshme. Ndërsa së shpejti do të nisin punimet për rehabilitimin e tre nënstacioneve të tjerë 220 dhe 400 kilovolt në të gjithë vendin, me fonde të Bankës Botërore. Pavarësisht mirëmbajtjes së herëpashershme rrjeti i shpërndarjes së energjisë në të gjithë vendin është tejet i amortizuar. Në muajin shkurt u kryen punime në nënstacionin Tirana 1, i cili furnizon me energji elektrike zonat e Parkut të Autobusëve, Laprakën, Rrugën e Ambasadave, “Pallatin e Sportit”, Rrugën e Dibrës, Rrugën e Barrikadave dhe Rrugën “5 Maji”. Situata hidrike ka qenë mjaft e favorshme gjatë këtij viti ndërkaq dhe nuk ka shkaktuar probleme të tjera në furnizimin me energji elektrike të konsumatorëve, përveç punimeve të planifikuara në rrjetin e transmetimit. Kjo situatë e mirë madje ka bërë që vendi ynë të mos importojë energji, por të shesë drejt fqinjëve duke siguruar një shifër prej 13 milionë euro nga tregtia e energjisë.

Ora 09:00 - 17:00

Zonat

Tirana e Re

Selita

Blloku

Kombinati

Ndroqi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›