E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Energjia elektrike në Shqipëri dhe Europë, ja ndryshimet në bursa pas agresionit rus ndaj Ukrainës

Shqipëria vijon të importojë energji elektrike për nevojat e saj. Në kushte e vështira të motit, por edhe të krizës që krijoi në të gjithë vendet agresioni rus ndaj Ukrainës, operatorët publikë po vijojnë të sigurojnë energji elektrike jo vetëm nga tregu i brendshëm, por edhe nga importet në tregun ndërkombëtar.

Rritja e çmimit të gazit nga mungesa e gazit rus dhe ukrainas ka ndikim të drejtpërdrejtë në koston e energjisë elektrike, nëse sheh modelin europian të energjisë.

Shifrat e frikshme të një megavati të energjisë në pothuajse të gjitha shtetet europiane; me çmimin më të lirë në Norvegji e Poloni, që nuk i kalon 200 Euro për megavat dhe, më shtrenjtë në shtetet e tjera si, Spanjë, Francë, Itali, Gjermani, Rumani etj, që e tejkalojnë shifrën 400 euro për megavat energji.

Ndryshimi i dukshëm, në rritje, pasqyrohet edhe në vendin tonë për shkak të importeve të domosdoshme.

Sipas burimeve zyrtare, Shqipëria ka  importuar mbi 216 mijë megavat energji elektrike, me vlerë totale importi 5.7 miliardë lekë. Çmimi mesatar i importit  për megavatorë  është  rreth 190 Euro, që duhet vlerësuar si një çmim i mirë, po t’i referohemi vendeve që përmendëm.

Në Bursën Hungareze të energjisë, që orienton edhe çmimet e blerjes për operatorët publikë shqiptare dhe, që shërben si rregullator për vendet europiane, për javën e parë të marsit, çmimi ka qenë 544 Euro për megavat. Në vijim çmimet kanë qënë më të qëndrueshëm dhe aktualisht shënojnë rënie. Ulje aktuale e çmimit të energjisë në bursë vjen në të njëjtën kohë, kur, edhe çmimi i karburanteve në bursën ndërkombëtare ka rënë.

Bota po përjeton një krizë energjie me çmime rekorde që nisi vitin e kaluar, por Shqipëria shënoi rekorde të eksporteve gjatë më 2021. Sipas të dhënave të INSTAT, në bilancin e energjisë për vitin 2021 energjia elektrike në dispozicion u rrit me 10,9%. Importi bruto i energjisë elektrike shënoi një rënie mbi 30%. Ndërsa eksporti bruto i energjisë elektrike u rrit me 2,9 herë.

Prodhimi neto vendas i energjisë elektrike arriti shënoi rritje me 68,7%.

Përdorimi i energjisë elektrike nga konsumatorët familjarë u rrit me 4,2%,  ndërsa përdorimi nga konsumatorët jo familjarë u rrit me 18,3%. Pas krizës energjitike, Qeveria miratoi një paketë ndihme sociale në të cilën 20 miliardë lekë ose 200 milionë USD janë caktuar si financim për mbrojtjen e çmimit të energjisë për konsumatorët familjarë dhe biznesin e vogël, që nuk ka ndryshuar, pavarësisht rritjes me herë në tregun europian.

/rtsh/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›