E Diel, 1 Nëntor 2026

Energjia u rrit, nga janari 13 për qind më shtrenjtë



Me gjithë kundërshtinë që bënë konsumatorët familjarë dhe bizneset shqiptare, çmimi i energjisë u rrit dje. Enti Rregullator i Energjisë bëri dje publik vendimin, sipas të cilit, çmimi i energjisë elektrike rritet me 13 për qind, krahasuar me atë që është aktualisht. Në fakt kjo është një rritje shumë më e vogël se ajo që ka kërkuar OSSH pranë ERE-s, pasi çekët kërkuan për vitin 2010 të bëhej një rritje prej 23 për qind. Por Bordi i Komisionerëve të Entit Rregullator publikoi dje vendimin për rritjen e energjisë. ERE është munduar të jetë sa më afër njerëzve në nevojë me vendimin e saj, duke lënë kështu në fuqi tarifimin e energjisë me dy nivele, duke hedhur poshtë kërkesën e OSSH-së për të pasur një çmim të njëjtë për gjithë kategoritë dhe duke nisur nga kWh i parë. Në bazë të tarifimit të dyfishtë ERE vendoi dje që qytetarët që konsumojnë deri në 300 kWh, nga 7 do të paguajë 7.7 lekë, ndërsa mbi këtë konsum tarifa arrin nga 12 në 13.5 lekë, pa tatimin mbi vlerën e shtuar. Drejtuesit e ERE-së dje deklaruan se këto tarifa të miratuara i krijojnë mundësi kompanisë që të krijojë të ardhurat e nevojshme për të furnizuar popullatën me energji. Madje, një nga arsyetimet e entit në përcaktimin e tarifave është edhe mbrojtja e konsumatorit nga veprimi monopol i kompanisë OSSH në treg. ERE ka miratuar edhe rritjen e çmimit të kërkuar nga Korporata Elektronergjetike, nga 1.6 lekë aktualisht në 2.03 lekë për kilovat orë, si edhe çmimin e shumicës së Operatorit të Sistemit të Transmetimit nga 0.5 në 0.6 lekë për kilovat/orë. Enti Rregullator ka vendosur uljen e tarifave të energjisë për furrat e bukës nga 8 në 7.6 lekë për kilovat/orë. Ndërkaq dy ditë më parë, krerët e CEZ bënë publike marrëveshjen e nënshkruar mes tyre dhe qeverisë shqiptare për rritjen e çmimit të energjisë. CEZ, kompania çeke që ka blerë Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes në Shqipëri (OSSH), publikoi faktin se rritja e çmimit të energjisë elektrike tashmë është një marrëveshje e mbyllur mes tyre dhe qeverisë shqiptare. Josef Heisek, drejtuesi i lartë i kompanisë CEZ, bëri të ditur dy ditë më parë se qeveria dhe kompania e tyre kanë bërë një marrëveshje me qeverinë në bazë të së cilës do të rrisin çmimin e energjisë përgjatë 5 viteve të para, që nga koha e blerjes.

Heisek tha dje se në bazë të kësaj marrëveshjeje të nënshkruar mes palësh, rritja e energjisë do të bëhet për pesë vitet e para me 15 për qind çdo vit. Në marrëveshjen me CEZ dhe qeverinë shqiptare, të dyja palët kanë rënë dakord që duke filluar nga viti 2010 deri në vitin 2014, çmimi i energjisë të rritet me 15 % plus inflacionin, kjo është një garanci edhe për planin e investimeve, - janë shprehur drejtues të CEZ.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›