Energjikë për Veri

Strategjia e Qeverisë së Kosovës dhe Zyrës Civile Ndërkombëtare për integrimin e Veriut të Kosovës mori mbështetjen e Grupit Ndërkombëtar për Kosovën në të cilin bëjnë pjesë 25 vende që e kanë njohur pavarësinë.
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, thotë se Strategjia që parasheh integrimin e Veriut të Kosovës është inkurajuese që në këtë pjesë të vendit të vendoset rendi dhe ligji.
Ai thotë se strukturat paralele serbe duhet të shuhen përfundimisht dhe personat që janë në krye të tyre dhe që kanë bërë vepra penale në veri të Kosovës duhet të përballen me ligjin. Grupi Ndërkombëtar për Kosovën, i cili diskutoi të hënën në Vjenë Strategjinë e Qeverisë së Kosovës dhe Zyrës Civile Ndërkombëtare për Veriun, i dha mbështetje të plotë kësaj strategjie.
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, në një intervistë për DW’në, thotë se në Veri të Kosovës edhe më herët ka pasur hapësirë që të veprohet.
“Ka pasur hapësirë dhe mundësi që të veprohet edhe më herët. Kemi kaluar dhjetë vjet të plota dhe sidomos në periudhën e administrimit të Kombeve të Bashkuara është dashur që të ketë projekte më të drejtpërdrejta në kuptimin integrues të qytetarëve dhe në kuptimin e zgjidhjes së shumë problemeve, në radhë të parë edhe jetësore të tyre. E dyta ka qenë një vonesë e paarsyeshme e shtrirjes së misionit EULEX me të gjitha kapacitetet në veri të Kosovës. Por, them se veprimet e tashmë janë inkurajuese dhe strategjia për Veriun është në të njëjtën linjë me angazhimet edhe kosovare, edhe ndërkombëtare për të vënë rend dhe ligj në këtë pjesë të Kosovës”, ka thënë Presidenti.
Sipas tij, tash është e rëndësishme që të zbatohet Strategjia për Veriun dhe për këtë kërkohen veprime energjike.
“Zbatimi i Strategjisë për Veriun nuk duhet të bëhet në mënyrë të dhunshme, sepse do të ishte kundër njerëzve të Kosovës, mirëpo, e them se duhet të shkohet në mënyrë energjike për të vënë rend dhe ligj dhe ata që janë përgjegjës për veprat e kryera, natyrisht të përgjigjen para ligjit”.