Pa ankesa në Prizren

Komisioni Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (KZAP) nuk ka marrë asnjë ankesë lidhur me raundin e tretë zgjedhor për kryetar të Komunës së Prizrenit, i mbajtur më 31 janar.
Ndërkaq, për procesin zgjedhor në Komunën e Lipjanit, në KZAP janë deponuar tetë ankesa, katër prej të cilave janë hedhur poshtë si të pabaza.
Sipas Mul Deskut, Zëdhënës i KZAP’së, katër ankesat e tjera janë ende në proces, por thuhet që nuk do të ketë ndikim në rezultat.
“KZAP’ja ka vendosur për 4 ankesa gjersa të tjerat janë në proces e sipër, por nuk kanë ndikim në rezultatin e përgjithshëm”, tha ai.
Në web faqen zyrtare të KZAP’së janë publikuar katër vendime të cilat janë marrë më 8 shkurt, me të cilat refuzohen si të pabaza katër ankesa të Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Lipjan.
Në këtë komunë zgjedhjet i ka fituar kandidati i PDK’së, Shukri Buja, ndërkaq në Prizren, Ramadan Muja, i të njëjtit subjekt politik.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka aprovuar ditë më parë rezultatin zgjedhor për Prizrenin dhe Lipjanin, ndërkaq, certifikimi i fituesve do të bëhet pasi KZAP’ja të nxjerrë vendimet për ankesat e mbetura.