Engel: Nuk ka ndarje të Kosovës

Kongresmeni amerikan, Eliot Engell, deklaron se nuk mund të ketë ndarje të Kosovës dhe se çdo ide për këtë hap paraqet rrezik për stabilitetin e rajonit. Në një interviste për Radio Kosovën, Engell theksoi se rreziku për ndarje ekziston sepse serbët në Beograd janë duke shpresuar por edhe punuar për të krijuar probleme që ndërlidhen me çështje ndëretnike, protesta dhe forma të ndryshme, për t'i përdorur si argument pastaj se nuk ka rrugëdalje tjetër përveç ndarjes. "Mendoj se nuk do të ketë ndarje sepse autoritete në Kosovë janë duke punuar rreth asaj që të mos ketë incidente ndëretnike, ose të paktën ato po mbahen në minimum. Nëse filloni me ndarje në Ballkan, atëherë nuk ka të ndalur. Pra për këtë nuk mund të ketë ndarje, nuk mund të ndryshohen kufijtë sepse është rrezik. Ne duhet të sigurohemi që Kosova është e plotë dhe sovrane e jo e ndarë, duke garantuar të drejta për të gjithë qytetarët e saj", tha Engell. Kongresmeni vlerësoi punën e autoriteteve të Kosovës, ndërsa theksoi se shumë punë duhet bërë në të ardhmen. Engell kërkoi edhe integrimin e plotë të serbëve të veriut, pasi kështu do të kishte një bashkëjetesë më të mirë ndëretnike. Kongresmeni theksoi se serbët janë nën presionin e Beogradit për të mos kryer asnjë lloj bashkëpunimi.