E Diel, 1 Nëntor 2026

Engel: Serbia jo në BE para Kosovës

PRISHTINE-Kongresmeni amerikan, Eliot Engel ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me gjendjen aktuale në veri të Kosovës dhe ka kërkuar zgjidhjen sa më të shpejtë të këtij problemi. Sipas tij kjo gjendje nuk mund të tolerohet.

Ai këto komente i bëri të dielën gjatë një ligjërate para studentëve dhe profesorëve të Universitetit Amerikan në Kosovë, ku ka folur rreth mbështetjes që i ka dhënë Kosovës në rrugën drejt çlirimit dhe shpalljes së pavarësisë. Më tej, Engel është shprehur se ‘Serbia nuk duhet të hyjë në BE para Kosovës’.

Duke folur për Veriun e Kosovës, Engel e ka quajtur të domosdoshme shtrirjen e rendit dhe ligjit edhe në këtë pjesë të vendit, ku serbët e rebeluar prej disa muajsh kanë ngritur barrikada në shenjë kundërshtimi ndaj dërgimit të policëve dhe doganierëve të Kosovës atje.

“SHBA duhet të mbajë trupat e saj në KFOR dhe të qëndrojë në Kosovë, dhe të sigurojë se ka trupat e veta këtu, për të siguruar paqe dhe stabilitet. Jam i shqetësuar për atë që po ndodh në veri të Mitrovicës, ku është ndarë një e dhjeta e vendit, dhe me strukturat paralele dhe gjëra tjera nuk mund të lejohen të vazhdojë, sipas vlerësimit tim”, ka thënë Engel.

(d.b/Kosovapress/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›