Engel: "Sovraniteti i Kosovës është i paprekshëm"

Kongresmeni amerikan, Eliot Engel, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë mbështetjen e gjithanshme për Kosovën.Ai theksoi se tërësia territoriale dhe sovraniteti i Kosovës janë të paprekshme."Nuk do të këtë ndarje as copëtim të Kosovës. Po që se fillon ndarja apo copëtimi në Ballkan, kush e di se ku mund të ndalet, sepse do të kemi copëtime këtej e andej deri në pafundësi", ka thëne Engel. Pra, shtoi Engel, Kosova tashmë është vend i pavarur dhe tërësia e saj territoriale është e paprekshme. "Kemi Flamurin e Kosovës, me hartën e tërë Kosovës dhe pavarësinë në të -kjo është Kosova të cilën ne do të sigurojmë që të mbetet e tërë dhe e pandarë edhe përkundër dëshirës së disave në Beograd për ta copëtuar". Gjithë qytetaret e Kosovës pa dallim, qofshin shqiptarë, serbë, romë apo të tjerë, sipas Engelit, duhet të kenë liritë dhe të drejtat e barabarta, të drejtat e minoriteteve, por assesi Kosova nuk bën të copëtohet apo ndahet por duhet të mbetet e tërë ashtu siç është. Njëherësh, sipas tij, "duhet të sigurojmë se këto rrënjë demokratike janë të forta në tokë dhe të shëndetshme". Këtë gjë, shtoi Engel, do ta bëjmë duke e siguruar që SHBA-ja do të vazhdojnë të jenë miku më i mirë i Kosovës, që përkrahë popullin e Kosovës - duke punuar në ngritjen dhe promovimin e demokracisë për tërë popullin e Kosovës si dhe duke ndihmuar Kosovën në problemet e saj ekonomike. Megjithatë, ai ka thënë se edhe në SHBA kanë probleme ekonomike dhe kjo nuk do të jetë e lehtë.