E Shtunë, 31 Tetor 2026

Enigma e zbardhur: Stalinin e vranë

Ky shkrim e ka fillesën në një debat: Një miku im, gazetar serioz e i përgatitur, ishte skeptik ndaj mendimit tim se Stalini ishte eliminuar nga elita e byroistëve të tij. Ai mbështetej në një mori veprash që kishte lexuar për diktatorin e kuq, - jo vetëm në shqip, -vepra në të cilat nuk bëhet fjalë për një komplot ndaj Stalinit. Nëse thuhet që s’ka asgjë absolute në këtë botë, atëherë unë ngulmoja se Stalini ishte helmuar me një probabilitet afër qind përqindëshit.
Këtë dua ta argumentoj në këtë shkrim. është e vërtetë që historianë të besueshëm, në vepra që i kalojnë të njëmijë faqet, nuk flasin fare për mënyrën sesi vdiq Stalini. Madje edhe në librin krahasues, që njihet nga më seriozët në këtë subjekt, me titullin “Stalini dhe Hitleri” (Staline et Hitler), i argumentuar imtësisht dhe i vlerësuar gjerësisht, kalohet kjo ngjarje. Veçse, pas denoncimit që i bëri Krushovi figurës së Stalinit në Kongresin XX të PK(b) të BS-së, krimet e Stalinit dolën si në pëllëmbë të dorës. Krushovi nuk foli në “Letrën e hapur” sesi vdiq Stalini në marsin e vitit 1953. Por, në rrjedhë të kohës, kur njerëz tepër të rëndësishëm pranë Stalinit, dolën në pension pleqërie dhe iu larguan arenës politike, të mësuar me punë, si për të kaluar kohën, filluan të shkruanin kujtimet. Natyrisht nuk mund të përjashtonin veten nga krimet e panumërta të shefit të tyre. Por kupa po mbushej plot dhe tani po u vinte radha vetë atyre, veçanërisht kur po përgatitej i ashtuquajturi komplot i bluzave të bardha. Me arrestimin e doktorit vetjak të Stalinit, Vinogradovit, i cili u bëri qëndresë torturave dhe nuk pranoi të akuzonte shokët e tij, paçka se iu premtua se, për shpërblim, do t’i shpëtonte ekzekutimit. Kryesigurimsi Ignatiev ishte ngarkuar nga Stalini për ta vënë në kurth Vinogradovin, që pastaj t’i ekzekutonte të gjitha bluzat e bardha. Ishte koha e terrorit kundër izraelitëve, tashmë. Mjëkët ishin çifutë. Plani ishte që Stalini të gjithë çifutët t’i degdiste në një zonë të largët të B.S. Me durim të madh Stalini po përgatiste serinë e dytë të Terrorit të Madh të paraluftës. Fill pas kësaj kohe, ai ishte në kërkim të një vale të ré tmerresh ndaj atij që u quajt antisemitizmi histerik. Më 13 janar 1953 “Pravda” shpalli arrestimin e mjekëve çifutë, që u quajtën “spiunë të ndyrë dhe kriminelë, nën maskën e profesorëve të mjekësisë”. Doktoresha kardiologe e Zhdanovit, Timashuk, kishte shkruar një artikull të guximshëm për “diagnostikimin e gabuar e të qëllimshëm” që i kishin bërë pacientit të saj, Zhdanovit, që vdiq nga kjo veprimtari kriminale e këtyre bluzave të bardha çifute, të cilave po u përgatitej gjyqi. Të nesërmen e këtij denoncimi të famshëm, Timashuku u dekorua nga Stalini me Urdhrin e Leninit. Për t’i bërë publicitet këtij denoncimi të kurajshëm, kishin futur në valle publicistin, gazetarin dhe shkrimtarin e njohur Ilia Ehrenburg. Nuk vonoi që, më 27 janar, Ehremburgu të dekorohej me Urdhrin e Stalinit. Artikulli për Timashukun bënte fjalë edhe për mungesën e vigjilencës nga ana e shërbimeve të Sigurimit. Kjo do të thoshte se edhe kreu i këtij shërbimi, Laurenti Beria, ishte tanimë nën shënjestrën e Stalinit. Kështu u arrestuan jo vetëm bashkëpunëtorët e Berias në Gjeorgji, por edhe të mbrojturit e tij në Moskë, siç ishte kryetari i shtatmadhorisë, Shemenko. U arrestua édhe ish-dashnorja e Berias, V. Maraxe. I biri i Berias ishte shprehur se “Beria tani priste goditjen fatale”. Në librin e Simon Sebag Montefiores, “Gli uomini di Stalin, un tirano, i suoi complici e le sue vittime” (Bot. i Rizzoli-t, 2005), jepen hollësisht të dhënat për përgatitjen e ethshmë të kësaj kërdie të ré, bash një muaj para vdekjes së Stalinit, siç shihet nga data 27 janar 1953, që kemi cekur pak më sipër.
Në këtë libër përcaktohet edhe katërshja në krye të piramidës pushtetare, e përbërë nga Beria, Krushovi, Malenkovi dhe Bulganini. Kjo katërshe kishte filluar të përgatiste edhe planin për zhdukjen e Stalinit, në një pyll afër vilës së Stalinit në Kuncevo, disa kilometra larg Moskës, ku diktatori bënte darkat e tij dhe merrte vendime të rëndësishme, jashtë banesës së tij në Kremlin. Në pyll komplotistët vinin kinse për gjah. Muhabetet e rrezikshme nuk i bënin brenda mureve të banesave, për shkak të aparateve vëzhguese që Stalini e kishte si prirje për të dëgjuar ç’flisnin për të, i kapluar tanimë nga mania e persekutimit. Në këtë katërshe, Beria ishte si më azgani dhe Krushovi i kishte tërhequr vëmendjen se fliste me një kapadaillëk të papërmbajtur, si në rastin kur i kishte thënë Kaganoviçit që “Stalini nuk e kupton dot se, po të përçapej që ta arrestonte, çekistët e tij do të organizonin një kryengritje”. ( Montefiore, f. 600). Natyrisht që në elitën në krye të partisë ishin edhe të tjerët, solidarë me katërshen. Në darkat e shpeshta të Kuznecovos Stalini nuk i thërristë më Molotovin dhe Mikojanin. Molotovit, madje, ia kishte internuar të shoqen, Polina, në Azinë e Mesme. Tani Polina ishte sjellë në Lubjanka për hetim. Edhe Kaganoviçi ishte çifut, si Polina. Kishte ardhur koha që të eliminoheshin edhe ata të fundit, që kishin mbetur ende gjallë, në krye të Byrosë. Ata Stalini kishte ndërmend t’i zëvendësonte me të rinj, të rëndomtë, pa përvojë, vetëm që të flinte rehat! Por nuk pati kohë.
është interesant ky fakt, që u jetësua në Shqipëri. Atë që nuk e bëri dot Stalini, e bëri Enver Hoxha, kopjuesi besnik i veprimtarisë terroriste të mentorit të tij, diktatorit të kuq të Kremlinit. Jo më kot Enveri i eliminoi të gjithë Byroistët që i bënin hije, për të mbretëruar i patrazuar në perandorinë e tij të vogël “monolite”, me Lenkat, Palët, Muhot, Simonët e të tjerët, si ata! Ky ishte projekti i fundit i parealizuar nga Stalini për mungesë kohe, pasi kishte vrarë 20 milion dhe kishte mbyllur në gulagët e vdekjes 28 milion të tjerë. Mikojanit i kishte shkarë goja nga një konfidencë në bashkëbisedim tête à tête me Enverin se Stalini tanimë nuk e ndjente veten të sigurt édhe me ata të gardës së vjetër që i kishte pranë. Montefiore e citon në dy vende të librit të tij E. Hoxhën. Në njërin prej tyre kemi atë shprehjen e Mikojanit.
* * *
Sa më tepër kalon koha, aq më shumë forcohet bindja se Stalini nuk ka pasur një vdekje të natyrshme. Kjo bëhet vazhdimisht e më e qartë, nga dëshmitë që po dalin prej librave të anëtarëve të Presidiumit të Byrosë Politike, që mundën t’i shpëtonin terrorit stalinist. Të gjithë janë të bindur se po të jetonte edhe pak muaj Stalini, do të bëhej një terror si ai që përmendëm në shifra të llahtarshme. Këtë herë kundër hebrenjve do të bëhej ajo batërdi, që mbase as Hitleri s’kishte mundur ta bënte! Vetën një fakt domethënës: kur Stalini luftonte ndërmjet jetës dhe vdekjes dhe kërkohej doktori më i kualifikuar që t’i vinte në ndihmë, të gjithë mjekët përmendnin emrin e profesor Vinogradovit. Por ky ishte i arrestuar, si çifut! Ajka e mjekësisë së BS-së, ishte në hetuesi!
Ai që ka shkruar më troç e me imtësitë më dramatike për helmimin e Stalinit, kam përshtypjen se është Abdurrahman Avtorkhanovi, kaukazian me origjinë çeçene. Ai ka pas qenë punonjës në KQ të PK(b)të BRSS-së. Ishte i lauruar për studimet historike. Në vitin 1943 arratiset në Perëndim dhe jep mësime në fakultetet e historisë, pasi kishte mbrojtur doktoraturën dhe kishte qenë autor i gjashtë librave, të botuar në Rusi. Në Perëndim boti edhe dhjetë libra të tjerë. Gjenerali Grigorenko e quan specialistin më të madh të periudhës staliniste.
Libri i Avtorkhanovit, me titullin “Komploti i Berias”, që flet për vrasjen e Stalinit, mbase është më origjinali, në kuptimin e hollësive tepër interesante, që nuk i kemi në librat e tjerë të historianëve më me emër.
Ky autor jep një shpjegim të besueshëm për vrasjet-zinxhir të Stalinit. Hedh poshtë mendimin e kohës se “atëherë mund të zhdukej gjithkush, pa pasur rëndësi hollësirat”. Citojmë nga ky libër: “Sa më pranë me Stalinin të kish qenë njeriu që ai vriste, aq më tepër vëmendje duhej pasur që, në rrethin e tij, të mos mbetej asnjë i gjallë. Ky “ligj” ishte i zbatueshëm edhe për familjen e vetë tiranit, i cili pushkatoi dy nga kunetërit e tij: Svanixen (vëllanë e së shoqes) dhe Redensin (burrin e motrës së Nadjezhdës), një ish-komisar në Sigurim. Ai shkoi edhe më tej: arrestoi të motrat e së shoqes Nadjezhda, vajzat e Alilluievit, mikut të vjetër të Leninit. Duket e habitshme. Por kur e bija, Svjetllana, që nuk i kuptonte këto punë, e pyeti se përse ishin fajtore tezet e saj, Stalini iu përgjigj me një sinqeritet të pazakontë për të: “Ata dinin si shumë”. (Këtë togfjalësh e gjejmë te kujtimet e Svjetllanës në “Njëzet letra një miku”.
Me këtë arsyetim e kishin pësuar rojat vetjake të Stalinit, Vlasiku dhe Proskrebishevi. Mungesa e tyre e kishte lehtësuar veprimin e Berias, që të ishte i pavëzhguar mirë, kur hynte e dilte në Kuncevo, që ishte daça e Stalinit, në të cilën merreshin vendimet më të rëndësishme, në dreka-darkat që bëheshin aty. Në veprën e Svjetllanës tregohet për kohën e lëngatës së Stalinit, kur Beria mblodhi personelin për të dorëzuar të gjitha materialet që i përkisnin Stalinit. “Burrat dhe gratë e suitës së Stalinit, - shkruan e bija, - grumbulluan, me urdhër të Berias, të gjithë librat dhe të gjitha dokumentet, që u mbartën në kamionë drejt magazinës misterioze”. Rrëfimi vijon: “ U lanë në rrugë njerëzit e gardës dhe të suitës që i kishin shërbyer tim ati për pesëmbëdhjetë vite. Shumë oficerë të gardës vetjake të Stalinit u degdisën në qytete të tjera. Dy nga këta vranë veten. Për çfarë ishin fajtorë? Përse ishin turrur kështu kundër tyre?”. Përgjigjja e Berias do të ishte: “Ata dinin shumë”. (Si përgjigjja e Stalinit!).
Beria mëtonte të bëhej, pas Stalinit, édhe kryetar i partisë, édhe kryetar i shtetit. Por ishte si tepër, pavarësisht se qé i pari në këtë komplot. Për më tepër ai ishte gjeorgjian, si Stalini. Duhej një rus. Beria hoqi dorë nga ofiqe kaq të tepruara dhe, me qeverisjen e ré, u kënaq me postin e zëvendëskryeministrit dhe të kreut të Sigurimit. Edhe kaq e boll e kishte. Beria ishte komprometuar gjer në grykë në të gjitha krimet e Stalinit. Sapo vdiq Lenini (1924), partia hodhi parullën: “Pa Leninin, por në rrugën e treguar prej tij”. Por tani a mund t’i thuhej popullit “Pa Stalinin (1953), por në rrugën e treguar prej tij? Beria e dinte se populli e priti me ngazëllim vdekjen e atij që përgjigjej drejtpërdrejt për vdekjen e miliona e miliona viktimave. Fshatarët tani ishin tërë shpresa në gjendjen e tyre të mjeruar, siç ishin katandisur. Prandaj tani Beria duhej të ishte në rol të reformatorit dhe jo të etjes së ekzagjeruar për të qenë në krye të pushtetit të pakufizuar. Më 4 prill të vitit 1953, ai mori një masë të rëndësishme, lirimin e të gjitha bluzave të bardha.
* * *
Le të vijmë në shpjegimin e hollësishëm të Avtorkhanovit për vrasjen e Stalinit. Beria hynte me lehtësi në Kuncevo, veçanërisht kur kishte lajme të rëndësishme për zhvillimet e reja që merrnin ngjarjet në hetuesitë. Për këto Stalini ishte tepër i interesuar dhe Beria kishte statusin e hyrjes në çdo orë pa asnjë pengesë në vendbanimin e Daçës së Stalinit. Këtë herë Beria hyri në mënyrë urgjente me një grua, që kishte një dosje në dorë, duke i bërë të njohur Stalinit se posedoheshin kundër Krushovit informata të tmerrshme për çështjen e mjekëve nën akuzë. Citojmë: “Beria nuk pati kohë t’ia paraqiste dosjen Stalinit, sepse ajo gruaja i hodhi në fytyrë Stalinit një lëndë avulluese, që mbase ishte eter. Stalini sikur u deh, e humbi drejtpeshimin dhe ajo gruaja, me shumë gjasa një doktoreshë, i injektoi në venat Stalinit një gjilpërë me një helm me veprim të ngadaltë. Ditët e pastajme Stalini ishte nën kujdesin e kësaj “mjekeje”, e cila i bënte gjilpëra me doza të ulëta, që Stalini të dukej se ishte duke vdekur ngadalë, në mënyrë të natyrshme. Svjetllana shkruan në kujtimet e saj se diku e kishte parë këtë mjeke të re, madje tani ishte përshëndetur me kokë me të, “por pa këmbyer asnjë fjalë”. Në “Arkipelagun Gulak” Sollzhenicini shkruan duke qenë pranë këtij varianti: ”Të dhëna të ndryshme të ngjallin dyshime se para vdekjes së Stalinit, gjendja e Berias ishte e rrezikuar dhe nuk përjashtohet që Stalini të jetë zhdukur nga ndonjë ndërmjetës i Berias”. Këtë doktoreshën nuk e njihte jo vetëm e bija e Stalinit, por as Krushovi, që thoshte se njihte vetëm profesor Lukonskin. Mjekët e tjerë, që ishin prurë aty nuk i bënë asnjë shqyrtim të sëmurit, sipas Svjetllanës.
Më vonë pati pëshpëritje të dyzuara për vdekjen e Stalinit: ishte një grusht i Byrosë Politike, apo një helm i administruar nga Beria? Në të dy variantet, para Kongresit XXII (1961), Ehremburgu shprehet se shkaku i vdekjes së Stalinit ka qenë damllaja nga emocioni. Nuk shohim asnjë aluzion për një vdekje me dhunë.
Por Krushovi i kishte hapur letrat më shumë, pasi e kishte vënë në dorë situatën. Ai pohoi haptazi para të gjithë botës se Stalini kishte pësuar një vdekje të detyruar, pra, kishte përfunduar në një vdekje me dhunë. Kujtimet e Byroistëve e përforcojnë këtë mendim. Krushovi kishte bërë edhe një përgjithësim teorik: “ Të gjithë tiranët e egër historikisht kanë vdekur nga hekuri, nga ai hekur me të cilin ata janë orvatur të përjetësonin pushtetin e tyre”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›