E Diel, 1 Nëntor 2026

Besimi i Bankës Botërore tek Shqipëria - i jep asaj edhe 420 milionë dollarë investime

Bordi i Bankës Botërore ka miratuar Strategjinë e re të Partneritetit me Shqipërinë, ku në kundërshtim me klimën mosbesuese në të cilën endet ekonomia europiane, i akordon qeevrisë “Berisha” një tjetër fond investimesh, në vlerë 420 milionë dollarë investime në sektorët e infrastrukturës dhe të reformave ekonomike

Banka Botërore ka shqyrtuar dje strategjinë e re të Partneritetit të Vendit (CPS) për Shqipërinë, e cila përbën kuadrin për asistencën e Grupit të Bankës Botërore për Shqipërinë për vitet 2011 – 2014. Strategjia e re është plotësisht në përputhje me Strategjinë Kombëtare të Shqipërisë për Zhvillimin dhe Integrimin dhe bazohet në një dialog të gjerë dhe të vazhdueshëm me Qeverinë e Shqipërisë dhe në konsultimet me të gjithë partnerët e zhvillimit. CPS e re e përbashkët Bankë Botërore-IFC parashikon financime deri në 275 milionë USD nga Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD), dhe deri në 120-150 milionë USD nga IFC për periudhën katër vjeçare.
Drejtoreshë e Bankës Botërore për Vendin dhe Koordinatore Rajonale për Evropën Juglindore, Jane Armitage u shpreh një vendim i tillë i bordit të drejtueseve të Bankës Botërore, vjen pas rezultateve spektakolare të ekonomisë shqiptare, në kushtet e efekteve të krizës financiare globale.
“Shqipëria është një histori zhvillimi e suksesshme në shumë drejtime, pasi ka bërë hapa të lavdërueshëm para në zhvillimin shoqëror dhe ekonomik përgjatë dekadës së shkuar. Megjithatë, sikurse edhe fqinjët e vet, Shqipëria tani përballet me një mjedis të jashtëm më të vështirë, si rezultat i krizës globale financiare. Grupi i Bankës Botërore ka një partneritet të gjatë dhe të frytshëm me Shqipërinë dhe ne shpresojmë të vazhdojmë mbështetjen tonë për ta ndihmuar Shqipërinë për të ruajtur ritmet e larta të rritjes, menaxhimin e mirë ekonomik dhe uljen e varfërisë”, u shpreh ajo.
Armitage theksoi se, “strategjia e re e Partneritetit synon të mbështesë rimëkëmbjen e ritmeve të rritjes së Shqipërisë përmes përmirësimit të konkurrueshmërisë, dhe në të njëjtën kohë duke përmirësuar shërbimin arsimor dhe atë shëndetësor dhe duke forcuar rrjetin e mbrojtjes sociale. Veç kësaj, Strategjia do të ndihmojë Shqipërinë të përballë sfidat e reja të ndryshimeve klimatike, përmes përmirësimit të mbrojtjes dhe menaxhimit të ujit dhe rritjes së shkallës së përgatitjes në rast fatkeqësish”- u shpreh drejtoresha e Bankës.
Gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, Shqipëria ka qenë një nga vendet me rritjen më të shpejtë në Evropë, me një rritje mesatare vjetore prej 6 për qind, e shoqëruar me ulje të shpejtë të varfërisë. Pavarësisht nga kriza globale financiare dhe ekonomike, Shqipëria është ndër të paktat vende në Evropë që ka ruajtur nivele pozitive të rritjes dhe stabilitet financiar në vitin 2009. Veçanërisht për të ardhmen, Shqipëria gjendet para një numri sfidash të rëndësishme, sidomos si rezultat ritmeve të ulëta të rimëkëmbjes në Evropë dhe pasigurive që po ndesh ekonomia greke, një partner ekonomik i rëndësishëm.
“Mbështetur në bashkëpunimin e mëparshëm të suksesshëm të IBRD-së me IFC-në në ndërhyrje të përbashkëta në sektorë të rëndësishëm si p.sh. në energji, IBRD dhe IFC kanë bashkëpunuar qysh në fillim të hartimit të kësaj strategjie për një qasje programatike me fokus në sektorë të rëndësishëm për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit, duke përfshirë energjinë, rrugët, furnizimin me ujë, menaxhimin e mbetjeve, si dhe përmirësimin e mjedisit të biznesit”, tha George Konda, ekonomist kryesor në Departamentin e Evropës Jugore dhe Azisë Qendrore, në IFC.
Strategjia e re do të mbështesë zhvillimin e Shqipërisë dhe do të ndihmojë me sfidat kryesore siç janë: konsolidimi i pozitës fiskale për t’i bërë ballë sfidave të viteve të ardhshëm; përmirësimi i mëtejshëm i eficiencës së shpenzimeve publike duke marrë parasysh ndërkohë nevojat e mëdha infrastrukturore; përmirësimi i zbatimit të reformave rregullatore dhe institucionale për të nxitur konkurueshmërinë dhe investimet; rritja e nivelit arsimor dhe aftësive për të plotësuar kërkesën nga bizneset; dhe përmirësimi i sistemeve të mbrojtjes sociale dhe shërbimeve shëndetësore kyc duke u siguruar që të varfrit janë të mbrojtur nga lëkundjet ekonomike.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›