E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eno Koço dhe e bija sjellin për herë të parë simfoninë e ndaluar të Mahler

TIRANE - Sopranoja Teuta Koço dhe babai i saj, dirigjenti Eno Koço, sollën mbrëmjen e djeshme, për herë të parë në vend, Simfoninë nr.4 nga Gustav Mahler, që dikur ka qenë e ndaluar.

Në një prononcim për ATSH-në, Eno Koço tha se kjo pjesë e Mahler para viteve ’90 nuk mund të luhej në Shqipëri për mesazhet e fshehura që mbart. "Edhe pse është më e shkurtra nga simfonitë e Mahler, ajo është e vështirë nga ana teknike”, tha Koço.
Pas 55 minutave të simfonisë, sopranoja Teuta Koço, e shoqëruar nga Orkestra Simfonike e RTSH-së, interpretoi në skenën e Universitetit të Arteve një pjesë më të qetë, këngën "Mëngjesi", nga Richard Strauss.

Koncerti u mbyll me dy opereta gazmore nga Johan Strauss dhe Franz Lehar. Sopranoja Teuta Koço rikthehet pas tre vitesh në Tiranë. Emri i sopranos së famshme shqiptare, e cila prej vitesh jeton në Londër, është pjesë e axhendave koncertore në skenat më prestigjioze botërore. Teuta Koço, ashtu si babai i saj, e ndan jetën mes Londrës dhe Tiranës.

Ftesa për të sjellë në Tiranë artistët Koço ka ardhur në emër të Orkestrës Simfonike të RTSH-së dhe konkretisht nga drejtori i Orkestrës, David Tukiçi, në kuadër të stinës koncertore shkurt-korrik 2013-të.

(er.nu/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›