Privatizohen trojet e fshatrave turistike
Ekspertët e shohin si një përpjekje për mbushjen e arkës së buxhetit. Berisha: Fondet për ish-pronarët
Në dy mbledhjet e radhës, qeveria sjell 3 nisma për pronat. Qeveria u jep trojet pronarëve të fshatrave turistikë
Muaji gusht ka qenë tepër intensiv për qeverinë shqiptare, në lidhje me çështjen e pronave. Në dy mbledhjet e fundit, kryeministri ka prezantuar tre nisma që lidhen me çështjen e pronësisë në vend, nisma të cilat janë shoqëruar me debate nga grupet e interesit.
Pas miratimit të një ligji, për kalimin e tokës bujqësore të papunuar në fondin e komunave dhe lejimin e shtetasve të huaj me origjinë shqiptare për të blerë toka në territorin e vendit, kryeministri ka prezantuar edhe një projekt tjetër, kësaj radhe për pronat që lidhen me industrinë e turizmit.
Qeveria po harton një projektligj, i cili u mundëson pronarëve të fshatrave turistikë, të blejnë truallin, mbi të cilin kanë ngritur vilat dhe resortet e tyre turistike. Projektligji pritet të mbërrijë shumë shpejt për miratim në qeveri, ndërsa kryeministri kërkoi që në mbledhjen e ardhshme të konkludohen disa probleme të rëndësishme, për të cilat është punuar nga ministritë e linjës.
Duke i konsideruar si borgjezët e rinj, ai tha se, pronarët e këtyre fshatrave turistikë duhet ta blejnë tokën në mënyrë përfundimtare me çmimin e tregut dhe të ardhurat e mbledhura do të kalojnë në fondin për kompensimin e ish-pronarëve.
"Në këtë mënyrë, ato do t'i gëzojnë edhe më shumë shtëpitë e tyre të fundjavës. Statusi i fshatrave turistike është një problem i ndërlikuar gjatë rrugës, por tani do t'i japin përgjigje përfundimtare në interes të dyanshëm, të atyre që i posedojnë shtëpitë dhe të pronarëve, sepse të gjitha këto fonde do të kalojnë për pronarët.
Statusi i tyre nuk lejon që të përdoren praktikat e legalizimit për to, pasi kemi të bëjmë realisht me atë që unë e quaj borgjezia e re, por që, në fakt, nuk ka ndërmend ta deklarojë veten të tillë asnjëherë, gjë të cilën unë personalisht nuk arrij ta kuptoj,"- tha Berisha.
Fshatrat turistikë janë ndërtuar mbi troje shtetërore dhe shtrihen përgjatë vijës bregdetare.
Ligji për turizmin parashikonte dhënien me një periudhë kohore prej disa raundesh, ose të njohur ndryshe qira për 99 vjet. Ndërtimet në këto zona janë të përjashtuara nga efekti i ligjit të legalizimit, për shkak të vendosjes së tyre në zona turistike.
Kjo nismë e qeverisë për të nxjerrë në shitje trojet në bregdet, shihet nga disa ekspertë si përpjekje për të mbushur arkën e buxhetit, e cila është "lehtësuar" shumë gjatë këtij viti elektoral dhe bërjen pronarë të plotë, të atyre që zotërojnë vila dhe fshatra në zonat turistike.
Në të gjithë vendin numërohen jo më pak se 30 resorte pushimi, të njohura si fshatra turistikë. Ekspertë të qeverisë thanë dje se ky projektligj synon të bëjë një rregullim në pronësinë e këtyre fshatrave turistikë.
"Statusi i fshatrave turistike është një problem i ndërlikuar gjatë rrugës, por tani do t'i japin përgjigje përfundimtare në interes të dyanshëm, të atyre që i posedojnë shtëpitë dhe të pronarëve, sepse të gjitha këto fonde do të kalojnë për pronarët.
Statusi i tyre nuk lejon që të përdoren praktikat e legalizimit për to, pasi kemi të bëjmë realisht me atë që unë e quaj borgjezia e re, por që, në fakt, nuk ka ndërmend ta deklarojë veten të tillë asnjëherë, gjë të cilën unë personalisht nuk arrij ta kuptoj,",- tha Berisha.
Punonjësit shtëpiakë, në skemën e pensionit
Nga 1 shtatori, të gjithë ata që kanë punësuar persona për punët e tyre shtëpiake, duhet t'i deklarojnë dhe të paguajnë për to kontributet e sigurimeve shoqërore.
Madje, kreu i qeverisë tha se të parët që do të përballen me ligjin do të jenë zyrtarët e lartë, të cilët nëse nuk i regjistrojnë do të humbasin detyrën. "Zyrtari që mban punonjës shtëpiak të padeklaruar do të largohet menjëherë nga detyra për fshehje të papranueshme dhe trajtim skllavëror të një individi.
Afati për t'i regjistruar ata është data 1 shtator dhe ai që nuk i regjistron përtej kësaj date nuk do të qëndrojë më në administratë, pasi do të konsiderohet jo fshehje pasurie, por edhe më rëndë se kaq.
Edhe kur të amendohet ligji për konfliktin e interesit kjo do të përbëjë konfliktin më madhor,"- tha ai. Ndërsa për të tjerët, ai tha se do të aplikohet praktika e modulit "Për ata që nuk i deklarojnë punonjësit shtëpiakë, do të përpunohet moduli.
Moduli do të thotë që ata, me deklarim apo anonimat, do ta paguajnë punonjësin",- theksoi ai. Sipas tij, efekti vjetor prej 80 apo 100 mijë lekësh në vit, nuk duhet të pengojë përfitimin e pensionit nga punonjësit shtëpiake.