Enti i Banesave, gjobë pesë zyrtarëve
TIRANE – Favorizuan një prej pjesëmarrësve të tenderit 20 milionësh, gjobë pesë zyrtarëve të Entit të Banesave. Një vendim i Gjykatës së Tiranës shpalli dje fajtorë për shkelje të barazisë në tendera dhe dënoi me një total prej 1 milion e 240 mijë lekësh pesë zyrtarë të këtij institucioni. Sipas vendimit të dhënë nga gjyqtari Petrit Çomo, u shpall fajtor dhe u dënua me 300 mijë lekë gjobë i pandehuri Alfred Muçi. E njëjta masë administrative u vendos nga gjykata edhe për të pandehurin Klement Greca. Të pandehurit Aleksandër Gusho dhe Albert Dybeli u shpallën fajtorë dhe u dënuan me nga 200 mijë lekë gjobë, ndërsa e pandehura Majlinda Shehu me 240 mijë lekë gjobë. Bëhet e ditur se procedimi penal për të pandehurit e kësaj çështjeje ka filluar rreth një vit më parë. Sipas organit të akuzës, vepra që i çoi zyrtarët në bankën e të akuzuarve ishte favorizimi i bërë prej tyre kundrejt një firme në një prej tenderëve të institucionit. Tenderi që arrinte shifrën e 20 milionë lekëve të vjetër ishte për blerjen e një automjeti për llogari të institucionit. Sipas Prokurorisë, të pandehurit ishin anëtarë të komisionit që do të përzgjidhte firmën fituese në tender. Prokuroria ka pretenduar se zyrtarët kanë favorizuar një prej pjesëmarrësve, duke skualifikuar të tjerët. ar.ba