Gjykata: "Durrës-Kukës", e pavlefshme
Armand Bajrami
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë pushon akuzat për Lulzim Bashën, ish-ministrin e Transporteve në lidhje me përfshirjen e tij në skandalin “Durrës-Kukës”. Një vendim i formës së prerë i shkallës më të lartë të gjyqësorit pushoi çështjen në ngarkim të ish-ministrit, aktualisht ministër i Jashtëm, për shkak të procedurave të parregullta hetimore të Prokurorisë së Përgjithshme. Gjykimi mori fund ende pa nisur edhe për të pandehurin tjetër të kësaj çështjeje, drejtorin e Përgjithshëm të Rrugëve, Andi Toma. Sipas gjykatës, marrja e ministrit Basha në cilësinë e të pandehurit dhe njoftimi i akuzës është bërë jashtë afateve ligjore. Në të tilla kushte, Kolegji Penal e cilësoi dje si “absolutisht të pavlefshëm” aktin e dërgimit të dosjes për gjykim në Gjykatën e Lartë. Relatori i seancës, gjyqtari Spiro Spiro, u shpreh gjatë arsyetimit të vendimit se dosja nuk mund të shqyrtohet, pasi organi i akuzës u ka mohuar të pandehurve të drejtën e një gjykimi të drejtë dhe të paanshëm. Vendimi i djeshëm zhveshi përfundimisht nga çdo akuzë ministrin e Jashtëm Basha dhe në të njëjtën kohë i dha fund procesit të bujshëm gjyqësor për dy personat që, sipas Prokurorisë, i kishin shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 232 milionë eurosh.
SEANCA
Pas urdhrit të solemnitetit “Salla në këmbë”, Kolegji Penal i kryesuar nga gjyqtari Spiro Spiro vijoi dje për rreth një orë me leximin e vendimit të arsyetuar. Pa përdorur termin “të pandehur” për Bashën dhe Tomën, por duke i përmendur vetëm si “persona në hetim”, gjykata shpalli të pavlefshëm çdo veprim të kryer nga Prokuroria e Përgjithshme pas datës 6 nëntor 2009, datë që shënonte fundin e afateve të hetimit. Në këtë mënyrë i pavlefshëm u shpall akti i fletëthirrjes së datës 24 nëntor 2008 për marrjen në cilësinë e të pandehurit të ministrit të Jashtëm, Basha. Po ashtu, i pavlefshëm u shpall edhe akt-njoftimi i akuzës me postë ndaj tij në datën 27 nëntor 2008. Sipas gjykatës, pavlefshmëria e këtyre akteve ka rrjedhur si pasojë e faktit që në këtë kohë Gjykata e Apelit po shqyrtonte një vendim të Shkallës së Parë, që kishte shpallur të pavlefshme hetimet e kryera në harkun kohor 6 nëntor deri 6 dhjetor 2008. Gjykata pa si të pajustifikuar njoftimin formal të ministrit për akuzën, duke pohuar se “ish- ministrit të Transporteve, Basha, i është shkelur e drejta kushtetuese për t’u njohur me aktet, duke e penguar atë që të përgatitej për t’u mbrojtur”. E pavlefshme u cilësua edhe akuza e pabarazisë në tendera për Bashën dhe për Tomën, me arsyetimin se ishte ngritur jashtë afateve hetimore. Vendimi i djeshëm duket se ka “shkatërruar” dosjen “Durrës-Kukës”, për të cilën sipas disa magjistratëve të kontaktuar nga gazeta, ka vetëm një zgjidhje: rihetimin e çështjes nga e para.
REAGON MINISTRI
“Gjykata e Lartë pushoi me një vendim të formës së prerë çështjen penale duke konstatuar se Prokuroria e Përgjithshme u angazhua në një proces të parregullt ligjor në shkelje të Kushtetutës dhe Ligjeve të Shqipërisë”, pohoi ministri Basha për mediat, dje pas përfundimit të seancës. “Sot merr fund një komplot politik kundër rrugës Durrës-Kukës-Prishtinë dhe kjo është përgjigja e merituar nga drejtësia shqiptare për këtë komplot politik antishqiptar”, u shpreh ai. Ish-ministri i jashtëm Lulzim Basha, akuzohej për “shpërdorim të detyrës” dhe “shkelje të barazisë në tenderë” gjatë tenderit për ndërtimin e segmentit rrugor Rrëshen-Kalimash, pjesë e rrugës Durrës-Kukës.
Kronologjia e Durrës-Kukës
9 mars 2007
Prokuroria e Tiranës fillon hetimet kryesisht hetimet në lidhje me abuzimet e dyshuara me projektimin, tenderimin dhe financimin e rrugës Durrës-Kukës, segmenti Rrëshen-Kalimash
6 shtator 2008
Prokuroria e Tiranës dërgon dosjen për kompetencë hetimi në Prokurorinë e Përgjithshme për nevojën e heqjes së imunitetit të Lulzim Bashës. Merren të pandehur Armand Teliti, Andi Toma e Lejla Saraçi
25 tetor 2008
Prokuroria e Përgjithshme i kërkon Kuvendit, heqjen e imunitetit për deputetin dhe ministrin Basha duke vendosur hetimin e tij në dosjen “Durrës-Kukës”
Gusht 2009
Prokuroria e Përgjithshme vendos të zhvillojë ekspertizë kontabël për punimet në segmentin Rrëshen-Kalimash, autostrada Durrës-Kukës
29 shtator 2009
Prokuroria administron akt-ekspertimin kontabël, dëmi ekonomik rezulton 215 milionë euro
6 tetor 2009
Prokuroria vendos shtyrjen e afatit të hetimit për dosjen “Durrës-Kukës” deri më 9 nëntor 2009 për kryerjen e veprimeve të tjera hetimore
6 nëntor 2009
Prokuroria shtyn përsëri afatin e hetimit deri më 6 dhjetor 2009. dy ditë më vonë Armand Teliti dhe Andi Toma ankimojnë këtë vendim në Gjykatën e Tiranës
18 nëntor 2009
Gjykata e Tiranës konsideron të pavfleshëm çdo veprim të prokurorisë në dosjen “Durrës-Kukës” të kryer pas 6 nëntorit 2009. Ky vendim lihet në fuqi në Apel dhe Gjykatën e Lartë
27 nëntor 2009
Prokuroria e Përgjithshme vendos pushimin e akuzës për Lejla Saraçin dhe Armand Telitin. Thirren si të pandehur Lulzim Basha dhe Andi Toma të cilëve iu dërguan me postë aktet e dosjes
5 dhjetor 2009
Prokuroria e Përgjithshme deklaron mbylljen e hetimeve për dosjen “Durrës-Kukës” dhe dërgon fashikullin në Gjykatën e Lartë
10 dhjetor 2009
Lulzim Basha kërkon në gjykatën e Tiranës pavlefshmëri absolute të akteve të dosjes “Durrës-Kukës”, thirrja si i pandehur dhe komunikimi i akuzës me postë.
15 dhjetor 2009
Gjykata e Tiranës shpall absolutisht të pavfleshme veprimet e Prokurorisë pas datës 6 nëntor 2009. ky vendim u la në fuqi në Apel ndërsa ende nuk është shqyrtuar në Gjykatën e Lartë