Gjeti djalin të vdekur, nëna vetëvaret në litar
Etleva Delia
Vdekja e djalit 9-vjeçar, bashkëshorti prej vitesh në mërgim dhe gjendja e vetmuar, dyshohet se shtynë në vetëvarje një grua 31-vjeçare, e cila i dha fund jetës dje në mëngjes. Ruzhdie Hoxha mori vendimin fatal kur pa që djali i saj i vetëm 9-vjeçar kishte ndërruar jetë gjatë natës nga temperatura e lartë. Ngjarja ndodhi dje në orën 09:00 të mëngjesit, në Kodër Kamëz të Tiranës. Banorët e lagjes periferike të kryeqytetit janë alarmuar kur panë trupin e pajetë të fqinjës së tyre që qëndronte në litar. Fqinjët kanë lajmëruar menjëherë policinë e Komisariatit nr. 5. Oficerët e Sektorit të Krimeve Kundër Jetës dhe Shëndetit, të cilët kanë hapur me forcë derën e apartamentit në katin e tretë të pallatit, kanë gjetur dy viktima brenda shtëpisë. Nënën e re, Ruzhdie Hoxha, të varur dhe djalin e saj të mitur Xh. Hoxha, pa jetë në krevat. Gjithashtu policia ka sekuestruar edhe një letër, të cilën 31-vjeçarja e kishte lënë sipër tavolinës pak momente para se të merrte vendimin fatal. Sipas policisë, letra ka sqaruar deri diku rrethanat e ngjarjes, por të dy viktimat janë dërguar në morgun e kryeqytetit për kryerjen e ekspertizës mjeko-ligjore. Banorët e pallatit treguan se gruaja jetonte vetëm me djalin dhe me vjehrrën, pasi bashkëshorti prej disa vitesh është emigrant në Greqi. Vite më parë ata kishin ardhur nga Dibra dhe ishin vendosur në Kodër Kamëz. Djali 9-vjeçar ishte fëmija i vetëm, i cili ishte në klasë të tretë. Prej dy ditësh vjehrra e Ruzhdie Hoxhës kishte shkuar të vizitonte djalin dhe në momentin e ngjarjes në shtëpi nuk ka qenë asnjë person tjetër i familjes.
VETEVARJA
Para se t’i jepte fund jetës, 31-vjeçarja Ruzhdie Hoxha që deri dje jetonte në Kodër Kamëz, duket se mëngjesin e djeshëm ka mësuar lajmin më të keq të jetës së saj. Teksa mundohej të zgjonte djalin 9-vjeçar, nëna ka parë se zemra e të miturit kishte pushuar së rrahuri. Çdo përpjekje për ta kthyer në jetë ishte e kotë, ai kishte ndërruar jetë gjatë natës, nga temperatura e lartë prej të cilës vuante prej disa ditësh. Pasi është bindur që fëmija i saj i vetëm nuk jetonte më, gruaja i ka dhënë fund edhe jetës. Të gjitha këto 31-vjeçarja i ka shkruar në një copë letër, pak minuta para se të vetëflijohej. Ajo është munduar që t’i japë një shpjegim bashkëshortit, i cili jeton si emigrant në Greqi, gjithashtu edhe vjehrrës, e cila prej dy ditësh kishte shkuar tek i biri. Në letrën e fundit ajo i është drejtuar bashkëshortit, përmes të cilës i ka thënë që jeta e saj nuk ka më kuptim pa djalin e tyre të vetëm, të cilin e gjeti të vdekur në krevat. Pasi shpjegoi gjithçka, 31-vjeçarja Hoxha u vetëvar në ballkonin e apartamentit. Ndërkohë pasditen e djeshme kanë mbërritur nga Greqia në Tiranë bashkëshorti i Ruzhdie Hoxhës dhe nëna e tij. Sipas policisë, në një kohë që është përcaktuar shkaku i vdekjes së 31-vjeçares, ende nuk ka dalë një raport paraprak mjeko-ligjor për djalin e mitur, i cili në letrën e nënës së tij pretendohet se ka vdekur gjatë natës nga temperatura e lartë.