Enver Hoxha: Pushimet e mia në Pogradec
Ditari i panjohur familjar i ish-udhëheqësit komunist. Copëza rrëfimesh nga jeta e udhëheqësit që drejtoi me dorë të hekurt vendin për katër dekada. Takimet gju më gju me popullin, jeta në vilën qeveritare dhe kujtimet për Lasgush Poradecin
“Shekulli” po sjell sot për lexuesit copëza nga rrëfimi i njeriut që drejtoi me dorë të hekurt Shqipërinë për katër dekada. Janë disa prej rreth qindra faqeve të ditarit të shkruar nga vetë Enver Hoxha në vitet 1976-1981, kohë për të cilën flasin këto pjesë. Është një rrëfim familjar, i pabotuar më parë, i shtypur në letra të rëndomta herë format A4, herë sa gjysma e tyre, ku flitet për pushimet e ish-udhëhëqit komunist në vilën qeveritare në Pogradec, ku ai kalonte një pjesë të stinës së nxehtë, në shoqërinë e familjarëve dhe bashkëpunëtorëve më të ngushtë. Fletët e ditarit që po botohen sot janë dhënë nga familjarët e Hoxhës dhe tregojnë jetën e udhëheqësit, që shqiptarët e asaj kohe, ishin të privuar ta jetonin. Në këto rrëfime duket një udhëheqës babaxhan, që mezi pret të takojë fëmijët, nipërit dhe mbesat, që flet me kooperativistë dhe i udhëzon për mbarëvajtjen e prodhimeve bujqësore, që këshillon drejtuesit e pushtetit vendor se si ta menaxhojnë turizmin në qytetin buzë liqenit, që kujton ish-shokun e shkollës, poetin e shquar të ‘liqerit”, Poradecin e madh.
E shtunë, 16 tetor 1976
Sot kisha datëlindjen. Çdo vit e “mblidhet lëmshi”, siç thosh Aneja, por jam mirë dhe do të rroj më shumë se Anejadhe xhaxhai për t’i shërbyer Partisë dhe popullit. Erdhën shokët e Byrosë Politike, të Presidiumit dhe të Qeverisë më uruan.
Më erdhën dhe Valbona me Ermalin, si dy pëllumba. Valbona mbante në të dy duart peshqeshin e parë që i bënte gjyshit, një sahat që e ka ndërtuar Sokoli, si dhe një metro nga ana e saj. Ermalushi si pionier, erdhi më dha letrën dhe peshqeshin e tij, një radio të vogël zhaponeze. I putha xhanet dhe u knaqmë. Morën fotografi dhe film në sallon.
Për drekë kishim Munimenë, Haxhon me çupat e saj dhe këto me fëmijë, Dhurin dhe Zamirën. Nga Sanoja vanë po ashtu njerëz për urim.
Pogradec, e enjte 17 gusht 1978
Po mbarohen edhe pushimet tona në Pogradecin e bukur. Nesër në mëngjes më 18 gusht kemi vendosur të shkojmë në Durrës. Kaluan afro 5 javë, në qoftë se nuk gabohem, në qytetin e bukur të Pogradecit. Si çdo vit tjetër ne bëmë këtu një pushim të këndshëm nga çdo pikëpamje. Nuk u mërzitën për asnjë moment, për arsye se me ne ishin me radhë të gjithë fëmijët, të mëdhenjtë dhe të vegjlit. Të mëdhenjtë erdhën njëri pas tjetrit, sipas kohës së pushimit që merrnin. Sidoqoftë, të vegjlit i kishim marrë me vete ne, pse ata janë gëzimi ynë më i madh: Valbona, Ermali, Dritani, kurse Shpati i vogël, “picirruku” ose “miushi”, siç e thërret Sokoli, erdhi më vonë, ai erdhi më Liljanën dhe me Sokolin. Këta erdhën të fundit dhe po ashtu u larguan të fundit.
Ishte një gëzim i madh për mua që këto ditë të bukura pushimi ishin mbushur me cicërimat e fëmijëve, me të bërtiturat e tyre “gjyshi”, “gjyshi”, me përqafimet e të puthurat e tyre, me rendjet e tyre nëpër park. Ne shkonim tok me ta, më këpusnin lule, m’i fusnin në xhepin e xhaketës, më kërkonin që t’u kapja flutura dhe u kapja shumë herë me duar, se më mungonte rrjeta. Herën tjetër nuk do të harroj të marr një rrjetë me vete, pse i kam premtuar Valbonës që do t’i përgatit një defter koleksionesh me flutura që do t’i kapim gjatë pushimeve të ndryshme të ardhshme, natyrisht në Durrës, në Pogradec, në Vlorë etj.
...........të tërë të vegjlit u kënaqën shumë në Pogradec. Tok shkonim në Volorekë që, siç dihet, është një vend shumë i bukur me ujin që rrjedh. Atje ne rrinim nën hijen e shelgjeve lotonjës dhe Sulo Gradeci s’mungonte të na merrte në fotografi dhe në film. Nexhmija iu bënte kalamanëve varka prej letre që ata i hidhnin në ujë. Tok me prindërit e tyre fëmijët hipnin edhe në varkë dhe ngjiteshin deri lart në burime, kapërcenin urat.
Sivjet konstatuam që turizmi i Pogradecit kishte bërë zbukurime të mëtejshme. Kafen e sipërme më të madhe për masat e gjera të popullit e kishte zbukuruar, kishte ndërtuar një urë të madhe më poshtë. Edhe afër kafesë së dytë, ku venim ne, kishte bërë po ashtu një urë që të lidh me bregun tjetër të ujit, atje ku ishin edhe të mëdhenjtë. Edhe Liloja, edhe Pranvera me Klemin hëngrën një drekë në kafenë e Volorekut. Është kënaqësi të hash bukë në mes të pemëve, nën çatinë e asaj kafesë së ndërtuar me aq gusto nga arqitektët tanë.
Unë kam qenë vazhdimisht shumë mirë, dorën e majtë ma shqetësonte pak një artrit, megjithatë nuk ishte ndonjë shqetësim i madh dhe çdo gjë kaloi. Gjatë qëndrimit në Pogradec bëja tre orë shëtitje në ditë, një në mëngjes para se të haja bukë, një para se të haja bukë në drekë dhe një në mbrëmje. Më ndiqte çdo ditë edhe Nexhmija, por vetëm në kohën e drekës dhe në mbrëmje, jo gjatë gjithë shëtitjeve të mia dhe vetëm nga gjysmë ore, se më tepër s’ecte dot. Edhe Nexhmija ishte shumë mirë, veçse ajo pati një artrit të vogël në sup, i cili e shqetësoi pak, por doktorët, me disa masa si ngaherë, ia likuiduan dhimbjen e supit.
Kështu pushimet në Pogradec kaluan në mënyrë të mrekullueshme. Buzë liqenit, në park, uleshim nën mështeknë, lexonim libra boll sa lodheshim. Çdo mëngjes lexonim shtypin, telegramet që na vinin nga ambasadat tona jashtë, gëzoheshim për opinionin e mirë që ka krijuar kudo në botë Letra e Komitetit Qendror të Partisë dhe e Qeverisë sonë drejtuar Komitetit Qendror të Partisë Komuniste dhe Qeverisë Kineze.
Por edhe ca punova unë në Pogradec, sidomos skicën e re të projektplanit pesëvjeçar të ardhshëm që në vija të përgjithshme më duket i mirë dhe i realizueshëm. Gjithashtu përpunova disa probleme të çështjeve ideologjike dhe ndërkombëtare të kohës, që mund të më shërbejnë për punimet e mëvonshme. Aty shikova edhe një herë më imtësisht librin “Imperializmi dhe revolucioni” dhe i dërgova shokut Ramiz një sërë vërejtjesh për ta rishikuar edhe ai, pse mendoj që ka ardhur koha të shtypet ky libër, s’ka pse ta mbajmë akoma nëpër duar. Këtë ne ia kemi dhënë Partisë që e ka lexuar dhe e ka aprovuar, kemi kërkuar edhe vërejtjet nga poshtë dhe na i ka bërë. Në përgjithësi nuk ka pasur vërejtje parimore as nga filozofët tanë. Edhe nga miqtë e jashtëm vërejtjet kanë qenë shumë konstruktive dhe më të shumtat të drejta në disa konstruksione frazash dhe korrigjime ose mospërsëritje idesh.
Shkuam po ashtu në një tendë të bukur që na kish pregatitur Suloja në vendin që quhet “Kalaja e Pogradecit”. Atje shkuam nga dy herë me Nexhmijen, me Valbonën, me Sokolin. Andej ne kemi parë si në pëllëmbë të dorës qytetin e bukur të Pogradecit, që është me të vërtetë një margaritar. Kemi bërë shumë ndërtime në këtë qytet dhe ndërtime të lezetshme. Është bërë mirë koordinimi i ndërtimit të pjesës së re me qytetin e vjetër. I vjetri është shtrirë në kodër, i riu është në fushë deri buzë liqenit.
Konstatuam se të gjitha shtëpitë e pushimit që janë hapur këtu janë plot e përplot dhe çdo katër-pesëmbëdhjetë ditë ndërrohen turnet, vijnë punonjës të rinj dhe pionierë, prandaj ka vazhdimisht plot cicërima në rrugë, në molo, në liqen dhe në plazhet e tij.
Koha gjatë gjithë qëndrimit tonë në Pogradec ka qenë kurdoherë e kthjelltë, pa re. Në mëngjes dhe bile në çdo periudhë të ditës, fryn një fllad i këndshëm, i cili të lejon të shëtitësh edhe në diell. Ky është këtu i ngrohtë, por flladi i erës e neutralizon ngrohtësinë tepër të diellit. Nga kjo anë unë mendoj se korriku dhe gushti janë periudha më e përshtatshme e vitit që njerëzit vijnë për të pushuar në Pogradec. Përveç punonjësve që vinë për të pushuar nëpër shtëpitë e pushimittë shtetit, të bashkimeve profesionale dhe të ushtrisë, në qytetin e Pogradecit jepen nga vendësit edhe dhoma me qera dhe bëjnë mirë, mendoj unë, pse përveç atyre që vijnë këtu të kalojnë në shtëpinë e pushimit, ka me qindra e mijëra veta të tjerë që vijnë pushojnë, duke zënë ndonjë dhomë me qera dhe rrinë aty pesëmbëdhjetë, njëzet ose në shumë ditë dhe kënaqen, marrin fuqi për punën që do të bëjnë në të ardhmen.
Pogradec-E shtunë 14 korrik 1979
U bënë 8 ditë që tok me Nexhmijen dhe me Sanon po pushojmë në qytetin e bukur të Pogradecit dhe në këtë vend klimaterik të mrekullueshëm. Shtëpia ku rrimë është ndërtuar në një vend të zgjedhur, në mes të një parku të gjelbëruar me lule, pisha, shelgje lotonjës dhe përpara saj shtrihet liqeni i bukur i këtij qyteti.
Çdo ditë shëtisim, veçanërisht në mëngjes para se të hamë bukë, si dhe para drekës e në mbrëmje. Shëtitja më e mirë është ajo e mëngjesit dhe e mbrëmjes, kur në rrugën e madhe të rrethuar nga të dyja anët me dru bliri, kundërmon era e luleve të tij. Në parkun përballë kanë bërë një besedkë të bukur me një shatërvan në mes, të ndërtuar me gurë të skalitur prej mjeshtërve korçare. Nganjëherë, pasdreke, rrimë atje me Nexhmijen e diskutojmë çështje të ndryshme politike e probleme të brendshme, gjë që për ne është një shlodhje, pavarësisht se diskutimet janë për probleme të rëndësishme. Diskutojmë me Nexhmijen sidomos në lidhje me librin që jemi duke përgatitur për eurokomunizmin, por edhe për vëllimin tjetër të librit “Shënime mbi Kinën”, të cilat duhet të përgatiten për botim.
Dje shkuam në Volarekë. Në fillim vajtëm te baseni i peshqve, një basen i madh që nxinte nga koranët, aq shumë kishte. Atje u takova e bisedova me një kooperativiste nga fshati afër, nga Tushemishti, i cili u bë i famshëm në filmin “Zonja nga qyteti” ku luajnë artistët e mëdhenj Violeta Manushi dhe Pandi Raidhi. Kjo kooperativistja më njohu dhe më përqafoi. E pyeta se si shkonin me punët e bujqësisë, si i kishin qepët sivjet, sepse ajo punonte në parcelat e mbjella me këtë kulturë dhe më tha se kishte prodhim të mirë, e se do të merrnin 250 kv për hektar. Edhe kulturat e tjera, - tha ajo,- i kemi të mira, edhe grurin, edhe misrin. Lopët po ashtu. Duhet të jeni të kujdesshëm në punë i thashë.
-Jemi, si s’jemi-m’u përgjigj, medoemos duhet të jemi.
Pavarësisht, se gruaja me të cilën bisedova ishte nja 45 vjeçe, dukej se e ka kuptuar mirë vijën e Partisë dhe i trajtonte problemet politikisht, mbasi më tha se kohët janë të atilla, shoku Enver, që ne duhet të punojmë sa më shumë, të prodhojmë sa më shumë dhe ta ruajmë Atdheun, ta ruajmë me pushkë, por të japim edhe prodhime, sepse njerëzit duan të hanë, prandaj ata që s’punojnë duhet t’i kritikojmë, atyre që na dëmtojnë duhet t’u tregojmë vendin.
-Hë, më të lumtë, - i thashë, - ti e ke kuptuar mirë vijën e partisë, vetëm kështu ndërtohet socializmi, ndryshe nuk ndërtohet. Duhet ta duash pronën e përbashkët socialiste dhe të marrësh sa më shumë prej tokës për të mirën e të gjithë popullit.
Vazhduam rrugën dhe u ulëm me Nexhmijen e me Sanon në vendin e zakonshëm buzë ujit. Unë bëra një shëtitje në parkun e Volorekut, u takova me një tok njerëzish që kanë ardhur për pushime. Rreth e rrotull kishte shumë fëmijë. Bisedova sidomos me një çift nga Kavaja që kishte dy fëmijë. I pyeta bashkëshortët si e kalonin kohën. M’u përgjigjën se ishin shumë të kënaqur nga çdo gjë, e sidomos nga klima e shëndetshme e Pogradecit, me kohë të kthjellët e të bukur, ku nuk është as nxehtë, as as ftohtë, por ka një freski të mrekullueshme. Vajtëm pastaj edhe në ato vende ku kemi pushuar me orë të tëra në vitet e kaluara bashkë me kalamajtë dhe na dukej sikur i kishim nëpër këmbë e duhej të kishim kujdes se mos afroheshin buzë ujit. Tash, kur të vijnë edhe ata e të shëtisin në Volorekë, do të jenë më të rritur dhe, natyrisht, nuk do të kemi atë qeder që kemi pasur dikur për ta.
Pyeta atje nëse kishte llokume me arra dhe më thanë se kurdoherë mbajnë të tilla. As unë, as Nexhmija nuk i hamë, por mendova për fëmijët.
Pasdreke prita në shtëpi sekretarin e parë të Komitetit të Partisë të rrethit të Pogradecit, shokun Stili Kaskaviqi, bashkë me kryetarin e komitetit Ekzekutiv shokun Spiro Bici. U dhashë nga një çaj dhe biseduam së bashku gjerë e gjatë për zbukurimin e qytetit, për organizimin më të mirë të punës për t’i kënaqur sa më shumë njerëzit që vijnë për të pushuar, duke siguruar një shërbim më të kulturuar nëpër restorantet hotelet e duke gjetur mënyra më efikase për dëfrimin e tyre. U rekomandova këtyre shokëve se është mirë të kenë çdo vit një plan shfaqjesh teatrale e muzikore, në mënyrë që njerëzit të pushojnë megjithë mend, të pushojnë jo vetëm në kuptimin që gjatë kohës që qëndrojnë këtu nuk punojnë, se ata kur duan shëtisin, bëjnë not në liqen, hanë mirë, sepse kuzhinat janë të përgatirura si duhet dhe çmimet janë të lira, por duhet që të çlodhen e të kënaqen edhe shpirtërisht. Të kënaqen me këngët tona të bukura popullore, me teatrot tona etj. Dhe unë e di se këtu ka punuar shkrimtari korçar Ruzhdi Pulaha për të shkruar disa nga pjesët e tij teatrale si “Zonja nga qyteti”, “Maro Mokra” etj., të cilat më pëlqejnë shumë.
Në mbrëmje, duke shëtitur me Nexhmijen, pamë se përpara shtëpisë së pushimit të bashkimeve profesionale, ishin mbledhurnjë numër i madh punonjësish që pushojnë bashkë me kalamajtë e tyre. Hajde të shkojmë atje, t’i përshëndesim e të shkëmbejmë ndonjë fjalë me ata, - i thashë Nexhmijes. Shkuam dhe biseduam. Të gjithë u gëzuan shumë, por edhe ne u gëzuam. Bëmë ca shaka e qeshëm, se natyrisht për punë nuk do të flisnim, pastaj u larguam. Edhe ata mbetën të kënaqur, edhe ne u kënaqëm. Mes tyre ishte edhe shoku e miku im i vjetër i Liceut të Korçës, Kuneshka, profesor i fizikës, një nga dijetarët më të shquar të vendit tonë. Ai më prezantoi gruan dhe vajzën e tij, e cila kishte mbaruar për frëngjisht në fakultetin e gjuhëve të huaja pranë universitetit. Besoj se e flet më mirë nga ne frëngjishten, i thashë unë Nershes, ë?
-Hë, qeshi ai, ajo duhet të hajë akoma disa furrë bukë që të flasë si ne.
-Dhe iu ktheva unë prapë, ka kohë, se ne kemi më tepër se gjysmë shekulli që po flasim dhe lexojmë në gjuhën frënge.
E pyeta Kuneshkën nëse e kishin parë në televizor emisionin mbi satelitin amerikan “Skajleb” që ra në Oqean, në Australi, por më tha se nuk kishte patur mundësi ta shikonte. I tregova se ishte një gjë shumë interesante, sidomos për ju fizikantët, që i kuptoni këto gjëra më mirë se ne, njerëzit e politikës.
Sot u shkrova nga një letër në Durrës të gjithë fëmijëve me radhë, të cilët i pres të më vijnë. Besoj se Valbona do të më vijë më përpara me Sokolin dhe me Liljanën, pastaj do të vijnë me radhë të gjithë të tjerët. Të hënën mund të më vijë Klemi me Pranverën sa për një ditë e një natë, se pastaj do të vijnë së toku me Dritanin e vogël e të dashur.
E mërkurë, 15 tetor 1980
Nesër kam ditëlindjen, mbush 72 vjeç. Kujtoj me dashuri të thellë plakun dhe anenë, prindërit e mi të dashur, që më lindën, më rritën dhe më edukuan, që u kujdesën që në vegjëlinë time të isha i ndershëm dhe i drejtë si ata, të doja njerëzit, siç i donin ata, t’i shërbeja popullit dhe atdheut me besnikëri. Ata më mësuan me sjelljet e tyre të përditshme të isha i thjeshtë, të mos isha kurrë fodull, pse “fodullëku është gjë e keqe, më thoshin, nuk ekziston në gjakun tonë.
Xhaxhai dhe aneja nuk ishin njerëz me kulturë, por që të dy u përpoqën që unë të mësohesha. Të varfër ishin, por nga goja e hoqën kafshatën e gojës që të më mësonin.
Gjithë jetën time unë jam përpjekur dhe kam luftuar të ec në këtë rrugë të nderit, në këtë rrugë të popullit dhe për popullin, të cilit ia kam kushtuar dhe do t’ia kushtoj gjithë jetën time, derisa të jem gjallë. Mirënjohja dhe besnikëria ime, derisa të rroj, do t’u kushtohet Partisë sime të dashur, Mëmës së madhe e kurdoherë të re, që më edukoi dhe më edukon, që më qartësoi dhe më qartëson mendjen, që më tregon çdo ditë rrugën e lavdishme nëpër të cilën duhet të ecim të gjithë, që më mësoi marksizëm-leninizmin dhe si ta zbatoj atë drejt për ndërtimin e socializmit dhe begatinë e popullit tonë.
Pogradec – E martë 7 korrik 1981
Sot mora letër nga shoku Ramiz. Çdo gjë ecën mirë brenda. Korrjet vazhdojnë, po kështu vazhdon edhe punimi i direktivave të 5-vjeçarit. Ai më dërgoi po ashtu një artikull të gazetës së kosovarëve “Liria”, një letër nga Bujar Hoxha dhe artikullin për marrëdhëniet ekonomike serbo-sovjektike. Do t’i studioj dhe do t’i përgjigjem, po të kem vërejtje.
Koha është e këndshme.
Ca erë në liqen, por “Skriveci” ka pushuar.
Pogradec- e premte 28 gusht 1981
Dita e fundit e pushimeve verore në qytetin e këndshëm buzë “liqenit” të bukur, siç e përshkruan këtë poeti Lasgush Pogradeci.
U interesova për Lasgushin pranë shokëve të Partisë dhe më thanë se është mirë me shëndet. Janë interesuar për të, rron në një shtëpi komode të tij, tok me çupën. Shokët më thanë se kanë dëgjuar që ka bërë një vjershë për Kosovën. U gëzova.
Lasgushin e kam njohur që para lufte, kur isha profesor në gjimnazin e Tiranës. Më kish ftuar dy herë në dhomën e tij të thjeshtë e pa zjarr dhe me një velenxë në krahë më kish lexuar disa nga vjershat e tij të bukura të asaj kohe, Më kujtohet se krijimet e tij i përpunonte në mënyrë metikuloze. Ishte ca pesimist në jetë, por jo në vjershat e tij. Ai ishte i dëshpëruar nga regjimi i Zogut, prandaj preferonte të rronte i vetmuar. Dikur dilte dhe bashkohej me ne. Mbante një borsalinë të vjetër dhe një pardesy të palosur. Ishte edhe shëndetlig poeti ynë i mirënjohur. Këto kujtime të mia ua tregova edhe shokëve udhëheqës të Pogradecit, duke iu lutur atyre që të mos e zvogëlojnë interesimin për të, për shkrimtarët dhe poetët e rinj të rrethit, t’i japin të falat e mia Lasgushit dhe t’i thonë që unë ruaj kujtimet më të mira për të.
Tefta Tashkoja më pat thënë se kishte respekt për Lasgushin dhe ajo ka kënduar me atë zë të mrekullueshëm këngë të harmonizuara me vjershat e tij.