‘Enver Hoxha’ i Fevziut, bum shitjesh edhe në TEG
Libri i gazetarit të njohur vazhdon të thyejë rekordet e veta; qindra kopje të shitura në ditën e parë të hapjes së qendrës së re tregtare “Tirana East Gate”. Në këto ambiente, industrialisti Samir Mane premton hapjen e një Bookstore prej 800 m2, ku jo vetëm do shiten libra, por edhe do mbahen veprimtari kulturore.
Dita e parë e hapjes së portave të qendrës tregtare TEG në lindje të kryeqytetit, ashtu siç edhe ishte parathënë e parë, dukej sikur kishte rrëmbyer të gjithë qytetarët e Tiranës e përreth, me radhët e gjata të automjeteve që ngjasonin me një lloj pelegrinazhi të çuditshëm drejt një ‘shenjtoreje’ psonisjeje, e që i kishte mbledhur të gjitha; veshje, artikuj ushqimorë, elektro-shtëpiake, e shumë e shumë të tjera funksionesh.
I pranishëm si ndrysheherë në ndërtesa simotra tregtare, ishte edhe libri.
UET Press dhe “Mapo Editions” kishte ngritur në një kënd stendën e botimeve, ku mbretër ishin “Enver Hoxha” dhe “Shqipëria”.
Një turmë psikedelike njerëzish, të cilët kishin mësymur çdo centimetër katror të godinës gjigante, veç vitrinave plot ngjyra e drita, manekinëve të pispillosur me koleksionet e fundit të modës, i ndalnin sytë tek kopertina po aq pompoze e librit mbi të vërtetat e pathëna të diktatorit më të madh që ka njohur historia shqiptare. Më pas, tundimit të të parit nuk i rrinte pas as ngasja e të blerit.
Gjithçka të sillte ndërmend turmat e pabesueshme të Panairit. Libri më i përfolur i vitit tërhoqi rreth vetes plot admirues, kureshtarë, dashamirës të leximit.
“Pashë Fevziun që ishte këtu dhe erdha me vrap të ble librin. E kam shumë me qejf”, - tha një zonjë, e cila pasi kishte pikasur mes turmës së njerëzve gazetarin Blendi Fevziu, nxitoi të merrte kopjen e saj të autografuar.
Autori, pasi dëgjoi se lexuesit e shumtë që blinin librin do të kishin dashur edhe një autograf prej tij, u gjend në stendë, duke u kushtuar lexuesve jo vetëm autografe, por edhe një pjesë të mirë të ditës. Vetëm gjatë paradites shitjet e kishin kaluar numërimin mbi qindëshet.
“Nuk pata mundësi ta ble gjatë panairit, sepse nuk isha në Shqipëri, por sa mirë që libri qenka edhe këtu”, u shpreh një zotëri, i cili bleu dy kopje të tij.
Larmishmëria e atyre që ndaleshin për të blerë librin ishte po aqngjyrëshe sa edhe vetë atmosfera.
Të rinj, që kishin dalë grupe-grupe për të parë qendrën tregtare e argëtuese, pasi shkrepnin foto pranë billboardit të Fevziut, nuk hezitonin asnjë grimë për të bërë atë investimin e vockël, por të zgjuar, për një libër si “Enver Hoxha”.
“Blije një libër ‘Enver Hoxha’, të keqen babi. Blije, se të duhet ta lexosh”, - i drejtohej vajzës së tij një baba, i cili qeskave të shopping-ut mbushur me pajisje shtëpiake, u shtoi edhe libra.
“Pas 20 mijë kopjeve të shitura, bumi i biografisë “Enver Hoxha” është ende i madh. Shtypshkronjat vijojnë të shtypin kopje, të cilat shiten menjëherë”, - tregon botuesi Henri Çili, i cili gjendej në stendën e ngritur në TEG.
Në stendën e “UET Press” e “Mapo Editions” u ndal edhe Samir Mane, i cili pasi këmbeu një bisedë miqësore me Blendi Fevziun, ky i fundit - i cili gjendej ‘në krye të detyrës’ duke firmosur autografe - i dhuroi një kopje libri.
TEG, një Superstore për librin
Panairi i madh i psonisjes dukej se kishte ruajtur një vend edhe për një panair të vogël të librit me dy shtëpitë botuese “UET Press” dhe “Mapo Editions”. Por pronari i TEG, Samir Mane premton se nuk do të mbetet kaq i vogël, i përfaqësuar rastësisht me një stendë.
Suksesi i merituar dhe i dhënë hak librit, ku ‘UET Press’ ishte pionier në ide dhe dëshmoi një sjellje konsumatore të një lloji të ri në Shqipëri, duke e shndërruar blerësin edhe në lexues, do të sjellë në mjediset e qendrës tregtare një hapësirë të madhe për librin.
Së shpejti do të krijohet një “Bookstore”, që më shumë se një dyqan libri, më shumë se një librari, do të jetë një shtëpi e vërtetë, ku do të gjejnë strehë shumë tituj e shtëpi botuese, ku do të promovohen shumë tituj të rinj, do të organizohen aktivitete me natyrë letrare e kulturore, me synimin për ta shndërruar këtë qendër jo vetëm tregtare e argëtuese, jo thjesht konsumi, por edhe në një qendër të vërtetë kulturore, duke transferuar një copëz metropoli në periferinë lindore të kryeqytetit.