Pëson arrest kardiak, Leka Zogu në gjendje kritike
Pretendenti për fronin mbretëror në Shqipëri, Leka Zogu I ndodhet ende në gjendje kritike shëndetësore. Shëndeti i tij është përkeqësuar mesnatën e së premtes, pasi pësoi një arrest kardiak. Megjithëse situata e tij shëndetësore gjatë ditëve të qëndrimit në spital kishte një qëndrueshmëri relative, ndalimi i papritur i zemrës, i njohur ndryshe si arrest kardiak, i ka risjellë Leka Zogut I probleme të rënda, për të cilat ai po vazhdon të jetë në trajtim. Oborri Mbretëror bëri të ditur paraditen e djeshme se, me gjithë përmirësimin e ndjeshëm, Leka Zogu I ka ende probleme. Familja Mbretërore thekson se gjatë kësaj kohe të shtrimit të tij në spital, Leka Zogu I ka komunikuar vazhdimisht me djalin e tij, Princi Leka. “Gjendja e mbretit Leka I është disi më e stabilizuar. Ka një frymëmarrje të asistuar dhe është i vetëdijshëm e ka komunikuar me Princin Leka II . Megjithatë, gjendja shëndetësore e tij vazhdon të mbetet kritike”, - deklaroi përfaqësuesi i Oborrit Mbretëror, Sulejman Gjonaj. Nga ana tjetër, Oborri ka vlerësuar punën profesionale që mjekët kanë bërë në kurimin e Leka Zogut I. Prej datës 17 nëntor, Leka Zogu ndodhet i shtruar në reanimacionin e Spitalit nr.5 në (QSUT). Mësohet se 73-vjeçari vuan prej kohësh nga vështirësi në rrugët e frymëmarrjes dhe nga anoreksia e theksuar. Pas shtrimit në spital, doktori që po ndjek nga afër trajtimin e tij mjekësor, Mentor Petrela, bëri të ditur sëmundjen e Leka Zogut I, që është vuajtje multisistemike, ku mbizotëron vuajtja e zemrës dhe e mushkërive. Leka Zogu I u shtrua në reanimacionin e Spitalit nr.5 në Tiranë, pasi kaloi një fibrilacion atrial.