E Shtunë, 31 Tetor 2026

Enver Hoxha përkujtohet sërish në Ferizaj

Organizatori, akuza Berishës dhe Kadaresë: "Degraduan figurën e Enver Hoxhës"


Ka vite që datëvdekjet apo ditëlindjet e Enver Hoxhës shënohen në mënyrë të vçantë në Ferizaj. Në fillim këto shënime mbaheshin larg syve të opinionit, por në vitet e fundit ato mbahen me manifestime publike.


25 vjetori i vdekjes së diktatorit komunist, që udhëhoqi për katër dekada Shqipërinë socialiste, u shënua në Ferizaj të shtunën nëpërmjet një marshi përkujtimor i organizuar në hotelin " Bolero".


Derisa vite të mëparshme këto lloj organizimesh i bënin qarqe të lidhura me LPK-në, por organizimin e së shtunës e kishte bërë "Fronti për mbrojtje dhe kultivimin e rrugës revolucionare të shokut Enver Hoxha".


Në sallën e dekoruar me foto të Hoxhës (që të pranishmit e quajnë "Xhaxhi Legjendar") binte në sy flamuri kombëtar dhe rreshtimi i disa djemve të rinj të veshur me fanela me portretin e Hoxhës në gjoks.


Të tubuarit dëgjuan me vëmendje fjalën e Remzi Hasanit, i cili si zakonisht foli për meritat historike të liderit Hoxha. Në fjalën e tij të stërmbushur me epitete për figurën e Hoxhës, Hasani kishte potencuar se "sa më shumë që largohemi nga epoka e Enverit, ajo aq më madhështore bëhet".


U përmend edhe kontributi i Hoxhës për çështjen e Kosovës. "Në vitin 1980 me urdhërin e Enverit u bë stërvitja ushtarake "Shibeniku -80", ku morën pjesë 560 mijë trupa me qëllim të verifikohej gatishmëria e forcave ushtarake shqiptare për zbatimin e planit tepër sekret ushtarak "Shperthimi" që kishte për synim t'i niste 220 mijë trupa më mision- çlirimin e Kosovës, pjesës perëndimore të Maqedonisë dhe hapësirat shqiptare në Mal të Zi", - theksoi Hasani.


Fjalimi u përmbyll me akuza ndaj kryeministrit aktual shqiptar Berisha si dhe ndaj shkrimtarit shqiptar Kadare, të portretizuar që të dy, sipas folësit, "si fajtorët kryesor për degradimin e figurës së Hoxhës".


"Sot, fatkeqësisht, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë dhe gjithandej ku jetojnë shqiptarët, të huajt sillen si zot shtëpie, kurse vendorët si ardhacak. Kjo ndodh pasi që në vitet e nëntëdhjeta filloi epoka e errët e përmbytjes shqiptare, e shkatërrimit të të gjithë asaj që populli e kishte ndërtuar për 40 vjet së bashku me komandantin legjendar Enver Hoxha", tha Hasani,
Nga ky grup i njejtë vite më parë ishte nisur edhe nisma që një sheshi të Ferizajt t'i vihej emri i Enver Hoxhës, por kjo gjë u kundërshtua nga Kuvendi komunal i Ferizajt.


Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›