E Shtunë, 31 Tetor 2026

Enver Hoxha:Bedri Spahiu, fashist dhe bektashi

 

Kujtimet e Panajot Plakut hedhin dritë mbi të tjera ngjarje që kanë bërë bujë gjatë viteve të diktaturës. Pas dënimit të Tuk Jakovës dhe Bedri Spahiut, një tjetër ngjarje është Konferenca e Tiranës në vitin 1956, që shënoi një revoltë nga ana e komunistëve të Tiranës. Të gjitha këto e shumë të tjera tregohen nga ish-ministri i Enver Hoxhës, Panajot Plaku në librin e tij me kujtime “Vite që rrëzohen – Dhuna ndaj revolucionit shqiptar”, botuar nga shtëpia botuese “55”

Panajot Plaku

Dyfytyrësia
e Enver Hoxhës
Mirëpo, Pleniumi i ri mbajti mbledhje jo më parë se pas gjashtë muajve, megjithëse ekzistonte obligimi që ai të mbahej më së largu brenda afatit prej tre muajve. Referatin në këtë Plenium e paraqiti në emër të Byrosë Politike, vetë Enver Hoxha. Gjatë plot një ore, e madje edhe pak më shumë, ai e sulmoi Tuk Jakovën me fjalët më të rënda, duke thënë se gjithherë ka pasur orientime të djathta dhe ka qenë oportunist. Mirëpo, theksoi Enver Hoxha, paraqitja e fundit e Tuk Jakovës kufizohet me tradhtinë. Sepse, Tuk Jakova kërkon, jo vetëm revidimin e historisë, por edhe revidimin e politikës, e madje edhe të tërë udhëheqjes së partisë. Megjithëse Tuk Jakova ka hequr dorë deklarativisht prej qëndrimeve të veta, Byroja Politike nuk është e bindur se ai ka ndryshuar, dhe, për këtë arsye, mendon se ai nuk ka vend në një organ aq të lartë, sepse është Komiteti Qendror. Mirëpo, kur merren parasysh meritat e tij, Byroja Politike propozon që Tuk Jakova të përjashtohet nga KQ, por të mbetet anëtar i partisë, me kusht që të mendojë mirë për çdo gjë, dhe të përpiqet të përmirësohet. Me kaq i dha fund fjalës së vet Enver Hoxha. Mirëpo, vetëm gjashtë vjet më parë, në Kongres të njësimit të rinisë së Shqipërisë në Shkodër, më 16 shtator 1949, Enver Hoxha për Tukun tha: “Edhe këta heronj i ka lindur populli i varfër, i ka edukuar dhe i ka lindur Partia Komuniste heroike, i ka organizuar dhe i ka frymëzuar për këto heroizma me shembullin e vet organizatori i Luftës Nacionalçlirimtare në rajonin e Shkodrës, heroi i popullit, Tuk Jakova, bir i dashur i popullit të Shkodrës dhe të mbarë Shqipërisë, një nga organizatorët dhe prijësit më të spikatur të Partisë Komuniste, një nga prijësit më të urtë të shtetit tonë. Në beteja të përgjakshme, punëtori Tuk Jakova e organizoi partinë në këto vise, organizoi çeta guerilje, organizoi sabotime, atentate. Atë shpesh e rrethonin fashistët dhe tradhtarët; ai luftonte si luan në rrethimet e armikut dhe i shpërthente, e ngrinte lart ndjenjën e patriotizmit të popullit të Shkodrës dhe të rrethinës; i kreu të gjitha detyrat që i parashtroi partia në rrethana tejet të vështira”.
Diçka e ngjashme i ndodhi edhe Bedri Spahiut. Enver Hoxha tha për të në Plenium se është bektashi i dikurshëm (pjesëtar i një sekti mysliman), e madje edhe se është, fashist! Sipas fjalëve të Enverit, Byroja Politike e kishte të qartë pse ka pasur Bedri Spahiu edhe më parë qëndrim oportunist, dhe përse ka qenë kundër dënimit të Koçi Xoxes me vdekje. Renditeshin njëra pas tjetrës akuzat kundër Bedri Spahiut dhe në fund, u propozua që ai të përjashtohet nga partia. Mirëpo, pak kohë më parë, vetë Enver Hoxha fliste me një gjuhë e ton krejt tjetër për personalitetin dhe për meritat e Bedri Spahiut. Në biografinë e tij, të cilën e lexoi vetë Enver Hoxha në Kongresin e parë të PKSH, shkruante sa vijon: “Bedri Spahiu e filloi punën e vet revolucionare qysh në rini të hershme, si aspirant në ushtrinë shqiptare të paraluftës. Në atë kohë e formoi grupin komunist të oficerëve dhe e udhëhoqi një kohë bukur të gjatë. Pas kryengritjes në Fier, në vitin 1937, ky grup u zbulua, e anëtarët e tij u arrestuan. Pasi doli nga burgu, Bedri Spahiu, shkoi në Gjirokastër, ku i shkoi për dore ta formojë grupin e parë komunist. Që nga formimi i partisë në vitin 1941, Bedri Spahiu organizoi celula të partisë në këtë rreth. Me këtë punë ai bëri që qarku i Gjirokastrës të bëhet vatër e lëvizjes Nacionalçlirimtare dhe bijtë e popullit të këtij qarku t’i plotësojnë radhët e brigadave të LNÇ. Për aftësitë e tij komuniste dhe për meritat e tij, në Konferencën e Parë Nacionale, në vitin 1943, u zgjodh anëtar i Shtabit të Përgjithshëm Qendror. Po atë vit u zgjodh anëtar i Shtabit të Përgjithshëm dhe anëtar i Këshillit të Përgjithshëm Antifashist të Çlirimit Kombëtar. Bedri Spahiu ishte komisar i Shtabit të Zonës së Parë (Vlorë-Gjirokastër) dhe, në Kongres në Përmet, u zgjodh anëtar i Këshillit të Përgjithshëm Antifashist të Çlirimit Kombëtar, si dhe anëtar i qeverisë demokratike të përkohshme. Në Pleniumin e Beratit, Bedri Spahiu u bë anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror dhe u avancua në gradë të gjeneralmajorit”. Me atë rast, Enver Hoxha theksoi posaçërisht se Bedri Spahiu, si prokuror supreme, “I ka kryer detyrat e veta në lartësi të duhur”. Me zë dramatik përfundoi: “Ai ka mbetur përherë besnik ndaj partisë së vet, ndaj sekretarit të përgjithshëm, Enver Hoxha, ndaj Partisë Bolshevike, Bashkimit Sovjetik dhe Stalinit të madh. Kongresi i parë i PKSH e zgjodhi Bedri Spahiun sekretar të Komitetit Qendror dhe anëtar të Byrosë Politike. Shoku Bedri Spahiu është një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Sekretarit të Përgjithshëm, shokut Enver Hoxha, dhe sot ai është duke punuar pa u lodhur për konsolidimin e partisë sonë”. Dy udhëheqës, që deri para një kohe të shkurtër ngriheshin në lartësitë më të mëdha, tash ishin në bankë të të akuzuarve. Pas referatit të Enver Hoxhës, i cili nuk ndillte asgjë të mirë, së pari foli Tuk Jakova. Ai tha se pajtohet me propozimin e Byrosë Politike, por se në pleniumin e mëparshëm ka folur pa kurrfarë qëllimi të keq dhe se i ka parë gabimet e veta. Mirëpo Bedri Spahiu nuk u pajtua me vlerësimet në referat. Deklaroi se kurrë nuk ka qenë fashist, se prej ditëve të rinisë së vet ka qenë demokrat, dhe se gjatë kohës së mbretit Zog ka qenë në të gjitha burgjet e Shqipërisë, se ka marrë pjesë aktive në të gjitha lëvizjet përparimtare në Shqipërinë e vjetër, se i ka përvetësuar dhe ka propaganduar për idetë komuniste, në kohën kur nuk ka ekzistuar në Gjirokastër asnjë grup komunist. Shtoi se i vjen shumë keq pse e quan bektashi dhe fashist: “Ai, i cili e ka mësuar prej Bedriut a-bë-cë-në e komunizmit!”
Me lot në sy, Bedri Spahiu vërejti se kishte kaluar ajo kohë, kur ai zhvillonte luftë të ashpër kundër të gjithë reaksionarëve, kur e mbronte Partinë dhe vijën e saj duke mos i përfillur interesat e veta personale, e madje as kokën e vet. “Tani nuk është më kohë revolucionare, vazhdoi ai, tash e kam vështirë të dëshmoj se sa e dua Partinë dhe sa i jam përkushtuar asaj. Tani nuk ka luftë që, duke e flijuar jetën time, të mund të tregoj se sa e dua Partinë”. Duke i ngritur të dy duart, Bedri Spahiu iu lut anëtarëve të Komitetit Qendror që të mos e përjashtojnë nga radhët e anëtarëve të partisë, që për të, si theksoi ai, do të ishte shumë më e rëndë se sa t’i merrnin jetën kundërshtarët e Partisë. Propozimi i Byrosë Politike për dënimin e tyre u aprovua me një votë kundër dhe me një abstenim. Kundër votoi Bedri Spahiu dhe abstenoi Tuk Jakova. Menjëherë pas marrjes së vendimit, të dy u larguan nga salla. Në të dalë, Bedri Spahiu u arrestua, e Tuk Jakova më vonë mbeti në burg shtëpiak. Në lidhje me rastin e tyre, në këtë plenium u miratua një rezolutë e cila, për nga përmbajta, ishte e ngjashme me referatin. Pasi u bënë disa vërejtje gjuhësore, Byrosë Politike iu caktua për detyrë të bëjë redaktimin përfundimtar të tekstit të rezolutës. Më vonë, kjo rezolutë iu dërgua të gjitha organizatave të partisë, por përmbajtja e saj ishte ndryshuar mjaft. Në versionin e ri, akuzat ishin shumë e shumë më të rënda se në tekstin e parë, kështu që të gjitha organizatat propozuan që të përjashtohen nga Partia edhe Tuk Jakova, edhe Bedri Spahiu. Natyrisht u përjashtuan njëkohësisht nga Partia edhe bashkëshortet e tyre, megjithëse të dyja ishin partizane dhe komuniste të vjetra. Tuka Jakova dhe Bedri Spahiu u shkarkuan edhe prej të gjitha funksioneve shtetërore. Tuk Jakova u çua të punojë më vonë në Berat, si shef i repartit të një punëtorie të zdrukthëtarisë, kurse Bedri Spahiu, i cili u lirua nga burgu dhjetë ditë pas Pleniumit, u dërgua në Elbasan, ku punoi si sekretar teknik në një ndërmarrje. Pas një kohe të shkurtër, të dy u arrestuan. Qëndruan në burg disa vite. Atëherë u botua se Tuk Jakova ishte nxjerrë në gjyq dhe ishte dënuar me 10 vjet burg. Në kohë mjaft të gjatë pas kësaj, kur bashkëshortja e tij, në një rast, i solli në burg të Krujës një paketë me gjëra ushqimore, paketën e saj nuk e pranuan, që ishte një shenjë se Tuk Jakova nuk ishte më ndër të gjallët. Bedri Spahiu ende gjendej në burg, madje pa kurrfarë vendimi gjyqësor.
Konferenca
e Tiranës
Në mars 1956, pas Kongresit XX të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, u mbajt Konferenca partiake e Tiranës, në të cilën duheshin zgjedhur delegatët për Kongresin e Tretë të PPSH-së. Konferenca filloi sipas procedurës së zakonshme. Referatin kryesor e paraqiti sekretarja e parë e atëhershme e Komitetit të Partisë të Tiranës, Fiqrete Shehu. Si përfaqësues i KQ, në Konferencë mori pjesë anëtari i Byrosë Politike, nënkryetari i parë i qeverisë dhe Ministër i Mbrojtjes Popullore, Beqir Balluku. Në referat nuk kishte asgjë posaçërisht interesante e as nuk u fol për çfarëdo çështjeje delikate, e cila do të mund të sillte diskutime të ashpra. Mirëpo, pas referatit, kur e mori fjalën Fadil Paçrami, anëtar i KQ, i cili u dha përkrahje të plotë qëndrimeve të referatit, në sallë jehuan protesta masive. Kjo ishte shenjë se delegatët nuk donin, as nuk mundnin të dëgjonin më diskutime të tilla apologjete. Menjëherë pas Fadil Paçramit, fjala e të cilit, në të vërtetë ishte ndërprerë, kërkoi fjalë zëvendësministri i Industrisë, Pajo Islami. Ky ishte anëtar i partisë prej vitit 1942. Kishte marrë pjesë në Lëvizjen Nacionalçlirimtare prej formimit të saj. Ishte një nga luftëtarët më të vendosur për likuidimin e fraksionit në organizatën e Partisë në Vlorë në vitin 1943. Gjatë luftës ishte komisar i çetës, pastaj i batalionit, e më vonë zëvendës komisar i brigadës. Pas luftës ishte në detyra të ndryshme me përgjegjësi. Delegatët e dëgjuan me vëmendje diskutimin e Pajo Islamit. Ai foli për sulmet brutale të udhëheqjes së Shqipërisë kundër Partisë Komuniste të Jugosllavisë dhe kundër udhëheqjes së saj. Pastaj i përkujtoi marrëdhëniet jashtëzakonisht të përzemërta e vëllazërore, që ekzistonin midis dy vendeve dhe partive para Rezolutës së Informbyrosë. Me gabim të udhëheqjes së tashme, tha Pajo Islami, marrëdhëniet e bazuara në gjakun e bijve më të mirë të Shqipërisë dhe të Jugosllavisë, tash nuk janë madje as në nivel të tolerimit. E përmendi likuidimin e paarsyeshëm të tërë udhëheqjes se revolucionit popullor të Shqipërisë dhe shprehu mendim se këta njerëz duhet të rehabilitohen. Ai foli edhe për të metat dhe gabimet e mëdha në punën e Ministrisë së Industrisë dhe për marrëdhëniet e këqija ndërmjet komunistëve në ministri. Pajo Islamin u orvat disa herë ta ndërpresë Sekretarja e Komitetit të Tiranës Fiqrete Shehu dhe përfaqësuesi i KQ Beqir Balluku, me motivacionin se është duke fyer udhëheqjen dhe se sulmet e tilla nuk janë luajale. Të gjithë delegatët u ngritën unanimisht kundër këtyre intervenimeve, kështu që udhëheqja e Konferencës u detyrua të heshtë. Pastaj e mori fjalën koloneli i atëhershëm i Armatës së Shqipërisë dhe kryeshefi i shërbimit të prapavijës me Ministrinë e Mbrojtjes, Iljaz Ahmeti. Ai ishte pjesëmarrës i LANÇ-it prej fillimit. Anëtar i Partisë ishte bërë në vitin 1942 dhe ishte një nga udhëheqja ushtarake në rrethin e Gjirokastrës prej fillimit të LANÇ-it. “Në tubimet e këtilla të Partisë, tha ai, sidomos pas Kongresit XX të PK të Bashkimit Sovjetik, është e domosdoshme të analizohet në mënyrë të hapur Puna e Partisë sonë, të flitet me të vërtetë për gabimet, me qëllim që të mos përsëriten më. Ja, për shembull, një gabim. Unë kam bërë llogari precize se një anëtar i KQ i kushton popullit së paku 1 milion lekë në vit. Këtu po e abstraktoj përdorimin e automobilave, ushqimin që edhe për nga kualiteti, edhe për nga çmimet është privilegj i shkallës më të lartë, furnizimin special me tekstil dhe me të gjitha gjërat e tjera të nevojshme me kushte jashtëzakonisht të volitshme. Gjithashtu, nuk kam llogaritur se anëtarët e KQ nuk paguajnë qira për vilat e veta si në Tiranë, ashtu as në Durrës. Po theksoj posaçërisht se anëtarët e KQ jetojnë në Durrës më se gjashtë muaj në vit dhe shkojnë për çdo ditë në Tiranë me automobila të shtetit.
Të gjitha këtyre duhet t’u shtohet fakti se ekzistojnë edhe një varg privilegjesh të tjera krejt të paarsyeshme edhe në Tiranë, edhe në Durrës. A është kjo me vend kur merret parasysh fakti se një punëtor i kualifikuar nuk ka më shumë se 60 mijë lekë në vit. A nuk është ky një lloj izolimi i udhëheqjes së partisë nga masat e popullit? A mund t’i ndiejë ai anëtar i KQ problemet dhe nevojat e punonjësve dhe të jetë me ta në të njëjtën bazë? Por, jo vetëm kaq. Ne, në Armatë, deri tash nuk kemi mundur të thuash, as të hapim gojën para eprorëve tanë. Do të vë në dukje një shembull. Çfarë gabimi ka bërë Hamid Keçi, anëtar i partisë para Beqir Ballukut, i cili, sikurse edhe tërë familja e tij, ka dhënë çdo gjë për revolucionin tonë, të shkojë në burg, ku gjendet dhe tash? Unë mund të vë në dukje shumë gjëra të tilla. Por, secili prej jush i di dhe nuk dëshiroj t’ju humbas kohë. Në qoftë se duam të kemi parti të shëndoshë dhe t’i ndreqim gabimet e vjetra, mendoj se duhet të punoj në këtë drejtim jo vetëm kjo konferencë, por edhe Kongresi i ardhshëm”. Pas Iljaz Ahmetit kërkoi fjalën Shyqëri Këllezi, drejtor i Kombinatit të tekstilit “Stalin” në Tiranë. Edhe ai vuri në dukje një varg gabimesh në punën e Partisë, pozitën e privilegjuar të anëtarëve të KQ, likuidimin e bërthamës proletare të revolucionit popullor e të tjera. Delegatët e Konferencës e përshëndetën fundin e fjalës së tij si dhe diskutime të tjera, në aklamacione spontane, atmosfera ishte e atillë saqë udhëheqja e Konferencës aspak nuk dinte se si të sillej. Tërë tubimi ishte në këmbë dhe u duartrokiste me entuziazëm këtyre komunistëve guximtarë, të cilët flitnin të vërtetën për partinë e tyre. Pasdite, megjithëse ndërtesa ku mbahej Konferenca ishte e rrethuar nga disa kordonë policësh, diskutimet vazhduan në të njëjtën frymë. Kështu ishte edhe ditën e dytë dhe të tretë të mbledhjes së Konferencës, ndonëse ishin ftuar me ngut që të vinin në Konferencë, Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu. Dy ditët e para të Konferencës së Tiranës ishin, në të vërtetë, manifestim i protestës masive kundër politikës së udhëheqjes së partisë. Është karakteristike, për shembull, se gjatë këtyre dy ditëve, anëtarët e KQ, Kiço Ngjela, ministër i Tregtisë dhe Abdyl Këllezi, zëvendëskryetar i qeverisë, deshën të flasin. Por, as i pari, as i dyti nuk mundën ta marrin fjalën, sepse delegatët nuk dëshironin justifikim të gabimeve evidente. Ditën e tretë, pasi u ftuan me ngut, morën pjesë në mbledhje Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu. I pari e mori fjalën Enver Hoxha, me qëllim që ta qetësonte pakënaqësinë dhe rezistencën e delegatëve. Duke i kritikuar diskutimet e disa delegatëve, ai apeloi për një qasje më “konstruktive” ndaj problemeve të ndryshme dhe kërkoi që, në analizimin e dobësive, të mos flitet me një ashpërsi aq të madhe. Apeloi për pjekuri të organizatës partiake të Tiranës dhe për traditat e saj, duke theksuar se diskutimet gjatë dy ditëve të mëparshme nuk ishin në nivel të prestigjit, të cilin e gëzon ajo. Po atë ditë përsëri foli koloneli Iljaz Ahmeti. Në praninë e Enver Hoxhës i argumentoi qëndrimet e veta dhe i sulmoi ashpër përfaqësuesit e KQ, Niko Ngjelën dhe Abdyl Këllezin, të cilët u orvatën ditën e parë të Konferencës ta pengojnë manifestimin e revoltit të komunistëve të Tiranës. Iljaz Ahmeti i demaskoi energjekisht përfaqësuesit e KQ dhe i ilustroi të gjitha ato gjëra, që i kishte thënë ditën e parë. Derisa ishte duke folur, Enver Hoxha e ndërpreu disa herë, kështu që në fund folësi iu lut sekretarit të parë të Partisë që të mos e ndërpresë më, sepse është duke folur pikërisht për faktin që nuk ka barazi në parti. Përndryshe, tha Iljazi, kur foli Enver Hoxha, tha shumë gjëra me të cilat unë nuk pajtohem, por nuk ia ndërpreva fjalën. Pas kësaj, kolonel Iljaz Ahmeti pati mundësi t’i shprehë deri në fund pikëpamjet e veta. Pas tij e mori përsëri fjalën Enver Hoxha dhe tha se udhëheqja e PPSH, pas Kongresit XX të PK të Bashkimit Sovjetik, ka kuptuar disa gabime të veta dhe se këto gabime duhet të studiohen me qëllim që të mos përsëriten. Përsëri kërkoi prej komunistëve të pranishëm që të mos shkojnë në ekstremitet dhe të mos u qasen problemeve të ndryshme në mënyrë kaq të ashpër. Megjithëkëtë, debati zgjati edhe katër ditë. Tërë puna e Konferencës partiake të Tiranës kaloi në një atmosferë jashtëzakonisht të acaruar, ndonëse ishin ndërmarrë masa të jashtëzakonshme të sigurimit.
vijon nesër...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›