E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krimet e Rënda, 500 përgjime brenda vitit 2008

 

TIRANE – Telefonat e 500 personave janë vënë nën përgjim me vendime të Gjykatës së Krimeve të Rënda gjatë vitit 2008. Një numër i tillë telekomunikimesh është interceptuar në kuadër të luftës kundër krimit, edhe pse ndonjëri prej të përgjuarve duket se ka qenë person që gëzon imunitet. Shifra e vendimeve të kësaj natyre është bërë me dije nga kreu i Gjykatës së Krimeve të Rënda. Më pas apelimi për kujdes dhe transparencë ndaj kësaj çështje është bërë nga nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, i pranishëm në analizën e gjykatës. I ftuar në analizat vjetore të Gjykatës së Shkallës së Parë dhe asaj të Apelit për Krimet e Rënda, numri dy i KLD-së u kërkoi gjyqtarëve që në këto seanca të respektohen rigorozisht të gjitha kërkesat e parashikuara nga Kodi i Procedurës Penale. Kjo, pasi sipas Spahiut, “në analiza të tjera kemi konstatuar problematika të cilat shpeshherë mund të cenojnë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut”. Në analizën e Gjykatës së Apelit, Spahiu theksoi mungesën e transparencës për seancat gjyqësore për leje përgjimesh. Sipas nënkryetarit të KLD-së, Spahiu, pranimi i tyre bëhet vetëm me anën e numrit, pa e identifikuar personin që e mban. “Nuk e di nëse vijnë të gjitha në Apel, nuk jam i bindur. Unë sot dëgjova në analizën e Shkallës së Parë për 500 kërkesa për përgjime të pranuara. Nuk mund të lejohet përgjimi i një numri të paidentifikuar, pasi ai mund të jetë person me imunitet”, është shprehur Spahiu përpara gjyqtarëve të Apelit.
ANALIZA
Togat e zeza të Apelit për Krimet e Rënda kanë përfunduar 194 çështje për vitin 2008. Sipas analizës së mbajtur dje, mësohet se 6 prej tyre kanë qenë me të pandehur të dënuar nga Shkalla e Parë me burgim të përjetshëm. Katër prej këtyre vendimeve janë lënë në fuqi, një është prishur dhe kthyer për rigjykim, ndërsa për një tjetër është ndryshuar masa e dënimit. Pasi janë paraqitur arritjet dhe puna e bërë nga ky institucion, nuk kanë munguar debatet mes gjyqtarëve dhe nënkryetarit të KLD-së, Spahiu. Togat e zeza të Apelit shfaqën pakënaqësi përpara nënkryetarit të KLD-së, për mënyrën e përzgjedhjes së tyre me short elektronik dhe për mungesën e transparencës në këtë mënyrë shorti. Gjyqtari Sokol Binaj tha se, “shorti elektronik është një mënyrë për të manipuluar”, duke vijuar se udhëzimi i mbërritur nga ana e KLD-së për përdorimin e shortit nuk përcakton në mënyrë të detajuar se si duhet të bëhet ky short. Ndryshe nga analiza në Gjykatën e Apelit, analiza në Shkallën e Parë për Krime të Rënda nuk ka pasur debat apo diskutime. Para panelit të përbërë nga ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, nënkryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu, Avokatit të Popullit, Ermir Dobjani, kreut të Prokurorisë për Krimet e Rënda, Olsian Çela, Dritan Hallunaj kryearti i Gjykatës për Krimet e Rënda paraqiti rezultatet e punës së vitit 2008 të institucionit që ai drejton. Sipas analizës, kjo gjykatë ka shqyrtuar një total prej 1021 çështjesh, 53 për qind e të cilave ka përfunduar.                                      ar.ba

"Pastrimi i parave, gjykim te ne"
TIRANE - Kryetari i Gjykatës për Krimet e Rënda, Dritan Hallunaj, kërkoi dje kalimin në kompetencë të gjykatës që ai drejton të veprës penale të “pastrimit të parave”. Në paraqitjen e analizës vjetore, kreu i Krimeve të Rënda, e cilësoi si paradoksale faktin që vepra më të lehta kriminale në fushën e krimit ekonomik, janë lënë në juridiksionin e krimeve të rënda ndërsa krime më të rënda të kësaj fushe kanë mbetur në kompetencën e Gjykatës së Shkallës së Parë. “Ne kompetencë të gjykatës së Krimeve të Rënda parashikohet edhe gjykimi i figurës së krimit i cili parashikon se:‘çelja e depozitave ose e llogarive bankare,anonime ose me emra fiktive’ dhe nuk është futur në kompetence të kësaj gjykate ndonjë figurë tjetër krimi i cili është me afër konceptit ‘krim serioz’ dhe natyrës së objektit të punës tonë”, tha Hallunaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›