Nishani: Në tre vjet u arrestuan 193 zyrtarë
Hetimi, përjashtimi nga puna dhe prangosja e policëve, por edhe e zyrtarëve të administratës shtetërore për korrupsion gjatë 3 viteve të fundit, ka bërë që Shqipëria të grupohet në 10 vendet më të suksesshme në luftën kundër korrupsionit në vitin 2008. Gjatë një takimi të zhvilluar me kryetarin e Organizatës Botërore të Parlamentarëve Kundër Korrupsionit, Jhon Williams, ministri i Brendshëm, Nishani, ka treguar statistika të detajuara që tregojnë tolerancë zero ndaj oficerëve të policisë dhe nëpunësve publikë. Nishani ka deklaruar që nga viti 2005 e deri në vitin 2008, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm ka arrestuar për shpërdorim detyre dhe korrupsion 115 policë, nga këta 29 oficerë të lartë të Policisë së Shtetit, si dhe për të njëjtën akuzë ka hetuar 503 punonjës të policisë. Gjithashtu gjatë kësaj periudhe ministri i Brendshëm ka deklaruar se Antikorrusioni në bashkëpunim me Njësinë Task-Force ka arrestuar 193 zyrtarë, si dhe ka hetuar në gjendje të lirë 658 punonjës të administratës publike, të akuzuar për korrupsion dhe shpërdorim detyre. e.d