Enver Memishaj u përgjigjet kundërshtarëve me gjuhën e fakteve të dokumentuara
Rreth librit “Përballë klithmave të korbave”
Muajt e fundit me ndihmën financiare të zotërinjve Agron Haxhiraj, Sulo Shehu, Vilson Haxhiraj dhe Hysni Sharra, studimtari i mirënjohur Enver Memishaj, botoi librin e tij të shtatë: “Përballë klithmave të korbave”. Është një libër përmbledhje me shkrime, kryesisht replika të tij e polemika me kundërshtarët politikë, të botuara këto vitet e fundit në shtypin tonë të përditshëm. Me këtë përmbledhje, ai i vjen më mirë në ndihmë lexuesit të interesuar i cili tashmë e ka në dorë në bibliotekën vetjake, lëndën të përmbledhur në një libër dhe e përdor lehtësisht atë në çdo kohë.
Me dokumente autentike, me ligjin e moralit shoqëror dhe arsyetimin e shëndoshë mendor, Enver Memishaj me mjaft kolegë të tjerë, qysh në fillimet e demokracisë, ka marrë penën në dorë për të vlerësuar e rivlerësuar, shumë ngjarje historike të traditës dhe të ditës dhe asisoj, për të vënë në vendin e merituar, ngjarje të rëndësishme historike jo pak aktorë veprimtarë të dalluar të historisë sonë kombëtare, të cilët diktatura i eliminoi dhunshëm duke varfëruar asisoj keqas panteonin kombëtar. Ishte koha kur përpara kamzhikut të policit dhe nenit famëkeq “55”, frika u kthye në institucion me frenimin e çdo mendimi të lirë. Ishte koha kur varfëria u bë kod social duke u çmuar si vlerë dhe pasuria si ves.
Sa herë që lexuesi i vëmendshëm dhe objektiv, merr në dorë libra të tillë, i vjen menjëherë në mendje bindja se historia, që të bëhet e tillë, duhet të pasurohet me fakte të reja dhe të rishkruhet për të mënjanuar shtrëmbërimet dhe për të nxjerrë në dritën e së vërtetës, shumë e shumë fakte të rëndësishme që historiografia e diktaturës komuniste i la mënjanë ose i shtrembëroi qëllimshëm për interesa politike.
Historiografisë së sotme në mendim të lirë, arkiva të hapura dhe pa indekse bibliografike, i takon të zbulojë dhe analizojë me arithmetikë qëruar, dhe dëshmi rreptësisht të sakta dhe të vërteta, të gjitha ngjarjet, jo vetëm të Luftës së Dytë Botërore dhe shumë më tej para saj, por edhe më tepër ato pas Luftës, kur në këtë kamp përqëndrimi që u quajt Republika Popullore e Shqipërisë, populli vuajti në privacionet më të skajshme njerëzore, në një vend me resurse të shumanshme dhe mu në mes të Evropës së zhvilluar demokratike.
Edhe Rezoluta 1481 e vitit 2006 e Asamblesë së Këshillit të Evropës, së bashku me Rezolutën e Kuvendit të Shqipërisë, për dënimin e krimeve të komunizmit i shërben drejtëpërsëdrejti, kësaj teme, pra rishikinit të historisë mësueses së madhe të njerëzimit. Prandaj, Z. Memisha bën mirë që i ka venë në ballë të librit këto dy dokumente. Me këtë veprim ai bën punën e tij prej qytetari leal, që të ju kujtojë ligjëvenësve shqiptarë të kryejnë detyrën ligjore historike, duke çuar deri në fund proçedurën e zbatimit të ligjit. Po ashtu ai bën thirrje opinionit publik shqiptar, të mbështesë me të gjitha mundësitë zbatimin e atyre dokumenteve, që hedhin një hap drejt procesit të dekomunistizimit të vendit dhe pastrimit e mundshëm të aktorëve të politikës shqiptare
Duhet pohuar që në krye të herës se, Enver Memishaj, i shkolluar për ekonomi dhe me një karrierë të gjatë në këtë lëmë, me kulturën, prirjen dhe pasionin e tij, të bën për vete edhe në fushën e studimeve historike. Prandaj ai polemizon me bindje trimërore dhe mjeshtëri me kundërshtarët. Duke mbetur si gjithnë një parimor shëmbullor, larg qënërisë për të ngrënë kokat e njeri-tjetrit, por duke u rrekur për të vënë në tehun e kritikës infeksionin dhe jo të infektuarin. Kështu kur përmend një Hasan Hysen, ai me mjeshtëri na thotë se nuk është fjala në radhë të parë për personin Hasan Hysen, por për fenomenin Hasanhysen.
Memisha është polemist këmbëngulës në llogoret e së vëretës, të ngritura mbi faktet e dokumentuara historike të shkrimeve të tij, të cilat, u kanë djegur keqas disave, që mbahen ende qorrazi me të kaluarën e mbrapshtë.Jemi në logun e burrave dhe në fjalën dhe vetëm në fjalën e lirë dhe jo në dhunën. Por hera-herës në mbrojtje ligjore të së vërtetës, ai nuk e përmban veten përpara rrenës dhe rremashëve dhe, i detyruar, iu përgjigjet kundërshtarëve me të njëjtën monedhë. Si mjeshtër i fjalës, nuk le pa përdorur edhe ironinë në disa shkallë, pastaj turret me sakakazëm e tallet e gajaset me ata që të mbetur te “idealet e Partisë”, vijojnë ende luftën e klasave, me terma klishe tashmë dalëboje.
Memisha në radhë të parë, nuk kundërshton dhe nuk polemizon me persona, por me idetë e tyre, të cilat të ngritura dikur në sistem, çuan këtë vend në buzë të greminës. Me origjinën, jetën dhe punën e tij, ai është idealist dhe jo arrivist. Vetë idealist, nga soji i idealistëve që shkrinë gjithçka për atdhe të lirë, ai punon si të parët e tij, për vlera idealesh dhe jo për të zënë poste e për të ngritur pusira. Përpiqet për të ndërtuar gjithçka mbi themelet e nacionalizmit shqiptar që historikisht e mbajti këtë komb në këmbë, nga rrebeshet e pamëshirshme të shekujve.
Me prirje, pasion, interesa të gjera e me dokumente për historinë tonë, Z. Memishaj hidhet në këtë libër edhe në tema madhore historike të Luftës së Dytë Botërore sikundër është edhe Lidhja e Dytë e Prizrenit. Ai na jep në libër kronikën e plotë të konferencës shkencore që u zhvillua në Prizren në shtator 2001,e cila i u kushtua kësaj ngjarje. Ai vetë referoi në konferencë temën .”Qëndresa antisllavokomuniste në Labëri gjatë Lëvizjes antifashiste 1939-1944”.
Duke u marrë analitikisht me ngjarjet e trishtuara shumë të dhimbëshme të vitit 1997,ai na përshkruan tragjedinë e dhimbëshme që ndodhi me kolegë e tij në SHIK-un e Vlorës, ku u masakruan deri në mënyrën më të përbindshme antinjerëzore, ata që mbronin institucionin e shtetit. Pastaj nga fundi i librit, autori na jep listën e 235 efektivave të policisë së shtetit, të cilët u vranë dhe u masakruan nga duar mizore. Me këtë listë të dokumentuar saktësisht, ku është shënuat mosha tyre e re dhe koha e vrasjes, i bëhet një shërbim i veçantë historisë e cila kërkon gjithnjë fakte të dokumentuara. Kurse të 60 faqet e fundit të librit, autori i mbyll me grimca jete nga fshati Lepenicë. Është venbanimi i lindjes së tij me bërthamë të shëndoshë kombëtarësh që shkrinë shumë nga jeta e tyre, për jetë më të mirë dhe atdhe të lirë. Veç të tjerash, aty është përshkruar profili njerëzor, qytetar dhe atdhetar i një dore të mirë lepenecijotësh, të cilët me jetën e çiltër, luftën e përkushtuar, punën e tyre të ndershme si edhe vuajtjet në diktaturë, pasurojnë më tej vlerat e plazmit kombëtar të fshatit, krahinës dhe të mbarë kombit në tërësi.
Përfundimi më i rëndësishëm që nxjerr lexuesi nga ky libër, është çështja e rëndësishme, se ndryshimet e mëdha politike e shoqërore që ndodhën me përmbysjen e dikaturës, nuk mund të realizohen mirë, po nuk u vu në dukje të dokumentuar, hollësisht e qartësisht e kaluara dhe pa dalë përgjegjësitë morale e ligjore, si individuale ashtu edhe kolektive. Çdo synim, sa do bujar në dukje, për të mbuluar me velin e heshtjes dhe të harresës, tragjedinë e së kaluarës, është i mpleksur me ngadalësimin, madje edhe me kthimin mbrapa të proceseve demokratike. Për fat të keq, shumë intelektualë të cilët sot janë vendosur në krahun e majtë (punë për ta) dhe që kanë përjetuar në mos vuajtjet, vështirësitë e jashtëzakonshme të jetës vetjake e kolektive të asaj kohe mizore, sot rrinë në shurdhësi për të kaluarën 45-vjeçare, a thua se në këtë vend, nuk ka ndodhur asgjë dhe vetvetiu preçedentët e asaj kohe, nuk na paskan asnjë ndikim sot si frenues të proceseve demoktratike. Është një pyetje madhe sot e cila kërkon përgjigje: Përse ky tranzicion kaq i gjatë dhe kaq i vështirë?
Duke i mbyllur këto shënime do të japim edhe ndonjë mendim në trajtën e një këshille që besojmë se do ti bënte mirë botimit të këtij libri. E para për lehtësi të lexuesit, do të ishte e dobishme një hyrje, ku të parashtrohej lënda dhe shtrirja e saj tematike dhe kohore e tij. Pastaj si në çdo lloj përmbledhje të këtillë, ku përmenden sa e sa persona, do të ishte mjaft i nevojshëm indeksi i emrave në fund të librit.
Sidoqoftë, asgjë nuk ia ul rëndësinë e vlerave të dokumentuara këtij libri i cili pa dyshim, do ti vlejë historisë sonë të munguar.