Koha që motoja e ndryshimit të shpaloset tek presidencialet e Maqedonisë
Motoja e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Barack Obama në fushatën elektorale "Change" sëpari e ndryshoi mendjen e qytetarëve amerikanë për t'i dhënë besimin për President dhe pastaj vetëbesimin se Presidenti i tyre me administratën e vet mund të bëjë ndryshime për një jetë më të mirë në SHBA dhe në përmasa botërore. Atëherë, për kushte dhe rrethana tona, çfarë duhet të mësojnë qytetarët në Republikën e Maqedonisë, përveç që duhet të bëjnë diç të ngjashme, respektivisht të ndryshojnë mendjen dhe me votën e tyre të zgjedhin President që pulson bashkë me ndryshimet që ndodhën në shtetin më demokratik në botë.
Kur bëhet fjalë për zgjedhje të Presidentit të ardhshëm të RM-së, tanimë është pothuajse e qartë se ai do të zgjidhet në raundin e dytë. Votat e shqiptarëve në raundin e parë do të shkojnë në kontot e kandidatëve shqiptarë për President dhe kjo në një mënyrë do të përcaktojë forcën e partive politike. Duhet theksuar se në këtë garë ndërshqiptare vetëm Demokracia e Re kandidoi liderin e saj, që do të thotë se në garën presidenciale merr pjesë më guximshëm dhe pa kalkulime. Meqë gara zhvillohet për të matur forcën politike të partive, vetvetiu shtrohet pyetje, pse atëherë nuk garojnë liderët tjerë të partive politike. Nëse asgjë tjetër, do të kishim përcjellë ndoshta debate televizive me liderë të ulur bashkë në një vend. Më në fund elektorati shqiptar do të ushqente kureshtjen kaherë të pritur për t'i përballur dhe dëgjuar "live" me argumente, kundërargumente dhe vizione që eventualisht do të ndryshonte ose mbante mendjen për një përcaktim definitiv. Duke i respektuar edhe kandidatët tjerë, si duket këtë shans, që është për ta përshëndetur, më së miri do ta shfrytëzojë Kryetari i Demokracisë së Re, z. Imer Selmani. Duhet përmendur edhe faktin se deri më tani asnjë lider i ndonjë partie politike shqiptare nuk ka pasur guximin të kandidohet për President shteti në Republikën e Maqedonisë. Pse?!
E di, kësaj radhe nuk ka shans për t'u zgjedhur një shqiptar për President shteti, këto ditë këtë bindje na e vulosi troç dhe pa ekuivoke VMRO-DPMNE-ja, por liderët partiakë shqiptarë më me peshë do të debatonin për çështje të rëndësishme, për shqiptarët dhe qytetarët në përgjithësi në RM. Mendimin se duhej të merrnin pjesë në garën presidenciale liderët e partive politike shqiptare e mbështes edhe në faktin se Qeveria e Maqedonisë, partia shqiptare në pushtet le ta mendojë më mirë, ka marrë një diskurs politik që Maqedoninë çdo ditë e më shumë po e largon nga integrimet Euro-Atlantike, për ta vendosur "vetëm" katër shekuj para erës sonë. Sa nuk është bërë vonë, duhet patjetër të aktivizojmë tërë potencialin tonë votues, këtë diskurs ta kthejmë kah perspektiva jonë e vetme dhe pa alternativë, integrimet në BE dhe NATO. Besoj se liderët tanë janë të vetëdijshëm se nuk guxojnë politikën shqiptare ta vënë në funksion të një nacionalromantizmi maqedonas të cilit nuk po i dihet as fillimi as fundi. Në situatë të dhënë, nuk është me rëndësi se si e kanë emrin kandidatët maqedonas për President të propozuar nga partitë e tyre politike, më e rëndësishmja është diskursi dhe koncepti që e ndjekin, Maqedoni Evropiane apo Maqedoni Antike të Aleksandrit të Madh, e këtë të fundit kaherë e ka zaptuar dhe brenduar Greqia.
Votuesit shqiptarë, nëse jo tjetër, nuk guxojnë të manipulohen nga ndonjë parti politike shqiptare, të votojnë për koncept që i ndan nga orientimi mbarëshqiptar drejt NATO-s dhe BE-së. Nëse votuesit maqedonas dhe bashkësitë tjera nuk marrin përgjegjësi që me votën e tyre, e tani e kanë këtë mundësi, të ndryshojnë mendjen dhe përcaktimin e gabueshëm, për të mirën e këtij shteti, atëherë shqiptarët në aleancë me faktorin relevant ndërkombëtar duhet të përdëftojnë me veprime konkrete se nuk duan të jenë pjesë e një politike që ashiqare po e orienton këtë shtet të përbashkët atje ku nuk ka perspektivë.
Shqiptarët në rend të parë, dhe të gjithë qytetarët e Maqedonisë duhet të kuptojnë se motoja e Presidentit Obama "Ndryshime" kësaj radhe ka rëndësi historike. Në të kaluarën kanë ndodhur ndryshime të mëdha, fatkeqësisht edhe me luftë, revolucion apo demonstrata të përgjakshme. Sot as që duhet të mendohet për këto forma të ndryshimeve, sot kemi në dorë votën tonë të lirë e të fshehtë e cila delegjitimon në mënyrë të qetë dhe demokratike ata të cilët në emër të ndonjë romantizmi nacional na thonë "hajde të vdesim me forcat tona". Na duhet pak më shumë besim në vete, nuk duhet të lejojmë të bëhemi qorrazi pasues të një politike anticivilizuese dhe antishqiptare. Mirë më tha një ditë një qytetar, atyre që do të kërkojnë votën tonë me premtime boshe, kësaj radhe do t'ua premtojmë "rrejshëm" vetëm sa për t'i përkujtuar se dimë edhe ne ta kthejmë ndryshe. Kësaj radhe, mjafton që qytetarët pa presione, pa frikësime dhe pa dhunë ta peshojnë dhe ta japin votën e tyre të fshehtë dhe të lirë sipas bindjeve të tyre.
Autori është nënkryetar i Këshillit Euro-Atlantik të Maqedonisë. Shkrimi u botua për herë të parë në të përditshmen e Shkupit “Koha”