Rezultatet e para shpresuese në përballjen kosovare me narkomaninë
Kosova shtrihet në rrugën e trafikut të drogës nga Afganistani në Evropën Perëndimore dhe disa nga drogat zbavitëse në tranzit nëpër Kosovë, hyjnë në tregun lokal. Ekspertët thonë se abuzimi me drogën është në rritje në Kosovë, më tepër se trafikimi i drogës. Flamuri, 38 vjeç, kishte përdorur droga zbavitëse për 17 vjet kur vendosi ta lerë katër vjet më parë. Ai thotë se presioni nga familja dhe shoqëria e detyruan ta linte. "Isha krejt i izoluar," thotë ai. Tani, në një qendër të vogël për rehabilitimin nga droga në periferi të Prishtinës, ai ndihmon të tjerët t'i ikin narkomanisë së tyre. Qendra, e ngritur nga një ish i burgosur dhe dy shokë të tij quhet Labirint. Safet Blakaj, ish i burgosuri, është drejtori i saj. Labirint ofron këshillë psikiatrike, shërbime farmakoterapike dhe zëvendësim të trajtimit me farmaceutikë si dhe psikoterapinë mbi bazë individësh, familjeje e grupi. Rreth 570 narkomanë të moshave 13 deri 50 vjeç marrin trajtim atje. Labirint është një qendër e vogël private e financuar nga ambasada e SHBA, UNICEF dhe Fondacioni i Partneritetit në Shëndet, me bazë në Zvicër. Megjithatë ajo nuk është një klinikë. Nuk ka institucione të specializuara shtetërore apo klinika në Kosovë që ofrojnë rehabilitimin nga droga. Psikiatri dhe bashkëthemeluesi i Labirint, Bujar Berisha thotë se autoritetet e Prishtinës e kanë bërë një përparësi parandalimin e narkomanisë. Qendra ka marrë nismën për të zhvilluar një strategji preventive që parashikon zbatimin deri në 2013. Deri tani, projekti është bërë i njohur me sukses. Midis arritjeve të tij të ndryshme, ai ka ofruar për përdoruesit e drogave intravenoze këshillime të fshehta, anonime dhe pa pagesë dhe teste në dhjetë muajt e fundit. Berisha tregon se përdorimi i drogës në Kosovë është më i përhapur midis të rinjve, ata të moshës 22 deri 24 vjeç, veçanërisht në zonat urbane të prishtinës, Pejës, Gjilanit e Mitrovicës. "Ne kemi ndërmend të përfshijmë sa më shumë narkomanë të jetë e mundur në programet tona me qëllim që të reduktojmë rreziqet individuale e shoqërore nga abuzimi i drogës i cili nga ana e vet, mund të reduktojë veprimtarinë kriminale dhe keqbërjen," thotë Berisha. Ndërkohë, Blakaj, i cili bashkërendon gjithashtu psikologët në burgjet e Kosovës, thotë se 7% e të burgosurve janë tashmë të varur nga droga pas hyrjes në burg. Ai thotë se shoqëria duhet të ndihmojë mbështetjen e të dhënëve të përmirësuar ndaj drogës për t'u riintegruar në jetën normale. Blakaj i kërkon shoqërisë në tërësi të kuptojë se narkomania nuk është thjeshtë një problem personal, pasi ajo rëndon familjen e narkomanit, komunitetin e gjerë dhe shoqërinë në përgjithësi.
...