E Diel, 1 Nëntor 2026

Vatikani rikonfirmon qendrimin dënues ndaj tezave të negacionizmit

Notë e Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit mbi heqjen e shkishërimit ipeshkvijve të Vëllazërisë së Shën Piut X dhe mbi deklaratat negacioniste të imzot Uiljamson

Pas reagimeve, që shkaktoi Dekreti i kohëve të fundit i Kongregatës për Ipeshkvijtë, me të cilin u hiqet shkishërimi katër ipeshkvijve të Vëllazërisë së Shën Piut X dhe në lidhje me deklaratat e Imzot Uiljamson, të së njëjtës Vëllazëri, që mohojnë ose e reduktojnë Shoah, Sekretaria e Shtetit të Vatikanit bëri të njohur sot një notë të posaçme: “Dekreti i Kongregatës për Ipeshkvijtë, datuar 21 janar 2009 - nënvizon nota - ishte një akt me të cilin Ati i Shenjtë u përgjigjej dashamirësisht kërkesave të bëra nga ana e Eprorit të përgjithshëm të Vëllazërisë së Shën Piut X. Papa deshi të hiqte një pengesë, që cënonte hapjen e portës së dialogut. E tani pret që edhe katër ipeshkvijtë të tregohen po kaq të gatshëm për bashkimin e plotë me doktrinën e me disiplinën e Kishës. Dënimi i rëndë latæ sententiæ, dhënë ipeshkvijve të lartpërmendur më 30 qershor 1988, deklaruar pastaj formalisht më 1 korrik të të njëjtit vit, ishte pasojë e shugurimit të tyre të paligjshëm nga ana e imzot Marsel Lëfevrë. Heqja e shkishërimit – vijon Sekretaria e Shtetit – i çliroi katër ipeshkvijtë nga një dënim kanonik tejet i rëndë, por nuk e ndryshoi gjendjen juridike të Vëllazërisë së Shën Piut X e cila, në çastin aktual, nuk gëzon kurrfarë njohjeje kanonike nga ana e Kishës Katolike. Edhe katër ipeshkvijtë, ndonëse u është hequr shkishërimi, nuk kanë asnjë funksion në Kishë e nuk ushtrojnë ligjërisht ndonjë shërbim në të”. “Për njohjen e ardhshme të Vëllazërisë së Shën Piut X - shton nota - kusht i domosdoshëm është njohja e plotë e Koncilit II të Vatikanit dhe e Magjisterit të papëve Gjoni XXIII, Pali VI, Gjon Pali I e Gjon Pali II si dhe të vetë Benediktit XVI. Siç u pohua në dekretin e 21 janarit 2009, Selia e Shenjtë do të thellojë me të interesuarit, në mënyrat që i gjykon të përshtatshme, çështjet akoma të hapura, me qëllim që të arrihet në zgjidhjen e plotë e të kënaqshme të problemeve, shkaktare të kësaj shkëputjeje të dhimbshme”. Përsa u përket qëndrimeve të imzot Uiljamson lidhur me Shoah, nota pohon se janë absolutisht të papranueshme e të dënuara ashpër nga Ati i Shenjtë, siç e vuri Ai vetë në dukje më 28 janarin e kaluar kur, duke kujtuar këtë genocid të egër, ripohoi solidaritetin e tij të plotë e të padiskutueshëm me Vëllezërit tanë të Besëlidhjes së parë. Papa pohoi edhe se kujtesa e këtij genocidi duhet ta nxisë njerëzimin të reflektojë mbi pasojat e paparashikueshme të së keqes, kur arrin të pushtojë zemrën njerëzore, duke shtuar urimin që Shoah t’u kujtojë të gjithëve se kjo tragjedi nuk duhet harruar, nuk duhet mohuar e as reduktuar, me bindjen se dhuna e ushtruar vetëm mbi një njeri, është dhunë kundër të gjithëve. Ipeshkvi Uiljamson, për t’u pranuar në funksionet ipeshkvnore të Kishës, duhet edhe të distancohet në mënyrë absolutisht të padiskutueshme e publike nga qëndrimet e tij lidhur me Shoah, për të cilat Ati i Shenjtë nuk kishte dijeni në çastin e heqjes së shkishërimit. Ati i Shenjtë - përfundon Nota e Sekretarisë së Shtetit - u kërkon të gjithë besimtarëve të luten që Zoti ta ndriçojë rrugën e Kishës. Të rritet impenjimi i barinjve dhe i gjithë besimtarëve në mbrojtje të misionit delikat e të vështirë të Pasardhësit të Apostullit Pjetër si ‘rojtar i bashkimit në Kishë”.
Reagimi i Vatikanit, pas deklaratave të kancelares Merkel mbi negacionizmin/“Nuk mund të ishte më i qartë’ dënimi nga ana e Papës i deklaratave që mohojnë Holokaustin (shfarosjen në masë të hebrenjve në kampet naziste të përqendrimit): këtë theksoi dje drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Atë Federiko Lombardi, pas pohimit të kancelares gjermane, Angela Merkel. Sipas saj, sqarimet e Vatikanit për heqjen e shkishërimit ipeshkvit lëfevrian Uiljamson, që mohoi Shoah, janë të pamjaftueshme. “Është e nevojshme që, nga ana e Papës dhe e Vatikanit - pohoi Merkel - të thuhet qartë se Holokausti nuk mund të mohohet. Lidhur me këtë, të ndjekim notën e Atë Lombardit: “Mendimi i Papës për këtë temë u shpreh krejt qartë në Sinagogën e Këlnit më 19 gusht 2005; në Kampin e përqendrimit të Aushvici-Birkenau më 28 maj 2006, në audiencën e mëpasme të përgjithshme më 31 maj 2006 e akoma, pak kohë më parë, në përfundim të audiencës së përgjithshme, më 28 janarin e kaluar, me fjalë që nuk mund të vihen në dyshim, nga të cilat po kujtojmë vetëm këto: “Ndërsa u shpreh përsëri me gjithë zemër solidaritetin tim të plotë e të padiskutueshëm vëllezërve tanë të Besëlidhjes së Vjetër, uroj që kujtimi i Shoah ta nxisë mbarë njerëzimin të reflektojë mbi pasojat e paparashikueshme të së keqes, kur arrin të pushtojë zemrën njerëzore. Uroj që Shoah t’u kujtojë të gjithëve se kjo tragjedi nuk duhet harruar, nuk duhet mohuar e as reduktuar, me bindjen se dhuna e ushtruar vetëm mbi një njeri, është dhunë kundër të gjithëve”. Dënimi i deklaratave, që mohojnë Holokaustin, nuk mund të ishte më i qartë e nga konteksti kuptohet menjëherë se lidhej edhe me imzot Uiljamson si dhe me të gjitha qëndrimet e kësaj natyre. Në të njëjtin rast, vetë Papa shpjegoi qartë edhe qëllimin e heqjes së shkishërimit, që s’ka të bëjë fare me ligjërimin e qëndrimeve mohuese të Holokaustit, të cilat ai i dënoi në mënyrë të padiskutueshme”.
Imzot Padoveze: bashkësia katolike turke ta dëshmojë Ungjillin pa frikë/Përfundon të enjten vizita “ad Limina” e ipeshkvijve të Turqisë në Vatikan. Prelatët ishin dje në audiencë tek Papa Benedikti XVI, i cili i këshilloi besimtarët e krishterë e myslimanë të punojnë së bashku për paqen e drejtësinë. Ati i Shenjtë u kërkoi gjithashtu, autoriteteve të Ankarasë të njohin juridikisht Kishën Katolike. Por cili është realiteti i bashkësisë katolike në Turqi? Kryetari i Konferencës Ipeshkvnore turke, imzot Luigji Padoveze thotë: Është një bashkësi, që shprehet përmes riteve e besimeve të ndryshme; trashëgimtare e kishave të lashta të kësaj zone. Numerikisht të vogla, por me domethënie, si për të kaluarën historike të secilës prej tyre, ashtu edhe për teologjinë, liturgjinë që i dallon nga njëra-tjetra dhe i cilëson. Një thesar që nuk duhet humbur. Shteti turk është formalisht laik. Por faktikisht, gjatë viteve të fundit, të krishterët jetojnë në një klimë ku nuk mungojnë tensionet. Veçanërisht, pas vrasjes së don Santoros në vitin 2005, sulmet kundër rregulltarëve të krishterë të huaj janë rritur. Sipas jush, çfarë fshihet pas këtyre sulmeve dhe, a ndryshoi gjë në këtë drejtim, udhëtimi i Papës në Turqi në vitin 2006?
Sigurisht që udhëtimi i Atit të Shenjtë kontribuoi në krijimin e një klime më të qetë. Vë në dukje, gjithsesi, se tensionet e muajve të kaluar janë të lidhur më tepër me probleme të tipit nacionalist, se sa me ato ngushtësisht fetare. Marrëdhëniet tona me vëllezërit e me autoritetet myslimane janë shumë të mira. Klima është më e qetë, megjithëse vazhdojnë akte sporadike vandalizmi, si për shembull, hedhja e plehrave para kishave. Kjo dëshmon se ekziston akoma një lloj ndjenje antikristiane. Gjithsesi, kemi të bëjmë me grupe të parëndësishme. “Bashkësia katolike, para së gjithash, duhet të pranojë me guxim se është një pakicë, por gjithsesi e pranishme në Turqi. E them këtë, sepse situata historike të kaluara e kanë detyruar grupin e krishterë (e jo vetëm katolikët) të jetojë në një lloj anonimati. Ka ardhur koha të shprehemi hapur, pa frikë. Është një hap i rëndësishëm, që mendoj se kërkon kohë. Por, po lëvizim në këtë drejtim, edhe për hir të klimës së demokracisë më të madhe që po përjetojmë. Në fund të fundit, nuk mund të kemi demokraci të vërtetë, nëse nuk ekziston pluralizmi e më duket se autoritetet aktuale janë të vetëdijshme për këtë. Me rastin e Vitit kushtuar Shën Palit, ipeshkvijtë e Turqisë kanë shkruar një letër baritore, pikërisht për të zgjuar në të krishterët vetëdijen e identitetit të tyre e për të bërë një thirrje të fuqishme për bashkim.
Marrë nga Radio Vatikani

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›