E Diel, 1 Nëntor 2026

Enver Petrovci - Isha i dehur kur u lidha me time shoqe



sonila merolli

Në një nga auditorët e Akademisë prishtinase, ajo i mësonte notat e pianos, ai ia kthente me batuta. Pikërisht aty lindi një raport aq i fortë sa edhe sprovat më të mëdha që u solli jeta nuk e lëkundën për asnjë moment. I tregonin njëri-tjetrit edhe mendimet më të fshehta dhe sekretet që nuk do të kishin guxuar t’ia rrëfenin njëri-tjetrit, nëse nuk do e kishin paraprirë fatin e tyre, të varur nga një shishe alkooli.
Por ja që ç’është shkruar nuk zhbëhet edhe kur miqësia është e pastër dhe pa prapamendime, siç ishte në rastin e aktorit Enver Petrovci dhe zyshës së tij të pianos, Valbonës. Për ta përligjur atë çka thotë më lart, Enveri shton se asokohe po përpiqej me mish e me shpirt ta “rehatonte” bashkëshorten e tij të mëvonshme me një djalë që jetonte në Amerikë. “Mëkatin” e dehjes aktori i mirënjohur nuk ia ka falur ende vetes, madje as nuk ka një panoramë të qartë, sesi rrodhën ngjarjet. Me gjithë ironinë e fatit, edhe pse ka kaluar një çerek shekulli, i pëlqen ende epiteti shoqja ime. Tek e fundit ndryshimi i statusit nuk i ka dalë dhe aq keq, përkundrazi. “Shokët për kokë” kanë tri fëmijë, karriera të suksesshme në fushat përkatëse të artit dhe një histori mes miqësisë dhe dashurisë.
ç’ju shtyu në “tastierën” e një pianisteje?
Shoqja ime, Valbona ende pa u prezantuar me mua kishte krijuar emër si pianiste. E kisha hasur nëpër gazeta, por personalisht nuk kishim asnjë kontakt. Ndërkohë, po përgatitesha për një shfaqje në Beograd, në të cilën kisha rolin e kompozitorit. Më duhej të luaja në piano dhe njëkohësisht të këndoja. Mbaj mend se ishin pushimet e verës, kohë gjatë së cilës mua më duhej të mësoja Ave Marinë dhe të mësoja pianon. Vij në Prishtinë dhe takohem fillimisht me vëllain e Valbonës, i cili për momentin është ambasadori i Kosovës në Shqipëri. Ai kontaktoi me Valbonën dhe kështu u takuam. U prezantova si aktor, ajo m’u përgjigj se e dinte kush isha dhe më ftoi në Akademi. Shkova ta takoja dhe pasi i thashë arsyen, më pyeti se çfarë dija në piano. Kur ia ktheva se nuk dija as notat, por se do t’i mësoja duke lëvizur gishtat, shprehia e fytyrës së saj ndryshoi. Në fakt unë kisha një farë kulture muzikore. E dija se kishte nota, thjesht po bëja interesantin. Ajo e mori seriozisht dhe më tha se isha i çmendur, nëse mendoja se mund të mësoja në këto kushte, ndërsa unë ia ktheva se kështu janë artistët: të çmendur. Kështu nisën leksionet e pianos. Valbonës i pëlqente të ishte mësuesja ime.
Ishte mësuese e rreptë Valbona?
Jo, përkundrazi ishte mësuese shumë e dashur, e përkushtuar, e duruar. Madje më vonë, kur u martuam kam konstatuar se ishte e vetmja pedagoge, të cilën studentët e donin më tepër se unë. Ajo është e vetmja që ma ka kaluar, pasi mendoja se pedagog më të dashur me studentët se unë nuk kishte. Këtë e kam vërtetuar nga praktika dhe aspak nga diskutimet me sho-shoqin. Në anketën ku studentët votonin pedagogun më të mirë, Valbona doli në vend të parë, ndërsa unë i dyti.
E keni zbuluar arsyen?
Duke qenë tepër i ri në moshë, ato vite kam qenë pak prepotent dhe mendoja se dija çdo gjë në këtë botë. Ndërsa, shoqja ime është shumë tolerante dhe e butë kur të qorton. I vetmi reagim i egër i saj ka qenë ndaj meje, kur si amator që isha, thosha se nuk kisha parë piano me sy.
Kur e kuptuat se ajo nuk mund të ishte thjesht një mësuese për ju?
Për çudinë e të gjithëve, kur mësoja notat, nuk ndodhi asgjë nga të dyja palët. Për një kohë të gjatë ne kemi qenë shokë të mirë. Sa herë vija në Prishtinë, të shihja prindërit, takoheshim me Valbonën për të pirë kafe, por as gjatë kësaj kohe nuk patëm ndonjë ndjenjë kundrejt njëri-tjetrit. Madje në një nga vizitat e mia përpiqesha t’i mbushja mendjen të martohej me një shokun tim, i cili jetonte në SHBA dhe ishte kthyer për të gjetur nuse. Shkoja edhe më tej, duke i thënë se fat më të mirë nuk kishte ku të gjente. Reagimi i saj qe i menjëhershëm. Nuk u mendua qoftë edhe disa çaste për të më kthyer përgjigje. Prerazi më tha se nuk kishte për të shkuar në Amerikë.
Mos lidhej ky reagim me ndjenjat që i kishin lindur kundrejt jush?
Jo, nuk ishte kjo arsyeja. Ne kemi qenë shumë shokë, pa asnjë prapamendim të kësaj natyre. Madje për të folur për çdo problem apo për të diskutuar mbi çdo temë, drejtohesha pa mëdyshje tek Valbona, sikundër bënte edhe ajo.
Po atëherë ç’ndodhi, kush e hodhi hapin i pari?
U dehëm dhe kështu ndodhi “gjëma”. U prish marrëdhënia. Ishim në një mbrëmje pimë aq shumë, sa as më kujtohen qartazi si erdhi puthja e parë dhe të tjerat më pas...
U prish një marrëdhënie, por nisi një e re...
Me sinqeritet ndryshoi çdo gjë, madje sot e kësaj dite mua më vjen keq që u prish ai raporti aq i fortë që patëm karshi njëri-tjetrit. Ishte batutë, pasi sot jemi shokë edhe më të mirë, nuk druhemi në disa tema, që shokët nuk do të mund t’i flisnin e kështu me radhë. E rëndësishme është të mbesësh shokë dhe ndryshimi i statusit nuk e rrezikon një gjë të tillë. Por ndryshimi qëndron tek vendimet që merren në çdo familje. Rrjedhimisht nuk të lejohen më teka si dua unë, apo si do shoqja ime, por si është më e mira për familjen tonë. Me kalimin e viteve duhet dhënë nga vetja për t’u përshtatur me partnerin që ke përkrah. I jep të drejtë vetes të pyesësh dhe të kërkosh prej saj, ku dhe me kë shkon të pijë kafenë, apo kur nuk të pëlqen dikush nga shoqëria e saj, pra të luash rolin e bashkëshortit. Përvetëson disa të drejta që sa ishim shokë nuk na duhej t’i përdornim.
Mos do të thotë kjo, se ju i përkisni asaj kategorie burrash që u kërkon grave llogari për çdo veprim?
Jo, përkundrazi. Nuk kam ndjekur për asnjë moment modelin e burrave shqiptarë, që iu pëlqen të komandojnë jetën e pjesëtarëve të familjes. Unë jam “komandant” në ato fusha ku kam dije, informacione apo eksperienca më të mëdha, ndërsa shoqja ime është “komandante” në disa fusha, ku ndihet superiore karshi meje. E tillë është jeta, të imponon role të ndara. Disa herë drejtoj unë, në raste të tjera shoqja ime. Jam i prirur ta respektoj deri në fund, i pakushtëzuar nga tradita apo modele të burrave autoritarë. Të qenit tolerant karshi bashkëshortes, është edhe sekreti i një martese të shëndetshme.
Sa vite martese numëroni tanimë që flasim?
(qesh) 800 vjet martesë më duket!
Jeni “lodhur”?
Të jem i sinqertë deri në fund, sipas mendimit tim një artist nuk duhet të martohet, paçka marrëdhënies sime të mirë me Valbonën. Ai as nuk duhet të dashurojë apo të harxhojë kohën duke u marrë me vogëlsirat, detyrimet e jetës së përditshme apo përkushtimin që kërkon familja. Me këtë nuk dua të them se jam i pakënaqur nga familja ime, përkundrazi. Por artisti duke qenë natyrë egoiste dhe i përkushtuar ndaj profesionit, nuk duhet ta anashkalojë për asnjë moment talentin, këtë dhuratë që i është dhënë. Sigurisht mund t’i bësh edhe të dyja, por është e vështirë.
Dhe gjatë gjithë përvojës suaj, ç’përvijime ka marrë koncepti “femër” tek ju?
Kjo varion në periudha të ndryshme të jetës. Kështu nëse kthehem në moshën adoleshente, në çdo moment rrekesha të tregohesha arrogant, kisha një krenari mashkullore të pamposhtur. Mendoja se isha mashkull i vërtetë dhe se fuqia mbi femrat ishte e dukshme. Më pas erdhi një kohë që femrën e shihja me shumë xhentilesë, përpiqesha të isha kavalier dhe kujdesesha deri në detaje për to. Ndërsa në këtë periudhë të jetës, në të cilën gjendem, për mua femra është frymëzim në atë çka bëj. Më frymëzojnë orë e çast, pa pasur nevojën t’i njoh nga afër, ta di çfarë karakteri janë, apo detaje të tjera. Më pëlqejnë të gjitha, por kam alergji nga femrat që flasin shqip keq.
E meqë u kthyem pa dashur në kohë, kur ka qenë dashuria juaj e parë?
Kam qenë në gjimnaz. Babai im blinte çdo pllakë gramafoni që dilte në treg, mes tyre ishte një këngë dosido “Biondine biondine...”. Duke e dëgjuar shpesh mu mësua goja dhe gjatë pushimit në shkollë kalon një bionde para këmbëve. Për t’i treguar asaj që dija këngët e reja, nisa të këndoja “Biondine biondine”. Ajo u kthye më buzëqeshi, ishte një bukuri e papërshkrueshme. Në rininë e hershme kam qenë një tip i tërhequr dhe i turpshëm. Ndërsa tani më ngacmojnë gratë e martuara që mua më kallin krupën, madje as nuk i shoh në aspektin femëror. I shoh si shoqe, por jo më shumë se aq.
Ju përkëdhelin sedrën komplimentet nga femrat?
Nuk them dot jo, se do të mashtroja veten. Në fund të fundit për ato komplimente apo prej duartrokitjeve punojmë apo i gëzojmë famës.
Dini t’i dëgjoni femrat?
Jam dëgjues relativisht i mirë, mbi të gjitha nuk jam autoritar apo tekanjoz. Edhe pse kam tre femra në shtëpi, asnjëherë nuk i jap urdhër më sill këtë apo bëj atë, meqenëse jam burri i shtëpisë. Kur jam i lodhur iu them nëse munden të më sjellin një gotë ujë, por jo që ta ndjejnë si detyrë. Nuk them se e kam mirë, por thjesht ky është modeli im. Për më tepër kam siguri në jetesën time, moralin dhe mënyrën time të edukuarit pa detyrime. Mendoj se mjafton të jem baba i mirë. Besoj në këtë model, të cilin e kam trashëguar nga babai im.
Sa fëmijë keni dhe a ju ngjajnë?
Unë asnjë, gruaja ime i ka tre, dy vajza dhe një djalë. Vajza më e madhe quhet Hana 25 vjeçe dhe punon ekonomiste. Në radhë i dyti është djali Astriti, i cili studion për juridik edhe pse ka zë të bukur. Ndërsa e vogla quhet Vanesa, sapo ka mbushur 14 vjeçe, e cila është dobësia ime. Ajo mëson piano dhe kitarë dhe shkruan tregime. Edhe pse ka katër 1-sha, apo siç i thoni ju, 4-tra në lëndët shkencore, unë i them Bravo! Kështu vazhdo, mos e vrit mendjen. Nga sa shihni, nuk kam ndikuar në zgjedhjet e tyre, edhe pse ju kam sugjeruar të mësojnë nga instrument si zanat.
Si e kujtoni momentin e parë kur erdhi në jetë fëmija e parë, vajza juaj Hana?
Të jem i sinqertë nuk pata ndonjë ndjesi të madhe kur pashë një copë mishi të kuq dhe as që provova ato ndjesitë shokuese që më kishin treguar shokët e mi. Më krijoi një bezdi kur e pashë. Mu duk vetja i pashpirt dhe shkova ta vërtetoja mungesën e ndjenjave të mia duke kërkuar përjetimet e të tjerëve, në të njëjtin pozicion. Përgjigjet që mora prej tyre ishin standarde; “të gjithë në qiellin e shtatë”. Aty u binda se nuk isha njeri normal. I dëshpëruar dhe larg nga përvojat e tyre, nisa t’u rrëfeja si në faj, përshtypjet e mia të para kur pashë vajzën. Me të mbaruar, shokët e mi filluan të më thonë se edhe ata kishin provuar të njëjtën gjë, por të diktuar nga rendi, u duhej të gëzoheshin me çdo kusht. Me këtë dua të them se femra i përjeton ndryshe këto eksperienca. Ndërsa tanimë, kanë ndryshuar raportet, fëmijët i dua më shumë sa edhe vetë shoqen time. Nuk e di çdo të mund të bëja për ta.
Nga sa kuptojmë, ju i përkëdhelni shumë fëmijët tuaj...
Nuk jam autoritar, zakonisht i përkëdhel. Ka pasur raste që ata kanë gabuar. Kam gjetur mënyrën për t’i kritikuar, por edhe këto kanë qenë të rralla. Nuk ndërhyj shumë në këtë drejtim, pasi e ka përmbushur dhe vijon ta bëjë Valbona. Ajo ma ka imponuar, që unë të jem prindi i butë.
Sa mundet që dy artistë t’i përkushtohen familjes dhe karrierës njëkohësisht, dikush duhet të sakrifikojë, apo jo?
Pa dyshim bashkëshortja ime ka hequr dorë nga karriera e saj, por pa ia imponuar unë. Ndoshta edhe jetesa e mirë që kishim ia imponoi të linte mënjanë karrierën, për t’u përkushtuar familjes që nisi të shtohej. Unë mjaftoja për të siguruar një pagesë të mirë për të dy. Në fakt asokohe paguhesha 2700 marka në ditë dhe mirëqenia jona na e lejonte një familje me kushte optimale. Ju tregova detajin e rrogës për të kuptuar se përse na u imponua një familje e plotë. Por e theksoj se ajo e mori vendimin, pasi kështu e ndjeu, sigurisht e di që i ka kushtuar. Nuk është se bëmë ndonjë kompromis apo plane me njëri-tjetrin se duam kaq apo aq fëmijë, thjesht kështu na erdhi jeta. çdo gjë erdhi natyrshëm.

Zoti i kuzhinës
Enver Petrovci, nuk është një burrë zemani, madje ai ndihmon bashkëshorten në punët e shtëpisë. “Ndihmoj shumë në shtëpi, madje kemi ndarë sektorët. Kështu detajet e kuzhinës që nga mobiliet, tek pjatat, kompletet e lugëve e gjithë enët me radhë, janë zgjedhur dhe blerë nga unë, ajo është zona ime si të thuash. E ndihmoj aty ku Valbona vërtet ka nevojë, di t’i gjendem pranë”, tregon ai. Nuk është nga ata burra që bëjnë dhurata dhe në mënyrë të sinqertë tregon se këtë mungesë e konpenson me të holla.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›