E Diel, 1 Nëntor 2026

Prova e re e BE-së

Arben Malaj

Ky është një mesazh nga analiza që nobelisti Joseph Stiglitz u bën sfidave të ekonomisë greke dhe reagimit të Bashkimit Evropian. Parë në këndvështrimin e aspiratave tona integruese, bazuar në fokusin që ka integrimi evropian në debatet tona politike, ndoshta ka një mesazh specifik të krizës së disa vendeve të BE-së, i cili mund të jete i drejtpërdrejtë për vendet e rajonit tonë.
Kohët e fundit media evropiane dhe ajo ndërkombëtare ka në një fokus të veçantë rreth situatës shumë të vështirë ekonomike në Greqi. Por Greqia nuk është e vetmja. Ka edhe vende të tjera evropiane, të cilat po përballen me sfidat e krizës globale.
Media dhe analistët shpesh parapëlqejnë të analizojnë apo fokusojnë vende, të cilat i grupojnë bazuar në efektin e tyre të përbashkët pozitiv apo negativ mbi ekonominë globale apo edhe evropiane.
BRIC – përdoret për të karakterizuar influencën pozitive që Brazili, Rusia, India dhe Kina i japin ekonomisë globale. Rritjet e larta ekonomike të BRIC shërbyen edhe si amortizatorë të krizës aktuale globale.
Ditët e fundit, disa media evropiane, me fjalën PIGS karakterizojnë situatën e vështirë në Portugali, Irlandë, Greqi dhe Spanjë.
Vullneti i tepruar për të negativizuar apo ironizuar këto vende, nuk i sjell asgjë pozitive ambientit politik të Evropës së Bashkuar, ku ndërvarësia e vendeve të tregut unik evropian dhe të euro zonës ndihmon ose dëmton jo pak zhvillimet në të gjithë bashkësinë.
Anëtarësimi në BE i Greqisë, Spanjës, Portugalisë dhe Irlandës u mbështet në dy vlera themelore të BE-së, e para ishte promovimi demokracisë dhe e dyta solidariteti dhe kohezioni social.
Në mbështetjen për integrimin pa zvarritje të Greqisë, Spanjës dhe Portugalisë, u mbajt parasysh fakti që ato sapo kishin dalë nga sisteme politike jo demokratike dhe Evropa e Bashkuar duhet të ishte inspirimi më i mirë dhe mundësia reale më konkrete për të parandaluar çdo mundësi për rikthim pas.
Solidariteti dhe kohezioni social iu afruan këtyre vendeve për të përmirësuar ekonomitë e tyre. Projekte të mëdha financiare mbështetën modernizimin e infrastrukturës ekonomike dhe lidhjen e saj me tregjet evropiane të mallrave, shërbimeve dhe kapitaleve.
Mund të ketë shumë arsye specifike pse pikërisht ish katër vendet me të varfra të BE-së, edhe tani pas rreth 35 vjet anëtarësimi në BE, rezultuan më të dobëtat.
Nëse do të duhet të bëhet një analizë më e thelluar e faktorëve specifikë të krizës në këto katër vende, ajo mund të përfshijë edhe analizën rreth efikasitetit të politikave dhe fondeve të BE për këto vende.
Ka interes të analizohet se këto vende janë prekur nga fenomeni moral hazard - bindja se për to duhet të kujdesej Evropa dhe se Evropa e Bashkuar nuk do t’i lejonte/braktiste të dështonin apo të falimentonin?
Sa aksesi në fondet e BE-se ka reduktuar ndërmarrjen e reformave të duhura dhe në kohën e duhur për ekonomitë e vendeve të tyre?
Sa u kanë shërbyer qeverive të këtyre vendeve përfitimet nga politika e tregjeve në rritje dhe fondeve strukturore të BE-së, për të fshehur realitetin dhe për të mbijetuar politikisht?
A mund të jete realiteti i vështirë i këtyre katër vendeve, leksioni i duhur dhe në kohën e duhur për vendet tona për ndërgjegjësimin për kostot dhe përfitimet nga integrimi evropian?
Po të mbajmë parasysh faktin që edhe Rumania dhe Bullgaria konsiderohen përgjithësisht të paafta për të përfituar nga politikat nxitëse dhe fondet mbështetëse të BE, është e qartë se sfidat tona mund të jenë më të mëdha, më të vështira dhe më afatgjata.
Pas eksperiencës së Greqisë, Spanjës, Portugalisë dhe Irlandës, qartësohet se integrimi evropian nuk mund të jetë shkopi magjik i zgjidhjes së problemeve tona edhe të trashëguara.
Evropa që ne dëshirojmë nuk mund të jetë oksigjeni i mbijetesës i qeverive që nuk ndërmarrin reformat jetike të vendeve të tyre.
Reformat e munguara do të krijojnë kostot e tyre, të cilat edhe në rastet e vendeve të BE-së duhet të përballohen fillimisht dhe kryesisht nga vetë ato.
çdo integrim i mëtejshëm, për më tepër çdo integrim politik, do të ishte gjithnjë e më i vështirë, nëse disa vende mendojnë se BE është “thes i hapur” për ndihma financiare dhe “çek i bardhë” për të financuar dështimet e vendeve anëtare.
Debati nuk është nëse duhen shpëtuar vendet në krizë. Braktisja e tyre rrezikon të jetë një kosto më e madhe. Këto vende duhet të asistohen dhe ndihmohen për të implementuar reformat e munguara, që në një të ardhme të afërt i rikthen në tregjet e rritura konkurruese, i rikthen në ritmet e larta të rritjes ekonomike, në nivelet e ulëta të papunësisë dhe varfërisë.
Ideja se BE për të mbijetuar do të paguajë dështimet e vendeve të veçanta, mund të sjellë pengesa dhe vonesa të reja në një integrim më të thellë dhe më të zgjeruar edhe politik të BE-së.
Nëse e dëshirojmë realisht Evropën e Bashkuar, Evropën e vlerave me të mira të demokracisë dhe solidaritetit, ajo duhet ndihmuar duke bërë reforma të domosdoshme që i reduktojnë dhe i bëjnë më të lehta krizat e vendeve të veçanta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›