Rubena Moisiu - “Si i tregova tim eti shtatzëninë e fshehtë”
Ani Jaupaj
Jo! Asnjë lidhje nuk ka! Le të jesh studente mjekësie, le të kesh punuar për vite të tëra në konsultore fëmijësh, kur vjen puna te vetja, përvoja është unike. Radhët e tëra të literaturës të fshihen nga kujtesa. Ke sy vetëm për atë krijesën e vogël që mban në dorë, sikur deri dje, të mos kishe hequr një mijë e një peripeci, qoftë edhe për ta nëpërmendur. Në fakt, në mend, drejtoresha e maternitetit “Koço Gliozheni”, Rubena Moisiu, as që e kishte çuar, po ja që ngjarjet ashtu rrodhën, ia kujtuan vetë. Nuk ishte në planet e së ardhmes së afërt ardhja në jetë e një fëmije, sidomos jo në mes një sezoni provimesh, jo në moshën 23-vjeçare. Edhe tani, pas 28 vitesh, Rubena nuk e ka harruar sikletin e 3 muajve të parë të shtatzënisë, askush nuk e dinte përveç saj dhe djaloshit që pak muaj më pas do të bëhej bashkëshorti. Edhe pse ka thuajse 6 muaj që mban në krahë të mbesën, Sofinë, ankthin e rrëfimit të shtatzënisë së befasishme të atit e ka si nëpër sy. Afërmendsh që ende nuk kishte patur kohë të mendonte për asgjë, përveç se për martesën që domosdo duhet të bëhej një orë e më parë.
Ka portret të rreptë babai juaj, si e priti lajmin?
Reagoi më qetësisht nga ç’e kisha menduar, madje ishte pikërisht ai, që qetësoi edhe pjesën tjetër të familjes.
Ju ishit në mesin e vitit të fundit të studimeve për mjekësi, pra, pjesa më e vështirë ishte ende përpara. Vetë si e pritët?
Asokohe, problemi im kryesor ishte si ti thosha familjes, si do të organizohej dasma. E gjithë kjo më linte shumë pak kohë për të menduar për bebin. E gjithë vëmendja mu zhvendos te gjithë gjërat që duhet të bëja, të paktën 6 muajt e parë.
çka ju pengonte ta përfytyronit veten të shndërruar në nënë?
Parafytyrimet e mija të para kanë qenë më shumë mjekësore, rrjedhojë e lëndës së obsetrikës, por t’i mishëroja gjithë ç’kisha mësuar te vetja ime, jo, mendoja se isha ende shumë e re për ta bërë. Por nuk paskam qenë dhe aq e re...
Pasi i kaluat ‘peripecitë’, keni menduar padyshim edhe për gjininë, kishit preferenca?
Jo. As për mua as për tim shoq nuk kishte asnjë rëndësi gjinia. Ashtu rastësisht siç erdhi, ishte i mirëpritur çfarëdo që të ishte. Zoti desh të ishte një vajzë e bukur, të cilën e quajtëm Jonida.
Si ishin tre muajt e pritjes me qenë se ata 6 të parët nuk po i quajmë? çfarë ndienit, ankth, pasiguri, padurim... çfarë?
Momentet më të bukura janë atëherë kur nis të ndjesh lëvizjen brenda teje. Ajo është ndjesia më e bukur dhe e para që të ngacmon e të bën të mendosh për krijesën që po rritet. Përpara këtij çasti, përpos edhe lëndëve mjekësore, dija vetëm që kisha një embrion dhe kaq, nuk kishim kulturë tjetër. Madje në shtatzëninë e parë nuk kam besuar as që bën efekt të flasësh me bebin. Netët e fundit më kapte ankthi pa fund, qaja pa shkak. Gjatë shtatzënisë, e sheh botën ndryshe, jo me përmasat reale, sensibiliteti është në shkallë të lartë. Paniku, siç më rezulton edhe tani nga gjithë çfarë shoh është më i rëndë. Deformimi fizik është shqetësues më vete sepse nuk di si të rrish si të flesh, gjithçka të vështirësohet.
Si ishte kontakti i parë fizik me të?
Unë pata lindje shumë të lehtë, kështu që mu venitën sakaq gjithë tmerret që kisha parë e dëgjuar më parë. Ngelej vetëm të merrja të voglën në krahë. Ishte padyshim shumë bukur, por fare e pabesueshme. I harron të gjitha fjalët me të cilat deri më parë ishe mësuar të shprehje dashurinë. Je e magjepsur dhe e hutuar nga habia, ndërsa ende nuk mund të besosh se krijesa që mban në duar është e jotja. Atëherë të lejonin ta mbaje fëmijën vetëm një minutë në krahë. Mundeshe vetëm ta shtrëngoje dhe duhet ta largoje. Në ato çaste më nisën shqetësimet, mendoja po sikur të mos e njoh më kur të ma sjellin sërish, po sikur të ma ngatërrojnë. Tre ditët në vijim e shihja si me dyshim. Kontrolloja edhe numrin kur e merrja në krahë, pastaj i jepja për të pirë. Ky ankth përsëritej çdo tre orë që ma sillnin për ta ushqyer.
Pas tre ditësh, ‘me rregullore’, dolët e mund ta kishit më në fund për vete për ta mbajtur në dorë sa orë të donit. Si ishte jetesa, familja e re?
Jonida ka qenë fëmija i parë në fis e për pasojë kishte vëmendjen e dashurinë e të gjithëve. Merreshin gjithë ditën me të aq sa pata frikë mos ma llastonin më shumë se duhej por jo. Jonida ka qenë fëmijë i mbarë, nuk para qante, kështu që edhe netët e mija kanë qenë të qeta. Bën përjashtim vetëm nata e parë që ka qenë e tmerrshme. Vajza nuk pushonte së qari. E kemi gdhirë të gjithë. Ishim rreth shtatë vetë, atë natë.
Ndërkaq kishit lënë studimet pezull, duhet të riktheheshit, kush do ta mbante fëmijën?
Tre ditë pas lindjes jam rikthyer në shkollë. 1 muaj më pas kisha sezonin e provimeve. Ime më, ka pas qenë arsimtare, e kthehu punën pasdite, që të kishte paraditen e lirë për të mbajtur Jonidën. Pasdite isha unë në shtëpi, por ndërkohë edhe gjatë pjesës së parë të ditës e merrja autobusin çdo 2 orë e gjysmë për t’i dhënë gji e kthehesha sërish në shkollë.
Mëmësia ka qenë instinkt apo mësim i vazhdueshëm?
E konsideroj mëmësinë, përveç instiktit të lindur, mësim të vazhdueshëm.
Mes shtatëzanisë së parë dhe të dytës, çfarë diferencash bëni?
Herën e dytë është më e lehtë, mëson si të sillesh. Perfeksioni nuk arrihet, megjithatë me kalimin e kohës di si t’i bësh gjërat më mirë që në fillim. Di ta vësh në gjumë pa u munduar gjatë. Emilda ka lindur 3 vite e dy muaj pas Jonidës. Edhe e dyta ishte shtatzëni rastësore, duke qenë që nuk mund të mbroheshe ndryshe atëherë, përveç se me metodat natyrore. Po pavarësisht përparësive në njohuri e praktikë, në ’85-ën unë punoja në Shkodër në një konsultore fëmijësh. Ka qenë dimër shumë i ftohtë atë vit. Më duhej të vishja këpucë zbori 4 numra më të mëdha për të mos rrëshqitur në dëborë. Ato muaj kam nisur të flas me bebin. I thosha shpesh: do të shkojmë deri në fund, shpirti i mamit.
As këtë herë nuk kishit preferenca për gjininë?
Unë jo. Im shoq pat thënë dy-tri herë: “sikur të ishte një çik djalë” meqenëse kishte ngelur traditë në familje, por unë jo.
Gjyshja e Sofisë
Në imazhin e ekranit të desktopit të zyrës së drejtoreshës së maternitetit, qeshin me sa mundin sytë qartësisht të katër të një fëmije. Duket si ndonjë kartolinë e kërkuar me mund për t’i mëshuar institucionit që i sjell fëmijët në jetë. Po asfare s’ka të bëj. Ajo është dashuria më e re e më pa fre e Rubenës. Sofi, 6 muajshe e pak ditë, i tejkalon çdo cak të dimensioneve të buzëqeshjes normale të Rubenës. Sportiviteti dhe forma e mirë fizike e saj të imponojnë natyrshëm të mos e quash kurrësesi gjyshe, e megjithatë e bija e doktoreshës ka lindur vajzën më të bukur në botë. Mami Rubena thjesht ishte e pranishme në sallën e lindjes, po realisht kontributin e saj mjekësor e kishte të pamundur ta jepte. E si mundej të afrohej, ai diell i vogël do ta verbonte sakaq...