Sajmir Çili: Turbo-folku, rryma moderne që po humbet identitetin shqiptar
Është një nga artistët më aktiv në muzikën shqiptare, i cili tashmë si kantautor ka ndërtuar një jetë artistike që ka marrë duartrokitje të shumta nga publiku, por dhe vlerësime në festivale të ndryshme të këngës. Pjesëmarrës në shumë aktivitete muzikore kantautori Sajmir Çili ashtu si të gjithë artistët e tjerë profesionistë e ka shqetësuar fenomeni i rrymës muzikore turbo-folk, një rrymë e cila sipas shumë artistëve po i humbet identitetin krijimtarisë sonë muzikore.
Në një intervistë dhënë për gazetën SOT kantautori i njohur flet për gjendjen e tregut muzikor shqiptar, duke vënë theksin në problemet më të mëdha që ai has sot. Sipas tij, të drejtat e autorit në vendin tonë nuk mbrohen sa duhet, dhe për piraterinë që ekziston sot në tregun muzikor shqiptar kantautori shprehet se faji është dhe i strukturave të Ministrisë së Kulturës. Duke e cilësuar piraterinë, si një fenomen negativ që godet të drejtat e autorit në vendin tonë ai shprehet dhe për pasojat që sjell pirateria. Më tej kantautori Sajmir Çili jep mendimin e tij për masat që duhen marrë për parandalimin e këtij fenomeni. Gjatë kësaj interviste si një njeri aktiv në muzikën shqiptare ai zbulon dhe disa nga projektet e tij në fushën e muzikës dhe një prej tyre është dhe një muzikal shqiptar.
-Jeni një nga emrat e njohur të muzikës shqiptare. Si e shikoni sot tregun muzikor shqiptar?
Tregu muzikor shqiptar ka qenë akoma dhe më keq disa vite më parë, sepse u futën disa këngë të huaja, të huazuara dhe u kthyen në shqip, por në ato vite ishte një bum, sepse nuk kishte treg muzikor në vendin tonë dhe në atë kohë shitej kushdo. Problemi i tregut muzikor shqiptar qëndron në faktin se shiten dhe ka akoma pisllëqe të muzikës, që shiten për muzikë të bukur. Këtë faj unë ia dedikoj shtëpive diskografike, që çfarë gjejnë në rrugë e marrin, e fusin në dyqan dhe e shesin. Ata duhet të jenë më selektivë, sa i takon muzikës, që të selektojnë vetëm ata që duhet të jenë emra dhe muzikantë të vërtetë më tepër tek tregu, pasi edhe ata vetë duhet të kenë shitje. Ministria e Kulturës, vetë shteti duhet që këto shtëpi diskografike ti kontrollojë, që këta të nxjerrin në treg vetëm materiale të mira muzikore, të bërë nga kompozitorë të mirëfilltë dhe të kënduar po nga këngëtarë të mirëfilltë.
-Sipas jush sa e ka dëmtuar krijimtarinë shqiptare rryma muzikore turbo-folk?
Problemi i turbo-folkut është një problem modern, por që është bërë dhe nga kompozitorë të mirëfilltë, por dhe nga pseudokompozitorë, duke menduar se ne po bëjmë muzikën tonë popullore dhe po e modernizojmë. Kjo është e keqja, sepse ta bëjë një kompozitor i mirëfilltë, nuk i humbet vlera muzikës sonë popullore, por kur kjo bëhet nga pseudokompozitorët, dhe e kënduar nga pseudokëngëtarët normalisht kjo prish vlerat tona artistike,vlerat e folklorit tonë kombëtar që natyrisht kanë një gamë shumë të madhe, por që ka dhe një larmi shumë të madhe në skenë. Duke u sjellë keq në skenë, dhe po ashtu keq për dëgjuesin kjo na dëmton, sepse humbet identiteti shqiptar. Pra nëse do të bëhej turbo-folku nga kompozitorë të mirëfilltë këto vlera do të mbeteshin shqiptare, ndërsa kur dëgjon një turbo-folk të bërë nga këta persona no name të ngjan si këngë serbe, rumune, etj, nuk merret vesh që është shqiptare dhe ky është dëmi që i kanë sjellë këta pseudoartistë muzikës sonë shqiptare. Mund të them që disa orkestrues ose disa këngëtarë kanë bërë turbo-folk, por i kanë prishur këngët tona popullore. Për këtë situatë fajin kryesor dhe këtë dua ta theksoj e kanë shtëpitë diskografike që u munduan që të pasurohen më këta këngëtarë dhe nuk panë fare se çfarë fenomeni po ndodhte me muzikën shqiptare. Duke qenë një popull në Ballkan, duke dëgjuar një këngë të bukur greke ose turke të përkthyer, normalisht që popullit shqiptar do ti pëlqente ajo lloj muzike dhe do ta blinte, por në këtë rast pati faj dhe shteti.
-E ndërkohë cilat janë masat që duhet të merren për këtë ?
Unë kam vite që e them që Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve duhet të ketë një bord më vete, ashtu si ka drejtorinë e artit dhe kjo drejtori të krijojë një bord që të licensojë këto shtëpi diskografike, por të licencojë dhe albumet që dalin në treg. Pa miratimin e këtij bordi të mos dali në treg asnjë, por ky bord të mos të ketë anëtarët me konflikt interesi, por të jetë me profesionistë. Me anë të këtij bordi, mendoj se do të zgjidhen dhe shumë probleme, sa i takon dhe identitetit shqiptar.
-Sipas jush, si ka ndikuar komercializmi në vlerat muzikore?
Komercializmi është një fenomen që ndeshet dhe në botë. Vetë fjala komercializëm është vlerë momentale, pra kalon në rrugë dhe ikën, por që unë jam me mendimin që kur bëhet nga profesionistët edhe ajo që është komerciale sillet bukur dhe pëlqehet nga publiku, normalisht aq sa ajo ka kohën, p.sh një këngë vere mbetet vetëm një këngë vere.
-E drejta e autorit sot është një problem që ndeshet gjerë në tregun shqiptar, sipas jush sa zbatim gjen e drejta e autorit sot në vendin tonë?
Unë vetë jam prekur shumë pak nga pirateria dhe për këtë arsye nuk kam bërë albume në shitje, sepse interneti ka bërë kërdinë. Kështu unë kam kënduar tek Maratona e Këngës Popullore dhe e shoh veten në internet pa marrë leje, kur nuk e ka publikuar TV Klani, kështu funksionon dhe për shumë këngëtarë të tjerë. Pasi i gjen këngët në internet, i shkarkon, por kjo është në dëm të shtëpisë diskografike. Kjo është një thikë me dy presa por po nuk u zhduk pirateria me anë të internetit, atëherë kjo situatë do të rëndohet dhe më shumë dhe do të sjellë shumë dëme. Ky është një problem shumë i madh për sa i përket tregut muzikor dhe do të thosha që është një fenomen i mbrapshtë tek ne sepse shitet muzikë e huaj pa marrë asnjë lloj leje, asnjë lloj konfirmimi nga shtëpitë diskografike që i disponojnë këto jashtë vendit tonë.
-E ndërkohë janë marrë dhe masa ndaj piraterisë?
Me aq sa unë kam dëgjuar, gjërat po vijnë në rregullim, pra që nuk ka më vjedhje aq të mëdha sa më parë, por mendoj se ekziston akoma pirateria me përmasa të mëdha. Më e dëmshmja për momentin është dalja në internet dhe shitja free e këtyre materialeve muzikore.
-Diçka rreth pjesëmarrjes suaj në Festivalin Kënga Magjike, pasi erdhët me një performancë ndryshe nga sa ju kemi parë në skenë më parë?
Vetë natyra e këtij festivali do patjetër dhe një performancë, pasi ashtu janë të gjitha këngët që marrin pjesë në këtë festival, sepse po të isha vetëm unë si këngëtar ajo nuk do të ishte në përshtatje dhe me vetë natyrën e këtij festivali. Kështu që, duke qenë afër shumë miqve të mi që janë regjisorë poetë dhe muzikantë, ata më dhanë mendimin që të bëja këtë lloj performance ndryshe nga ai Sajmir që del në skenë dhe them se ia arrita qëllimit tim për të sjellë diçka të veçantë në skenë tek spektatori.
-Çfarë mendoni për festivalet e këngës që zhvillohen në vendin tonë?
Festivalet shqiptare janë mirë që organizohen, por festivali Kënga Magjike ka bërë hapa shumë të rëndësishëm në muzikën shqiptare, dhe me të vërtetë aty gjen dhe këngën komerciale dhe atë profesionale. Për këtë ky festival ka një meritë shumë të madhe.
-E ndërkohë, cili është mendimi juaj për Festivalin e RTSH?
Festivali i Këngës në RSTH ka një firo. Ashtu si çdo gjë shtetërore edhe ky festival ka një firo dhe kjo sepse nuk ka përgjegjësi, pra jemi në shtet. Problemi është se, nëse nuk vihet një dorë e fortë për këtë festival, ai do të mbetet një festival i traditës, por do mbetet me notë kaluese deri tek pesa. Unë jam nostalgjik për këtë festival, sepse u bënë 13 vite dhe është festivali i parë që nuk marr pjesë, sepse aty punët bëhen tamam si në shtet. Nuk merren gjërat