E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konfirmohet bashkimi i Kërçovës

07-07-2012 / Gazeta 55

Bashkimi i katër komunave tjera me Komunën e Kërçovës konfirmohet me propozim ndryshimet dhe plotësimet e reja në Kodin Zgjedhor, të cilat janë harmonizuar me Ligjin për ndarje territoriale

Shkup, 6 korrik - Zajazi, Osllomeja, Vraneshtica dhe Dërgova përfundimisht në vitin 2013 do të bëhen bashkë me Komunën e Kërçovës, ashtu siç edhe parasheh Ligji për ndarje territoriale. Bashkimi i tyre konfirmohet me propozim ndryshimet dhe plotësimet e reja në Kodin Zgjedhor, të cilat janë miratuar të martën në seancë qeveritare. “Është bërë harmonizimi me Ligjin për ndarje territoriale dhe me zgjedhjet lokale të vitit 2013 nga pesë komisionet komunale sa ka tani, Kërçova në të ardhmen do të ketë një komision. Me këtë konfirmohet që Kërçova të jetë një komunë”, thotë zëdhënësi i Qeverisë Muhamet Hoxha. Ndryshe, partitë shqiptare janë shprehur të gatshme për bashkëpunim zgjedhor për të fituar kandidati shqiptar nëse eventualisht partitë maqedonase dalin me një kandidat të përbashkët për kryetar të Kërçovës, ndërsa si emër më i përfolur është ai i kryetarit aktual të Osllomesë, Fatmir Dehari, edhe pse ai në një prononcim të mëhershëm është shprehur se është herët të diskutohet dhe se për këtë vendos BDI.  
Nga ana tjetër, ndryshimet në Kodin Zgjedhor ditët e ardhshme pritet të hynë në procedurë parlamentare, pasi Qeveria i dha dritë jeshile propozimit që Ministria e drejtësisë e ka përgatitur në bashkëpunim me grupin punues, të përbërë nga ekspertë dhe përfaqësues të partive në pushtet dhe opozitë. Kryetari i Parlamentit, Trajko Veljanovski, ka paralajmëruar se faza e parë parlamentare për ndryshim të Kodit Zgjedhor pritet të përfundojë kah fundi i korrikut, ndërsa Ligji përfundimisht të miratohet para Raportit për përparimin e Maqedonisë nga Komisioni Evropian. Me ndryshimet e propozuara në Kodin Zgjedhor, të cilat i propozon Ministria e Drejtësisë, gjithashtu definohet se gjatë periudhës së fushatës zgjedhore funksionarët e pushtetit ekzekutiv të cilët do të jenë kandidatë zgjedhor, detyrat e tyre do të mund ti kryejnë vetëm teknikisht. Një nga kritikat e deritanishme që janë adresuar lidhur me zgjedhjet ka të bëj me financimin e fushatave zgjedhore të partive politike. Tani e tutje partitë krahas xhiro-llogarisë së posaçme për zgjedhje, do të duhet të regjistrojnë edhe numër tatimi, ndërsa edhe më tej duhet të dorëzojnë raporte financiare për harxhimet e bëra gjatë fushatës zgjedhore. Nga ekzekutivi theksojnë se në propozim ndryshimet e Kodit Zgjedhor janë përfshirë rekomandimet e OSBE-ODIHR.  Edhe në të ardhmen do të mbetet përbërja e vjetër e komisioneve zgjedhore, respektivisht tre anëtarë të administratës dhe nga një prej partive në pushtet dhe opozitë. LSDM-ja opozitare është shprehur e pakënaqur me këto zgjidhje, duke akuzuar partitë në pushtet se nuk janë të interesuara për kornizë të qartë ligjore dhe zgjedhje të lira e demokratike. Sipas kësaj partie, propozimet janë kozmetike dhe nuk janë implementuar rekomandimet e OSBE-ODIHR.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›