E Diel, 1 Nëntor 2026

Vizita e Papës në Liban dhe ndikimi i saj pozitiv në rajonin e Lindjes së Mesme

07-07-2012 / Gazeta 55

Benedikti XVI do të vizitojë Libanin nga data 14 deri më 16 shtator të ardhshëm. Arsyeja e këtij shtegtimi apostolik të Atit të Shenjtë Ratcinger është e shumëfishtë: vizita e të krishterëve të Libanit e atyre që janë në Lindje të Mesme, nënshkrimi dhe dorëzimi i dokumentit që doli nga punimet e Sinodit të ipeshkvijve, që u mbajt në Vatikan para dy vjetësh, pikërisht mbi Kishat e të krishterët në Mesdhe dhe takimi me liderët e feve monoteiste të rajonit. Kështu, rasti i shtegtimit të 25-të papnor ndërkombëtar të Benediktit XVI në Liban, është mu nënshkrimi dhe dorëzimi i dokumentit ‘Këshillimi apostolik pas-sinodal’ për Lindjen e Mesme të krishterëve të këtij rajoni, në një kohë të veçantë shndërrimesh shoqërore. Gjatë tre ditëve, Ati i Shenjtë Ratcinger do të shqiptojë 7 fjalime, do të nënshkruajë dokumentin pos Sinodal për Kishat e Lindjes së Mesme, do të takojë autoritetet më të larta shtetërore e politike dhe krerët e islamit në Liban. Pra, një vizitë e shkurtër e Papës në Liban për t’i përqafuar të gjithë popujt e Lindjes së Mesme, me domethënie të madhe fetare e shoqërore. Dokumenti pas-sinodal, fryt i Asamblesë së veçantë të Sinodit të ipeshkvijve për Lindjen e Mesme të tetorit 2010, sipas vikarit apostolik të latinëve në Bejur, imzot Paul Dahdah, do të ketë “një thirrje drejtuar mbarë shoqërisë mesdhetare, të krishterëve të Rajonin që të mos emigrojnë, thirrje për bashkëjetesën paqësore e dialogun”. Kjo përfaqëson një sfidë për Kishat mesdhetare të ndara në ritet e tyre: “ duhet të mos harrojmë se nuk jemi as të Pali, as të Apolit, as të Kefës, por jemi të Krishtit”. Në fjalët e imzot Dahdah nuk mungon as shqetësimi për atë që është duke ndodhur në Siri e në Vende tjera mesdhetare, në të cilat nuk shihen “filizat, nuk duken shenjat e zgjimit” të asaj që në Perëndim të gjithë e quajnë “Pranverë arabe”. Prandaj, vizita e Papës pritet me shumë gëzim por me interes të veçantë, e pavarësisht nga situata jo fortë e qëndrueshme brenda e jashtë Libanit, posaçërisht në Siri, sigurisht do të ketë ndikim të mirë.
Pritja në Lindje të Mesme për vizitën e Papës Benediktit XVI në Liban/Në mbarë Tokën e Shenjtë dhe në Lindjen e Mesme, udhëtimi apostolik i Papës në Liban në shtator të ardhshëm, pritet me padurim e gëzim të madh. Një pritje që filloj të rritet edhe më tej me shpalljen e programit të vizitës papnore, të martën e kaluar. Mbi rëndësinë që kjo ngjarje përfaqëson për të gjithë të krishterët e rajonit mesdhetar, në mikrofonin e Radio Vatikanit flet eprori i Rojtarisë së Tokës së Shenjtë, françeskani atë Pierbattista Pizzaballa. “Këtu, në Tokën e Shenjtë, pritja për vizitën e Papës është tejet e madhe. Menjëherë na kanë ardhur jashtëzakonisht shumë kërkesa për pjesëmarrje. E dimë që – për shkak të situatës politike – nuk do të jetë lehtë të merren vizat. Libani, për mbarë Lindjen e Mesme të krishterë, është pik referimi shumë e rëndësishme nga pikëpamja kulturore, por edhe për gjallërinë e vet Kishës. Për këtë arsye të gjithë duan të jenë të pranishëm. Asambleja e priftërinjve famullitarë, kryesuar nga Patrikut i Jerusalemit, ka vendosur që viti i ardhshëm baritor do t’i kushtohet pikërisht studimit dhe leximit në të gjitha kishat famullitare, të dokumentit të ‘Këshillimit pas-sinodal’ për Lindjen e Mesme, të cilin dokument Papa do ta prezantojë me rastin e vizitës së tij të ardhshme. Kështu, tashmë ka filluar përgatitja dhe pritja e madhe. Sigurisht që pritet shumë nga ky dokument ‘Këshillim’ pas një Sinodi kaq të rëndësishëm, siç ishte ai për Lindjen e Mesme mbajtur para dy vjetësh në Vatikan… Po, do të jenë përfundimet e Sinodit, por do të ketë edhe aspekte konkrete të veprimit: linja udhërrëfyese që Ati i Shenjtë do të na i japë, udhëzime, fusha të veprimit, por edhe drejtimi apo udha që Kishat e Lindjes së Mesme duhet të ndjekin e përshkojnë në vitet e ardhshme, të cilat, siç e dimë të gjithë, janë në një fazë shumë të rëndësishme kalimi. Gjatë vizitës së tij në Liban, Benedikti XVI do të takojë edhe krerët fetar të bashkësisë islame. Takim ky është me rëndësi të madhe, duke kujtuar edhe dialogun ndërmjet të krishterëve e myslimanëve në Lindje të Mesme… Sigurisht, një ndër temat e rëndësishme të Sinodit kushtuar Lindjes së Mesme, ka qenë pikërisht marrëdhënia me islamin. Kishat e Lindjes së Mesme kanë shumë për të thënë mbi këtë marrëdhënie, dhe e ardhmja e tyre qëndron pikërisht në aftësinë e kultivimit të marrëdhënieve të qeta e të qarta me islamin e Lindjes së Mesme, i cili edhe ia vet është në kohën e ndryshimeve të mëdha, në periudhën e shndërrimeve të mëdha. Do të jetë një ndër takimet më të rëndësishme, e edhe një ndër udhëzimet më relevante që Papa do të na japë për të ardhmen.

 

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›