Epo, çu bë me dosjet?...
Është e dukshme se Shqipëria rrezikon të mos i përgjigjet Rezolutës së Strasburgut për dënimin e krimeve të komunizmit. Ajo që ndodhi në “fushatën” më të fundit politike... kundër spiunëve dhe (gjoja) pro hapjes së dosjeve, na rrëfen edhe njëherë se ndarja me të shkuarën, shtyhet me qëllim në kalendat greke. Pas disa ditësh me diskutime intensive dhe tituj bombastikë, tema e hapjes së dosjeve është lënë sërish në harresë; dhe jo për të parën herë. Draftet e ndodhura (prej vitesh) në sirtarët e komisionit përkatës, nuk gjetën asnjëri rrugën e diskutimit në Kuvend. E pra, është një përpëlitje më shumë se qesharake; gjithaq edhe e trishtueshme. Për hir të përfitimeve politike, rimarrja e së shkuarës jo vetëm vonohet, por shfaqet herë pas here si një komedi. Një komedi provokuese, fyese. Politikanët shqiptarë, në masë prodhim i kohërave të dosjeve, nuk janë të besueshëm kur grinden për “mënyrën” se si do të hapen këto dosje. Vetë kryeministri Berisha, gjithashtu pjesë e kohës për të cilën flet me aq mllef, është pak i besueshëm kur kërkon ngritjen e një instituti që do të zbardhë krimet e komunizmit. Sot, pas 17 vitesh tranzicion, pluralizëm dhe ekonomie tregu(!) Duke përshkruar pasojat e diktaturës, tamam si në ndonjë hartim, midis të tjerave, ai thotë: “...me qindra e mijëra prej tyre gjetën vdekjen nga uria e pjesshme, apo për shkak të sëmundjeve që sillte mosushqyerja dhe kequshqyerja e tyre. Mijëra jetë fëmijësh të këputur nga mjerimi”. E vlen të përsëritet, asnjëherë nuk është vonë të skanohet e shkuara. Por për një pjesë të politikanëve shqiptarë, ish-komunistë “me grada” në atë kohë, është me të vërtetë vonë. Prandaj karta e antikomunizmit është luajtur disa herë, për të mos u hapur asnjëherë; dhe tani, ka katandisur pak a shumë si ajo puna e Zalos me ujqit... Kjo praktikë e mbushur me gënjeshtra, hiq e mos këput, të kujton deri diku frazën e njohur të Frojdit: “Qytetërimi identifikohet me ndrydhjen”.
Këtë herë, i ra shorti shumicës të përqeshet me dosjet; ajo u tregua tejet kontradiktore në dilemën për t’u ndarë me komunizmin dhe krimet e tij apo jo. “...me qindra e mijëra prej tyre gjetën vdekjen nga uria e pjesshme, apo për shkak të sëmundjeve që sillte mosushqyerja dhe kequshqyerja e tyre. Mijëra jetë fëmijësh të këputur nga mjerimi”. Të duket sikur je në tekstet e kohës së diktaturës, që flisnin veç zi për periudhën e Mbretit Zog. E pra, problemi është shumë i thjeshtë. Ku ndahet vizioni i kritikuesve të regjimit të shkuar, i të gjithëve ne, prej asaj marrëzisë që në histori ka hyrë me emrin “prolekt-kult”? (Ideja e shkatërrimit të fabrikave dhe gjithë produktit tjetër të ndërtuar gjatë regjimit bolshevik në Rusi.) Koha ka rrëfyer se ne, (sikundër gjithë ballkanasit, në mos më shumë) jemi gjaknxehtë, jemi edhe të manipulueshëm, mandej rëndom iu falemi ekstremeve. Kështu, nuk mundet assesi që nga njëra anë të formulojmë gjithë demagogji nevojën e ngutshme “për të larë hesapet” me komunizmin, kurse nga ana tjetër bartësit e tij besnikë dhe mentaliteti e praktikat komuniste të gëlojnë cep e më cep të vendit. A nuk është marrja nëpër këmbë e të drejtës së pronarëve (të quajtur rëndom ish-pronarë) një nga shprehjet më të kthjellëta të “komunistizimit” të demokracisë shqiptare? A nuk është e vërtetë që shumë pak prej ish-të përndjekurve politikë apo individëve që iu përkasin familjeve antikomuniste kanë gjetur hapësirë në politikën shqiptare dhe po ashtu në administratë? Dhe ndërkaq, a nuk është mentaliteti i drejtimit politik dhe të shtetit, (deri diku edhe i institucioneve të tjera) ende nën ndikimin e modeleve të arrivizmit dhe autoritarizmit komunist? Demagogjia ka aq shumë peshë në jetën tonë, sa që të duket e habitshme se si mund të ndodhë kjo gati 20 vjet pas përmbysjes së diktaturës dhe sistemit më totalitarist në Evropë. Pikërisht demagogji ishte edhe loja më e fundit me dosjet. Një fjalë e urtë popullore thotë: “Gjëja që nuk zgjidhet, pritet”.
Ndërkaq, (është me të vërtetë e papranueshme) ndjeshmëria për temën e dekomunistizimit, si kurrë ndonjëherë, paraqitet jo dhe aq e përfillshme. Kjo ndodh jo pse shqiptarët e kanë harruar të shkuarën, por sepse ata janë të zhgënjyer nga e sotmja. A nuk u shoqërua viti ‘97 me një barbari të vërtetë dhe me mijëra kufoma (të vërteta)? Kush u përgjigj për këtë? A ishin fëmijë e të rinj ata që punonin dhe vdiqën në Gërdec? Dhe a nuk po përpiqen të gjithë (fajtorët) të dalin “pa u lagur” nga kjo histori? Atëherë pyetja më e drejtpërdrejtë, mbase dhe më e sinqertë, do të ishte pak a shumë kjo: “A do të dijë ndonjëherë kjo shoqëri të ndalet dhe t’i thotë “Stop!” përdorimit të dosjeve e të pseudonimeve, sa edhe heshtjes për to? Por me ç’ligje a ç’mjete do të kthehen në normalitet të vërtetat, trashëgimia historike, ajo kulturore e letrare, më tej, vetë jeta dhe vlerat e një sërë brezave të këtij vendi? Më e pakta, mund të gjendet për to një “e mesme e artë” e pranuar gjerësisht? Dhe më në fund, a mund ta bëjë këtë një institut “demokrat” apo një institut “socialist”? Për të vënë pikat mbi i, sa i takon së shkuarës, pushtetet e kanë patur në dorë dhe nuk e kanë bërë një gjë të tillë. Mirëpo ndërkaq, atyre mund t’iu propozohet të ngrihet sot edhe një institut për të verifikuar pasojat e ngjarjeve të vitit ‘97; një tjetër për problemet e korrupsionit, trafiqeve, Gërdecin pse jo. Dhe këtu nuk është fjala thjesht për këto tragjedi, por për gjithë maskaradën e tranzicionit, gjatë të cilit, këta që bërtasin kundër komunizmit nuk janë sjellë më mirë se komunistët; madje kanë vjedhur, duke vënë mënjanë pasuri përrallore, duke mashtruar e duke u tallur me ata që e marrin bukën me listë, më në fund edhe duke vrarë, njerëz dhe shpresa. Dënimi i krimeve të komunizmit nuk bëhet thjesht me deklarata e rezoluta, paçka se në Shqipëri edhe këto kanë munguar. Dënimi i krimeve të komunizmit bëhet duke ndërmarrë lëvizje konkrete për t’i hapur e mbyllur njëherë e mirë të gjitha dosjet e së shkuarës; por bëhet edhe duke i harruar modelet komuniste të mohimit të gjithçkaje (jokomuniste) dhe të vetëlavdërimit gjer në grotesk. Në këtë temë, Shqipëria është mjaft “larg” Strasburgut. Kështu, me të vërtetë ka nevojë për disa institute ky vend. Më së pari, për institutin që dëbon spiunët, por edhe komunistët (tranzicionalistë) nga pushteti.