Drejtoi protestën, pushohet nga puna kryesindikalisti i Fierzës
Kukës- Pas vendimit për pezullim nga puna, sot është pushuar përfundimisht Lirim Alia, kryetar i sindikatës së hidrocentralit të Fierzës.
Vendimi është dhënë, pasi edhe drejtori i divizionit të prodhimit në KESH, Muharrem Stojku i ka dhënë “OK” propozimit të drejtorit të Hec-it të Fierzës, Qazim Dusha për largimin nga puna të kreut të sindikatës së Hec-it të Fierzës, Alia.
Më 30 maj të këtij viti Alia organizoi një protestë, e cila nuk u lejua të zhvillohet në ambientet e brendshme të Hec-it, por u zhvillua te porta hyrëse e tij.
Rreth 120 punonjës të Hidrocentralit, të mbledhur në sindikatën e Alisë organizuan protestën në kërkim të: Nënshkrimit të kontratave të punës të nivelit të dytë mes punonjësve të Hec-it dhe drejtorisë, kushte më të mira pune, veshje e transport falas, etj..
Por, drejtoria e quajti gjithë këtë, një prostestë të paligjshme dhe pezulloi kreun e sindikatës për pjesëmarrje në protestë të paligjshme.
Tani, Alia thotë se nuk i ka mbetur tjetër gjë veçse t’i drejtohet gjykatës. “Atje do të kërkoj të drejtën time për t’u rikthyer në punë”- ka thënë ai, duke e quajtur absurd dhe të padrejtë vendimin për largimin nga puna vetëm se organizoi protestën për të drejtat e punonjësve.