'Gërdeci', nis seanca gjyqësore ndaj 29 të pandehurve
TIRANË - Ka nisur rreth orës 11:00, në Gjykatën e Shkallës së Pare në Tiranë, seanca ndaj 29 te pandehurve, të akuzuar për tragjedinë e Gërdecit. Një javë më parë seanca u shty për shkak të mungesës së avokatit Artan Kodheli që mbron interesat e të pandehurit Agim Lala një prej ushtarakeve ne Ministrinë e Mbrojtjes.
Asnjë seancë nuk është zhvilluar deri tani për shkak të shtyrjeve të njëpasnjëshme.
Procesi eshte zvarritur prej 7 muajsh, që nga koha që prokuroria ka dorëzuar dosjen në gjykatë.
Mes të pandehurve janë edhe, administratori i "Alba Demil", Mihal Delijorgji dhe ish-kreu i MEICO-s, Ylli Pinari si de disa ish-ushtarakë të lartë akuzohen si përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit.
Pak dite me pare, Presidenti i Republikës Bamir Topi në cilësinë e kreut të Këshillit të Lartë të Drejtësisë kërkoi gjykim të pandërprerë të çështjeve gjyqësore, gjykim me përgjegjësi e larg influencave.
Ndërkohë, i pandehuri Fatmir Mediu, ish ministër i Mbrojtjes në kohën e tragjedisë u lirua nga akuza, pasi gjykata e Lartë vendosi të pushojë çështjen në ngarkim të tij me argumentimin se ai është person me imunitet.