E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sekuestrohen investimet në pronat e sindikatave

TIRANË- Të gjitha kontratat e lidhura midis sindikatave dhe investitorëve që kanë të bëjnë me marrjen ne shfrytëzim apo për blerjen e pronave të tyre, janë të pavlefshme.


Komisioni Parlamentar i Ekonomisë kaloi dje projektligjin për pronat e sindikatave duke i konsideruar "nul" të gjitha kontratat që këto të fundit kanë lidhur me palët e treta me subjekt lëshimin me qira ose shitjen, që i janë njohur me një dekret të presidentit të republikës në vitin 1992.


"Këto prona nuk janë të sindikatave dhe nuk duhet të trajtohen sikur shteti po ia merr këtyre të fundit, pasi ato nuk kanë qenë të tyret.


Çdo kontratë e lidhur mes tyre dhe të tretëve është e jashtëligjshme",- tha kryetari i Komisionit Edmond Spaho. Nga ana tjetër, edhe përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë deklaruan se ka një vendim të Gjykatës së Lartë, e cila njeh shtetin si pronar të përhershëm të këtyre pronave.


Projektligji i propozuar nga Ministria e Drejtësisë, nuk mjaftohet me kaq. Pas kalimit të objekteve në pronësi të shtetit, kontratat që kanë lidhur ata që kanë investuar mbi këto objekte nuk do të merren në konsideratë, ndërsa sindikatatat janë të detyruara që të shlyejnë detyrimet që kanë ndaj palëve të treta.


Pra, nëse një subjekt ka investuar një sasi të caktuar parash, në momentin që ajo do të kalojë në pronësi të shtetit, sindikatat duhet që të dëmshpërblejnë investitorin me vlerën e tregut. Sipas shpjegimit që bëhet në relacionin që shoqëron këtë projektligj, çdo mosmarrëveshje në lidhje me këtë proces do të zgjidhet në gjykatë.


Deputeti demokrat në komision, Gjok Uldedaj, theksoi faktin se në këtë mënyrë do të jenë investitorët që kanë investuar në këto prona të cilët do të vuajnë pasojat e projektligjit në fjalë. "Kontratat midis sindikatave dhe të tretëve janë lidhur në marrëdhënie mirëbesimi dhe në këto prona janë investuar shuma të konsiderueshme parash",- tha ai.


Subjekt i këtij projektligji janë një sërë shtëpish pushimi, shtëpi kulture, parqe sportive, biblioteka, salla mbledhjesh, ndërtesa shkollimi, makineri, pajisje etj., në të gjithë territorin e vendit që në qershor të vitit 1992, kryeministri i sotëm dhe Presidenti në detyrë në atë periudhë, Sali Berisha, ua kishte kaluar në pronësi sindikatave me qëllim shfrytëzimin nga këto të fundit.


Ky dekret u lëshua me kusht që gjatë shfrytëzimit sindikatat të mos ndryshonin destinacionin fillestar të pronave të marra duke i shitur apo dhënë me qira për periudha me afat të gjatë ndaj palëve të treta. Megjithëse kishte një dekret të presidentit për arsye ende të paqarta ai nuk u miratua nga Kuvendi.


Ky projektligj, sipas hartuesve të tij, është bërë me qëllim rregullimin e gjendjes, pasi janë vërejtur tjetërsime në masë të destinacionit fillestar të pronave të sindikatave duke shkelur një nga kushtet e vendosura me ligj në vitin 1998. Sipas dispozitave të tij, sindikatat gëzojnë të drejtën e shfrytëzimit të pronave në fjalë duke zhvilluar në to aktivitete sindikaliste deri në vitin 2020 me kusht mos ndryshimin e destinacionit fillestar të tyre.


Me kalimin në pronësi të sindikatave, një pjesë e mirë e tyre në qytete të ndryshme të vendit, si shtëpitë e pushimit, parqet sportive, ndërtesat e shkollimit, etj., u lëshuan me qira ose u shitën ndaj palëve të treta. Këta të fundit investuan shuma të konsiderueshme mbi këto prona duke i përshtatur ato me kërkesat e tregut.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›