Era e fortë ka shkaktuar dëme në disa fshatra të Prizrenit

Era e fortë e cila ka fry pa ndërprerë me një intensitet të lartë gjatë të martës ka shkaktuar dëme në disa fshatra të Grykës së Lumëbardhit në Prizren, të banuar me boshnjakë, të cilat edhe kanë mbetur në terr. Mushnikova ka qenë fshati më i prekur, për të cilën banorët thonë se nuk e mbajnë në mend të ketë ndodhur një erë kaq e fortë.
Vlera e dëmeve në objektin shkollor dhe disa shtëpi kulmet e të cilave janë rrënuar thuhet të jetë 4 mijë euro, transmeton RTK-ja.
Më së shumti dëme ka pësuar Mushnikova e Prizrenit, nga era e fortë për të cilën banorët thonë se nuk e mbajnë në mend të ketë ndodhur ndonjëherë aty. Përpos objektit të shkollës i cili ka pësuar dëme të mëdha dhe rrethojave të fushës së sporteve, në Mushnikovë, fshat i banuar me boshnjakë janë hequr edhe çatitë e disa shtëpive, ndërsa rruga është bllokuar si pasojë e rrëzimit të drunjve.
Kryetari i Mushnikovës, njëherësh drejtor i shkollës fillore dhe të mesme të ulët ‘Mushnikova’ , Sedat Bajrami thotë se për gjendjen është njoftuar edhe policia dhe Agjencia e pyjeve të Kosovës .
Ai theksoi se si pasojë e kësaj fshati gjatë ditës së martë ka mbetur pa rrymë, kurse edhe mësimi nuk është zhvilluar. Sipas Bajramit, vlera e dëmeve materiale si pasojë e erës arrin shumën rreth 4 mijë euro.
Ndërkaq edhe kompania rajonale e Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” njofton të gjithë konsumatorët se për shkak të erës së madhe ka arrdhur deri te problemet e furnizimit me rrymë elektrike te lokacioni 40 bunarët dhe si pasojë e kësaj është çrregulluar furnizimi me ujë të pijes në disa pjesë të qytetit.
“Hidroregjioni Jugor” bënë të ditur se janë njoftuar ekipet e KEK-ut për gjendjen dhe pritet eliminimi i prishjeve. /Indeksonline/