E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ëndrra e venitur e Francës

31-05-2012 / Nga Martin Feldstein

Projekti evropian ka dështuar të arrijë atë që liderët politikë francezë e kanë kërkuar që nga fillimi. Në vend të bashkimit, për të cilin ëndërronin Monnet dhe Schuman, tani ka vetëm konflikt dhe përçarje. Roli ndërkombëtar i Evropës po zbehet, me G5-n e vjetër, që është shndërruar në G20. Dhe me kancelaren gjermane, Angela Merkel, që po vë kushte për eurozonën, ambiciet e Francës për të dominuar në politikat evropiane janë zmbrapsur

Kriza në eurozonë është rezultat i bindjes kokëfortë të Francës të “projektit evropian”, qëllimi i unifikimit politik që nisi pas Luftës së Dytë Botërore, kur dy politikanë të njohur francezë, Jean Monnet dhe Robert Schuman, propozuan krijimin e shteteve të bashkuara të Evropës. Monnet dhe Schuman besuan se një bashkim politik i ngjashëm me atë të Amerikës do të parandalonte lloje të konflikteve që kishin shkaktuar tri luftëra të mëdha evropiane - një ide apeluese, por kishte parë si shembull luftën e tmerrshme civile të Amerikës. Një union politik evropian gjithashtu do ta bënte Evropën një fuqi të krahasueshme me Shtetet e Bashkuara, dhe kështu do t’i jepte Francës, me shërbimin e saj të sofistikuar të jashtëm, një rol të rëndësishëm në çështjet evropiane dhe botërore. Ëndrra e Monnet dhe Schuman çoi në Traktatin e Romës më 1956, që kishte themeluar një zonë të lirë tregtare në rajon që më vonë ishte zgjeruar në formë të Bashkësisë Ekonomike Evropiane (BEE). Krijimi i BEE-së kishte sjellë efekte të favorshme ekonomike, por sikurse marrëveshje e Tregtisë së Lirë në Amerikën Veriore (NAFTA), nuk reduktoi identifikimin kombëtar ose krijoi një ndjenjë të unitetit politik. Ky ishte qëllimi i Traktatit të Maastrichtit të vitit 1992, i cili kishte themeluar Bashkimin Evropian. Raporti influencues, “Një treg, një monedhë”, i lëshuar në vitin 1990 nën kryesimin e ish-ministrit francez të Financave, Jacques Delors, kërkonte krijimin e një monedhe të vetme, duke u bazuar në argumentet se një treg i vetëm nuk do të mund të funksiononte si duhet me shumë monedha. Për të qenë më realistë, avokatët e një monedhe të përbashkët arsyetonin se ajo monedhë do t’i bënte njerëzit të identifikoheshin si evropianë, dhe se ndarja drejt një Banke Qendrore Evropiane do të merrte pushtet prej qeverive kombëtare. Gjermania i rezistoi euros, duke theksuar se fillimisht duhet të vinte bashkimi politik. Meqë nuk kishte mundësi që vende të tjera t’i bashkoheshin unionit politik, qëndrimi i Gjermanisë duket më shumë si një manovër teknike për të parandaluar krijimin e një unioni monetar. Gjermania hezitonte të hiqte dorë prej deutsche markës së saj, një simbol i fuqisë së saj ekonomike dhe përkushtimit ndaj stabilitetit të çmimeve. Gjermania eventualisht u pajtua të krijohej euroja vetëm kur presidenti francez, Francois Mitterand, e bëri atë kusht për ta mbështetur ribashkimin e Gjermanisë. Me fjalë të tjera, nën presionin gjerman, kërkesa e Traktatit të Maasctrichtit që vendet mund të merrnin euron vetëm në rast se borxhi kombëtar do të ishte më i ulët se 60 për qind e GDP-së ishte bërë me qëllim që të pranoheshin vendet që po shkonin drejt atij qëllimi. Ky modifikim ia lejoi Greqisë, Spanjës dhe Italisë të bëheshin pjesë e eurozonës. Politikanët proevropianë injoruan vërejtjet e ekonomistëve se zbatimi i një monedhe të vetme në disa vende heterogjene ishte i lidhur me krijimin e problemeve serioze ekonomike. Ata i morën rreziqet ekonomike si të parëndësishme karshi agjendës së tyre të unifikimit politik. Por krijimi i euros krijoi rënie të theksuar të normave të interesit në shtete periferike, duke çuar drejt krizës së patundshmërive dhe duke i inkurajuar qeveritë të huazonin fonde për shpenzimet qeveritare në rritje. Në mënyrë të mahnitshme, tregjet globale financiare injoruan rreziqet e kredive të këtij borxhi kombëtar, duke kërkuar vetëm diferenca të vogla ndërmjet normave të interesit të bondeve gjermane dhe të atyre të Greqisë dhe të vendeve të tjera periferike. Kjo mori fund në vitin 2010, pasi Greqia e pranoi se kishte gënjyer kur kishte deklaruar deficitet e saj buxhetore dhe borxhin. Tregjet financiare u kundërpërgjigjën duke kërkuar norma më të larta interesi të bondeve të vendeve me borxh të lartë kombëtar dhe sistemet bankare u dobësuan nga kolaterali. Tri vende të vogla (Greqia, Irlanda dhe Portugalia) kanë qenë të detyruara të pranonin ndihmë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, dhe të zbatonin reduktime të ashpra të shpenzimeve. Kushtet në Greqi tani janë të pashpresa, dhe ka shumë mundësi të çojnë drejt nevojës për ndihma të reja dhe një dalje prej eurozonës. Spanja gjithashtu është në telashe serioze, për shkak të borxhit të madh të krijuar nga qeveritë e saj tradicionale rajonale, dobësisë së bankave, dhe nevojës së madhe për ta baraspeshuar buxhetin e saj të vitit të kaluar. Tashmë është e qartë se “pakoja fiskale”, për të cilën arriti marrëveshje BE-ja kohë më parë nuk do të frenojë deficitet buxhetore, dhe as të reduktojë borxhet shtetërore. Spanja ishte e para që insistoi se nuk do të mund të përmbushte kushtet për të cilat ishte arritur marrëveshja, gjë të cilën më pas e bënë edhe shtetet e tjera. Presidenti francez, Francois Hollande kishte propozuar balancimin e reduktimit të deficiteve me iniciativa të rritjes, ashtu si Franca që e kishte detyruar më parë Pakon e BE-së për Stabilitet të bëhet Pakoja për Stabilitet dhe Rritje. Pakoja fiskale është e parealizueshme dhe paraqet përpjekjen e fundit për pretendim se shtetet anëtare të BE-së janë duke shkuar drejt unifikimit politik. Projekti evropian ka dështuar qartë ta arrijë atë që liderët politikë francezë e kanë kërkuar që nga fillimi. Në vend të bashkimit për të cilin ëndërronin Monnet dhe Schuman, tani ka vetëm konflikt dhe përçarje. Roli ndërkombëtar i Evropës po zbehet, me G5-n e vjetër, që është shndërruar në G20. Dhe me kancelaren gjermane, Angela Merkel, që po vë kushte për eurozonën, ambiciet e Francës për të dominuar në politikat evropiane janë zmbrapsur. Madje edhe nëse shumica e shteteve të eurozonës e mbajnë valutën e përbashkët, arsyeja do të jetë mosgatishmëria e përballjes me pasojat financiare të largimit nga euroja. Tani që pikat e saj të dobëta janë të qarta, euro do të mbetet burim i telasheve, e jo rrugë drejt fuqisë politike.

Autori është profesor në universitetin “Harvard” dhe president emeritus i Këshillit amerikan për Hulumtime Ekonomike. Shkrimi është botuar së pari në “Project Sindycate”

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›