E Shtunë, 31 Tetor 2026

Erdhi i nxehti Inspektorët e higjienës ‘mësyjnë’ pishinat

TIRANE- Pishinat e Tiranës, do të kalojnë në sitën e inspektorëve të higjienës çdo javë. Janë rreth 31 pishina në Tiranë që do të monitorohen vazhdimisht gjatë gjithë stinës së verës nga inspektorët e drejtorisë së Shëndetit Publik.

Pishinat do të kontrollohen për sasinë e klorit në ujë i cili duhet të jenë sa ai i ujit të pijshëm, në mënyrë që të shmangen infeksionet si dhe për pastërtinë që ato ofrojnë.

Në një prononcim për Gazeta Shqiptare Areti Beruka, specialiste në drejtorinë e Shëndetit Publik, tha se aktualisht të gjitha pishinat janë brenda standarteve që parashikon ligji për shëndetin.

Nëse subjektet nuk plotësojnë rregulloren e lëshuar nga inspektorët e shëndetit, atëherë merren masa administrative, si gjoba e deri në atë më ekstreme, mbylljen e aktivitetit.

Specialistet e Shëndetit Publik dhe të Higjienës kanë nxjerrë një udhëzim, i cili ka të bëjë me parandalimin e infeksioneve të cilat transmetohen nga uji në pishina. Specialistet kanë urdhëruar të gjithë pronarët e këtyre bizneseve të afishojnë në një vend të dukshëm një udhëzues që i ndihmon pushuesit të parandalojnë infeksionet që mund të marrin nga uji.

Sipas tyre, qytetaret që frekuentojnë pishinat, duhet të njohin më parë rregulloren e tyre, pasi në shumicën e rasteve janë pikërisht ata që ndotin më shumë ujin, gjë e cila u sjell më pas probleme me lëkurën e tyre.
(s.g/balkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›