Erdhi "Xhaxha Vanja"
Enver Petrovci
Sot premiera e veprës së Anton Çehovit në Teatrin Kombëtar. Pritet debutimi i Enver Petrovcit
Për herë të parë do të shihen bashkë në Tiranë aktorët Ndriçim Xhepa, Bajrush Mjaku dhe Enver Petrovci, potencialë nën regjinë e një prej regjisorëve më të njohur në Ballkan, Sllobodan Unkovskit, që pritet të tronditë traditën e teatrit tonë në shfaqjen e Çehovit, “Xhaxha Vanja”. Është kompania private “Teatri Kronos”, që realizon shfaqjen e dytë nga krijimi i saj në vitin 2007. Producenti i saj, koreograf dhe biznesmen, një njeri që ka kultivuar shijen për teatrin, duke e ndjekur atë deri në tryezën e studentëve, Vasil Jovani, kërkon të ndryshojë mentalitetin e konkurrencës në treg, në kërkim të publikut të lozhës. Premiera është realizuar mbrëmë në Shkup, ndërsa në Teatrin Kombëtar do të shfaqet premiera mbrëmjen e sotme në orën 19:00. Nuk do të njihet më nga publiku shqiptar si “Xhaxha Vanja”, por si përkthimi sipas origjinalit, “Xhaxha Vanja”. Vepra e dramaturgut të njohur, Çehovit, duket si lëvizje më e fortë teatrore që ka ndodhur në këto 17 vjet në të gjitha trevat shqiptare. Kjo për shumë arsye bashkë. Kompania e parë private në kryeqytet, që njeh për producent një minoritar, Vasil Jovanin, kërkon publikun e lozhës, një punë e rëndë për të bërë publikun të shijojë vlerën e teatrit që nga veshja, stili i të qëndruarit në teatër dhe diskutimi mes tyre për veprën dhe artistët. Ky është projekti i dytë që realizon kjo kompani e quajtur “Teatri Kronos”. Nëse me shfaqjen e parë të realizuar vjet, me regji të Mehmet Xhelilit, kërkonte eksperimentin dhe të testonte tregun e të rinjve, ajo që quhet sukses është shtytja për një tjetër shfaqje. Por që këtë herë të dytë të repertorit të kompanisë “Teatri Kronos”, sfida është se “Xhaxha Vanja” përbën një nga veprat më të vështira, e vënë në lloj-lloj versionesh regjisoriale pothuaj në të gjitha skenat e botës. Për ta besuar këtë si kërkesë të lartë për ngritjen e nivelit të teatrit që bën, producenti Vasil Jovani ka treguar se u ka besuar një grupi njerëzish specialistë të teatrit si brenda, ashtu dhe jashtë vendit. Për këtë e quan forcë të re të lëvizjes teatrore ftesën që i ka bërë regjisorit të njohur maqedonas, Sllobodan Unkovksi. Ky njihet mirë dhe vlerësohet si një nga regjisorët më të suksesshëm në Ballkan, që për herë të parë realizon një shfaqje të përmasave me aktorë më të zgjedhur nga Teatri i Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë. “Xhaxha Vanja”, e ashtuquajtur “dramaturgji e cilësisë së lartë”, është e madhe për arsyen që është ruajtur mirë, është pasqyrë e saktë e vetë jetës, që i përjeton pa dhembje edhe mendimet e kundërta, edhe interpretimet e pafundme. Ajo nuk tregon, por paralajmëron, nuk nënvizon, por bën kurioz, si vetë jeta, në labirintin e së tashmes, por edhe të së shkuarës. Me shpresë nën dritë dhe me frikë nën terrin ngulfatës shëtisin personazhet në “Xhaxha Vanja”. Në lupën e dramaturgjisë çehoviane gjendet jeta e vërtetë, njeriu i thjeshtë i tipizuar gjerë dhe thellë. Ndjehet përpjekja e tyre për ndryshim si: Vojnicki, Astrovi, Aleksandra, Elena Andrejevna. Çdo ditë në të njëjtën kohë, në të njëjtin vend, ata kërkojnë ndryshim. Është absurde apo jo, qesharake apo jo, tragjike apo jo, kjo është kërkesa jetësore e personazheve.