E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ftesa "e bardhë"

Ministrat e jashtëm të NATO-s thanë se janë përgatitur tri ftesa pa emra, të cilat do të zbulohen në prill në Bukuresht. Shqipëria siguron kualifikimin. Maqedonia ngec në kalendat greke

Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s shprehën dje shpresat për të ftuar tre vendet e Kartës së Adriatikut, që t’i bashkëgjiten Aleancës në samitin e Bukureshtit në 2-4 prill. Të mbledhur në një takim në Bruksel, ata thanë se ftesa ndaj Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë do të ishte zgjidhja më e mirë në përpjekjet për të stabilizuar rajonin e Ballkanit, veçanërisht pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt. Vetë sekretari i Përgjithshëm i Aleancës së Atlantikut të Veriut, Jap de Hop Shefer, tha se receta më e mirë për stabilitetin në këtë rajon është integrimi i tre vendeve ballkanike në NATO dhe BE. “Për të mirën e stabilitetit ne duhet t’i ofrojmë anëtarësimin Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë”, -tha nga ana tjetër shefi i diplomacisë gjermane, Frenk Vlater Shtajnmajer. Në të njëjtën mënyrë u shpreh edhe homologu i tij italian, Massimo D’Alema. Sipas tij, në samitin e NATO-s në prill, Aleanca duhet t’i japë ftesën Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë. Sipas agjencisë së lajmeve “Rojters”, ministrat e Jashtëm të NATO-s e nisën sesionin e djeshëm në Bruksel duke nënshkruar tri ftesa për treshen e Adriatikut, por pa shënuar emrat e shteteve në to. Duke cituar burime diplomatike në NATO, “Rojters” raportoi se ftesat do të jenë gati për t’ia dorëzuar Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë në samitin e Bukureshtit. Sipas agjencisë, ministrat e Jashtëm të mbledhur dje në Bruksel përkrahën gjerësisht aspiratat e treshes së Ballkanit Perëndimor për të marrë ftesat për anëtarësim më 2 prill. Por kundërshtimi i hapur i Greqisë ndaj anëtarësimit të Maqedonisë, lidhur me mosmarrëveshjen për emrin e saj kushtetues, mund të ndryshojnë paksa planet e Aleancës. Gjithsesi, analistët mendojnë se emrat e shteteve nuk u vendosën gjatë takimit të djeshëm, pikërisht për t’i lënë edhe pak kohë Shkupit të zgjidhë çështjen me Athinën. Por edhe pse jo e konfirmuar në rrugë zyrtare, ata mendojnë se këto ftesa boshe janë pikërisht të destinuara për Shqipërinë, Kroacinë dhe Maqedoninë. Këtë e konfirmoi në një mënyrë edhe deklarata e ministrit të Jashtëm të Luksemburgut, Zhan Aselborn. “Për Ballkanin nuk ka asnjë problem, me përjashtim të problemit mes Maqedonisë dhe Greqisë”, - tha ai. Gjithsesi, nëse Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia marrin ftesat në Bukuresht, pritet që të kalojnë edhe dy vjet të tjera përpara se ato të bëhen zyrtarisht anëtare të NATO-s. Veç tri kandidateve, pritet që NATO-ja të ofrojë në samitin e prillit bashkëpunim më të ngushtë edhe me Bosnjën e Malin e Zi, në mënyrë që edhe ato të përgatiten për anëtarësim. Analistët mendojnë se edhe Serbisë mund t’i ofrohet një gjë e tillë, megjithëse progresi do të jetë shumë i vogël, duke pasur parasysh qëndrimin e Beogradit për të refuzuar Perëndimin, për shkak të njohjes së pavarësisë së Kosovës. Ministrat e Jashtëm të NATO-s diskutuan gjithashtu për situatën në Afganistan, lidhur me situatën e trupave të Aleancës atje. Në samitin e Bukureshtit, liderët e NATO-s pritet të ripërcaktojnë objektivat e Perëndimit në luftën kundër talebanëve. Ministrat diskutuan dje edhe mbi perspektivën e Ukrainës dhe të Gjeorgjisë, të cilat kërkojnë të nisin procedurat drejt anëtarësimit në Aleancë. Por ndryshe nga qëndrimi thuajse unanim për anëtarësimin e treshes së Adriatikut në NATO, ministrat mbetën të përçarë lidhur me përafrimin e këtyre dy vendeve, pasi nuk dëshirojnë të përkeqësojnë edhe më shumë marrëdhëniet me Rusinë, duke pasur parasysh tensionin që ekziston aktualisht mbi Kosovën dhe sistemi i raketave në disa prej vendeve ish-sovjetikë. Sekretarja amerikane e Shtetit, Kondolesa Rais, u tregua e kujdesshme, duke thënë se NATO-ja duhet t’u hapë dyert vetëm atyre vende që janë gati t’i bashkohen Aleancës. Pavarësisht se anëtaret e reja të NATO-s në Evropën Lindore kanë nxitur për t’i dhënë dritën jeshile Kievit dhe Tbilisit, Gjermania, Luksemburgu e disa vende të tjera anëtare mbeten shumë skeptikë, për shkak të marrëdhënieve mes Rusisë dhe Perëndimit.  Athina këmbëngulGreqia deklaroi dje, se nuk mund të mbështesë aspiratat e Maqedonisë për anëtarësim në NATO, për shkak të mosmarrëveshjes ende të pazgjidhur mes tyre lidhur me emrin kushtetues të fqinjës së saj ballkanike. Shefja e diplomacisë greke, Dora Bakojanis, tha para gazetarëve të mbledhur në Bruksel, se Athina mbështet ftesën për anëtarësim të Aleancës së Atlantikut të Veriut për Shqipërinë dhe Kroacinë, por nuk bie dakord për të ftuar Maqedoninë. Ky qëndrim i Greqisë kërcënon të prishë planet e NATO-s për të ftuar të tre vendet e Kartës së Adriatikut, në samitin e Bukureshtit në 2 prill. Athina kundërshton emrin kushtetues të Maqedonisë, pasi të njëjtin emër mban njëri prej rajoneve në veri të Greqisë. Sipas zyrtarëve grekë, nëse Maqedonia do të mbajë të njëjtin emër, ajo mund të ketë më pas pretendime territoriale mbi këtë rajon, megjithëse Shkupi e mohon një gjë të tillë. Pas deklaratës së Bakojanis, e gjithë çështja e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO do të varet pikërisht nga fakti nëse këto dy shtetet do të jenë në gjendje ta zgjidhin mosmarrëveshjen, gati 17-vjeçare, deri në 2 prill. “Fatkeqësisht, politika e ndjekur nga qeveria e ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë në marrëdhënie me Greqinë, veçanërisht në lidhje me qëndrimin e saj intransigjent dhe me një logjikë nacionaliste, nuk e lejojnë Greqinë që të mbajë të njëjtin qëndrim pozitiv si në rastin e Kroacisë dhe Shqipërisë”, - tha ministrja e Jashtme greke, pas takimit të djeshëm të ministrave të Jashtëm të NATO-s në Bruksel. Megjithatë, Bakojanis u shpreh se, shpreson që ka ende kohë për të arritur “një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët” në kohë, për samitin e prillit në Bukuresht. I dërguari i Kombeve të Bashkuara, Methju Nimic, po përpiqet të gjejë një kompromis për të dy vendet.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›