Shqiponja ul flatrat
Stema e re
Berisha ndryshon simbolet shtetërore. Ne sfondin e Kryeministrit nuk eshte me shqyti i kuq me shqiponjen e zeze siç sanksionohet nga Kushtetuta, por nje shqiponje model i viteve te rilindjes e lyer me varak
Gjatë konferencës së djeshme për shtyp të kryeministrit Sali Berisha, në selinë e Këshillit të Ministrave, kushtuar ngjarjes tragjike të humbjes së jetës së 16 personave në liqenin e Farkës, u vu re një logo e re. Pas shpinave të kreut të qeverisë ishte vendosur një logo e re: një shirit ari që rrethonte një hapësirë të bardhë ku ishte shkruar: “Republika e Shqipërisë, Këshilli i Ministrave”. Vetë kjo rrethonte fushën e kuqe, në qendër të së cilës ishte vendosur një shqiponjë dykrerëshe e artë, e rrethuar nga 12 yje po me të njëjtën ngjyrë. Kjo shqiponjë ishte krejt ndryshe nga ajo e flamurit dhe e stemës kombëtare të Shqipërisë. Të njëjtën shqiponjë, në logon e partisë së tij, ka edhe Partia Demokratike e Kosovës e Hashim Thaçit. Një ndryshim i tillë të çon të mendosh për afrim akoma më shumë të dy partive, ose nisjen e ndonjë ndryshimi në stemën e Republikës së Shqipërisë.