Liqeni i zi
Liqeni i Farkës
Çfarë ndodhi dje në liqenin vdekjeprurës të Farkës në periferi të Tiranës. Rrëfimi i Beqir Sinanit, një ndër tre të mbijetuarit e tragjedisë ku u mbytën 16 njerëz. Si iu zhdukën të afërmit para syve. Shqipëria në zi
TIRANË - “Kam peng vetëm që nuk munda të shpëtoj dy nipat e mi”. Kaq ripërsërit pa fund Beqir Sinani, 27-vjeçari i mbijetuar, daja i dy binjakëve, Ejsi dhe Rei, e më pas ndez një tjetër cigare me bishtin e së parës, pa ngritur sytë nga toka. “I kisha para syve... u zhyta për herë të dytë t’i marr, por nuk i pashë më... Padyshim që do t’i mbeten peng gjithë jetën dy nipërit binjakë, të cilët nuk mundi t’i shpëtonte nga uji i liqenit të mallkuar të Farkës. Edhe në momentet kur të gjithë mundoheshin të dilnin fitimtarë me vdekjen, Beqir Sinani luftoi me mish e shpirt t’i nxirrte në sipërfaqe nipërit, por 3-vjeçarët ishin ngurosur në prehrin e së ëmës, Saikidës, në pjesën e mbyllur të motobarkës. 27-vjeçari Sinani, vëllai i nënës së më të vegjëlve të mbytur, së bashku me Luena Spahiun, 20 vjeçe dhe Romina Hysaj, 19 vjeçe, janë tre personat e vetëm që kanë shpëtuar mrekullisht nga tragjedia. E ndërsa 16 viktimat e tjerë, të cilët kanë qenë në pjesën e mbyllur me piçikllas të motobarkës, tre të rinjtë e mbijetuar janë ndodhur në pjesën e zbuluar. Dhe kanë qenë të vetmit, që në momentin e fundosjes kanë dalë të parët dhe kanë rënë në ujë. Të izoluar në pjesën tjetër, fatkeqët janë asfiksuar e nuk kanë mundur t’ia dalin mbanë. Edhe në ato momente të turbullta, ndërgjegjja e Beqirit ka qenë tek nipërit. E pasi ka dalë në sipërfaqe, është mbushur thellë me frymë, ka tentuar të heqë sa më tepër rroba nga trupi e është zhytur sa më thellë të gjente Ejsin dhe Rein. Por nuk ka mundur dot... Kanë ngelur përgjithmonë në krahët e nënës së tyre.... Ndërkohë që pasi është marrë në pyetje nga forcat policore të Komisariatit Nr. 1, Sinani ka rrëfyer sesi ka debatuar me pronarin Afrim Dibra. “Nuk kam qenë dakord që të hipnim 19 njerëz në motobarkë. I thamë që nuk do të na mbante dot të gjithëve. Por Afrimi ka dalë garant, e na tha se kjo nuk ishte hera e parë që hipte aq shumë njerëz në motobarkë. “Jam edhe unë me ju. Rrini të qetë, asgjë nuk do të ndodhë”, - mësohet të ketë deklaruar në komisariat i mbijetuari. Të njëjtën gjë ai tha dje edhe për gazetën “Korrieri”, kur fjalëpakë rindërtoi skenën makabre të fundit tragjik të 16 personave. “Qëkur hipëm, barka nisi të mbushej me ujë. Më pas mbaj mend se u anua e në këto momente rashë. Më pas pashë dy nipat, tentova të hiqja rrobat e të zhytesha për t’i marrë, por nuk i pashë më, derisa i nxorën bashkë më të tjerët, pa jetë... Nuk kam se çfarë t’iu them... Nuk munda të bëj më tepër”, mbyll dëshminë e tij tronditëse njëri nga tre të mbijetuarit, Beqir Sinani. Mort i gjatë në familjen SpahiuThëllëza dhe Arlind Spahiu do të përcillen sot për në banesën e fundit. Vajzën e mbijetuar e dendin me qetësues TIRANË - Tragjedia goditi dhe familjen Spahiu nga Skrapari, e cila kohë më parë është vendosur në Tiranë. Behar Spahiu, i cili për shkak të gjendjes shëndetësore mungoi në ditëlindjen që u kthye në tragjedi, sot do të përcjellë në banesën e fundit të birin, Arlindin, vetëm 16 vjeç dhe bashkëshorten, Thëllëzën, 46 vjeçe. Dhembja për humbjen e dy të afërmve nuk përshkruhet me fjalë në familjen Spahiu. Nga kati i tretë i pallatit ku banon çifti Spahiu dhe dy fëmijët e tyre dëgjohej vetëm vaj dhe ulërima, jehona e të cilave preknin thellë në shpirt jo vetëm burrat që mundoheshin të qëndronin të fortë, por dhe fqinjët që shkonin për ngushëllim. Në njërën nga dhomat e shtëpisë qëndronte dhe vajza e mbijetuar, Luena Spahiu. Siç shpjeguan familjarët dhe të afërmit, Luena ishte tepër e tronditur nga tragjedia ku i vdiqën para syve vëllai dhe e ëma. “Gati kaloi në depresion. Nuk thoshte asgjë për ngjarjen, vetëm shkulte flokët nga dhembja. Askush nuk mund ta qetësonte deri para pak minutash, kur e zuri dhe gjumi”. Thanë familjarët me lot në sy për humbjen e të afërmve. “Varrimin e lamë për sot, pasi vijnë nga Italia vëllezërit e Thëllëzës”, - thanë burrat që prisnin ngushëllimet në korridorin e katit të tretë. E ndërsa tregonin për ngjarjen e rëndë, duke thithur tymin e cigareve që fikeshin e ndizeshin pafund, nga brenda shtëpisë vinin të qarat e grave sipas riteve mortore të krahinës. Ora shënon 18.30. Edhe pse kanë kaluar rreth 18 orë nga tragjedia, gratë e fisit gjejnë ende forcë të vajtojnë të shtrenjtët e tyre, nga të cilët do të ndahen sot, ndoshta pa lot në sy, sepse do u kenë shteruar. Tmerrin e morëm vesh nga televizioni E pranishme në morg që në orët e para të mëngjesit, tezja e njërës prej viktimave, Saikidës, me lot në sy tregon se lajmin e kobshëm e ka marrë vesh nga televizori. “E kam dëgjuar në televizor se çfarë ka ngjarë. Akoma nuk më besohet. Kishin dalë për të festuar ditëlindjen e binjakëve”.Në familjen Dibra40-vjeçari Afrim Dibra, pronari i lokalit “Liqeni” që humbi jetën së bashku me klientët e lokalit të tij, do të varroset sot. Përveç anëtarëve të familjes Spahiu, edhe Dibra do të varroset sot, për shkak se një pjesë e madhe e familjes së tij banon jashtë shtetit, në Gjermani. Në komunën e Farkës, në një shtëpi akoma në ndërtim e sipër, afro 10 gra vajtojnë trupin e 40-vjeçarit nga Mati. Sipas riteve mortore të veriut, gratë kanë rrethuar trupin pajetë dhe e qajnë sipas mënyrës së tyre, duke respektuar radhën sipas moshës. E ndërsa vaji e kuja arrijnë në qiell, kuptohet dhembja e fjalët që thuhen nëpër të. “Do presim të tjerët Afrim, pastaj do të të fusim në dhe”. E më pas vetëm britma e ulërima... Mësohet se viktima jetonte dhe flinte shumicën e kohës në restorantin e tij. Erjona u nis t’i shpëtonteNjë ndër personat që ka parë të gjithë skenën e mbytjes dhe fundosjes së varkës ka qenë vajza e pronarit, 19-vjeçarja Erjona Dibra. Sipas versionit zyrtar të policisë së Tiranës, ajo nuk ka qenë pjesëtare e motobarkës, por në momentin kur familjarët dhe i ati kanë kërkuar ndihmë, ajo është afruar me një mjet tjetër lundrues për t’ju ardhur në ndihmë. Polumbarët: “Çfarë pamë nën ujë” “Nëna e dy binjakëve u gjet me fëmijët e saj pa jetë në krahë. Vdekja e dhunshme e pasagjerëve fatkeq të motobarkës”TIRANË - As e vdekur Saikida Osmani nuk i lëshoi dy binjakët e saj nga krahët. Mes 16 të vdekurve që u gjetën vetëm 10 metra larg bregut të liqenit të Farkës, në 12 metra thellësi, në motobarkën e izoluar si mos më keq me piçikllas, e cila u kthye në një varr masiv, pamja që u doli para syve palombarëve të forcave të shpëtimit ishte më shumë sesa rrëqethëse. Dy fëmijët që dje do të festonin 3-vjetorin e lindjes, ndonëse ishin të vdekur, çuditërisht u gjetën me sy hapur mes krahëve të nënës së tyre 24-vjeçare. Edhe 13 viktimat e tjera u gjetën të gjithë pa frymë, pa asnjë shpresë për të shpëtuar, me gojët që iu kishin lëshuar shkumë, me shenja thonjsh në fyt e me djegie në trup të shkaktuara nga derdhja e benzinës në ujë. Asfiksia fillimisht nga mungesa e ajrit në kabinën e ngushtë e më pas nga uji me të cilën u mbush hapësira e vogël e motobarkës së izoluar në mënyrë artizanale të bar-restorant “Liqenit”, u mori jetën 16 personave që mbetën në kurthin e mjetit lundrues të kthyer përmbys në ujërat e liqenit të Farkës. Rrallëherë palombarët e forcave speciale të RENEA-s kanë nxjerrë aq shumë trupa pa jetë njëherësh, që u gjetën “të stivosur” sipër njëri-tjetrit në pjesën qendrore të kabinës. “Fat nga njëra anë që ishin të gjithë brenda kabinës së motobarkës, pasi nëse nuk do të ishin të izoluar brenda saj, ka shumë të ngjarë që të përhapeshin trupat pa jetë në thellësitë e liqenit, e mbase do të gjendeshin dhe pas një jave, ose ca më keq, do të mund dhe të mbuloheshin nga baltovina e këtij liqeni”, - thanë dje për “Korrierin” pjesëtarë nga grupi i palombarëve që ishin në vendin e ngjarjes dhe që rindërtuan skenën makabre të parë në thellësinë 12 metra nga grupi i burrave që të lidhur me litarë me njëri-tjetrin, që u zhytën në orët e para të ditës së djeshme me dhjetëra herë deri aty ku kishte ngecur motobarka, për të dalë 16 herë me trupa pa jetë në duar. Sipas dëshmitarëve në vendin e ngjarjes e sipas burimeve nga palombarët e grupit të shpëtimit, ashtu dhe ato të grupit hetimor, motobarka e mbingarkuar me njerëz, ku kishin hipur fillimisht 19 persona, nga 5-7 pasagjerë që ajo mund të mbante, pa bërë as 10 metra lundrim u mënjanua dhe zhyt brenda pak momentesh, pa u dhënë shanse të shpëtonin 16 personat që ishin brenda kabinës së saj, por vetëm 3 të rinjve që ishin jashtë saj, në pjesën fundore të mjetit tragjik lundrues. Tragjikisht, dy familje të fisit Osmani me origjinë nga Kolonja e banuese në rrugën e “Elbasanit”, në zonën e Vilave Gjermane, u shuan, duke përcjellë dje për në banesën e fundit 8 pjesëtarë të tyre. Halil Osmani, gruaja e tij, Hatixheja dhe dy vajzat, Eliona dhe Aurela, ishin katër xhenazet që iu bashkëngjiten kortezhit të katër pjesëtarëve të familjes së Alket Osmanit, gruas së tij, Saikidës dhe dy djemve binjakë, Rei dhe Ejsi. Ndërsa viktimat e tjera të tragjedisë së djeshme të Farkës janë Pranvera Blamo, 50 vjeçe, djali i saj, Erion Blano, 20 vjeç, lindur e banues në Berat, si dhe Pëllumb Hysaj, 53 vjeç, bashkëshortja e tij, Majlinda Hysaj, 46 vjeçe, si dhe Alban Hysaj, 21-vjeçari që mbrëmjen e së mërkurës festonte ditëlindjen me familjen, miq të tij dhe të afërm të së fejuarës së tij, Aurela Osmani. Mes viktimave ishte dhe pronari i bar-restorant “Liqenit” Afrim Dibra, i cili nga hetimet e deritanishme rezulton si personi përgjegjës për tragjedinë më të madhe të ndodhur vitet e fundit në vendin tonë që pas tragjedisë së Karaburunit më 9 janar të 2004-ës. Vdekja u erdhi nga asfiksia Rezultatet e ekspertizës mjeko-ligjore të viktimave të tragjedisë TIRANË - Gjashtëmbëdhjetë viktimat e tragjedisë së Farkës gjetën vdekjen si pasojë e asfiksisë nga sasi të mëdha të ujit. Në këtë përfundim arritën ekspertët mjeko-ligjorë të Institutit të Mjekësisë Ligjore në kryeqytet. Që nga ora 1.00 pas mesnate e deri në orët e para të mëngjesit të djeshëm, grupi i punës, i cili krye ekspertizën, punoi për të arritur në konkluzionin e pritshëm. Ndërkohë që një tjetër lloj analize i janë nënshtruar disa prej trupave të kufomave: asaj të përdorimit të sasive të mëdha alkoolike. Burime pranë institutit bëjnë të ditur se disa kampione janë marrë nga trupa të tyre, për të parë nivelin e alkoolit, përgjigjet e së cilave priten të dalin sot. Në momentin kur ka mbërritur edhe kufoma e parë, ekspertët kanë nisur të përcaktojnë shkakun e vdekjes, i cili ka qenë pothuajse i ditur, duke marrë parasysh edhe rrethanat në të cilat gjetën vdekjen viktimat. Por sipas të njëjtave burime, përveç asfiksisë nga uji, ata kanë pasur edhe djegie në pjesë të ekspozuara të trupit. Po sipas ekspertëve që janë marrë me trupat e viktimave, këta të fundit kanë pasur djegie në duar, në kyçe dhe në pjesë të fytyrës. Përfundimet e mjeko-ligjorëve kanë qenë se djegia ka ardhur nga karburanti i llojit benzol, me të cilin funksiononte motori i varkës. Mësohet se rrjedhja e karburantit ka shkaktuar edhe djegiet në pjesët e trupit. E.Elezi “Romina nuk i reziston dot dhembjes”Tre viktimat e familjes Hysi do të varrosen sot në orën 10 BERAT - Rreth orës 13:00 të ditës së djeshme, trupat e pajetë të familjes Hysaj mbërritën në lagjen “Jani Vruho” në Berat, mes kujës së të afërmve. Përveç tri viktimave të familjes Hysaj, u shoqëruan për në këtë qytet edhe arkivolet e Pranvera dhe Erion Blamos, miq të 21-vjeçarit Alban Hysaj, i cili festonte ditëlindjen në restorantin “Liqeni” në Farkë. Kortezhi i familjes Hysaj, që shoqërohej nga policia, mbërriti në banesën e Pëllumb Hysajt. Aty pranë ndodhej edhe një ambulancë dhe mjekë, në rast nevoje për të pranishmit, mes së cilëve ndodhej edhe prefekti i Beratit dhe kreu i bashkisë. Në momentin e futjes të arkivoleve në banesë, gjendja u rëndua pa masë, aq sa të mbijetuarës Romina Hysaj i ra menjëherë të fikët. Varrimi i të ndjerëve do të zhvillohet sot në orën 10:00. Sipas dëshmisë së vetë asaj, Romina mundi të mbijetojë, duke notuar deri në bregun e detit, ku menjëherë, edhe pse e tronditur sa kurrë në jetën e saj, njoftoi xhaxhanë e saj dhe policinë. Ndërkaq, familjarët e saj, i vëllai i fejuar 21-vjeçar Alban Hysaj, i ati me profesion elektroaut, Pëllumb Hysaj, si edhe e ëma shtëpiake, Majlinda Hysaj gjetën vdekjen brenda motobarkës. Familja që banonte pjesërisht në lagjen “Çlirimi” të Beratit dhe pjesërisht në Tiranë, ku edhe i biri punonte si elektroaut, u shua thuajse tërësisht dhe e vetmja e mbijetuar nga trungu familjar është vajza 18-vjeçare. “Vajza është ende nën shok, ne e kemi strehuar në një dhomë të veçantë të banesës, ku ndodhet nën asistencën e mjekëve”, tregon i dëshpëruar xhaxhai i saj, Hamza Hysaj. Këmbët e Rominës janë akoma të ënjtura, për shkak të rrugëtimit të saj në çakull, në tentativë për të lajmëruar njerëz në ndihmë të të dashurve të saj. R. Xhelili Dhembje e lot edhe në Klos KLOS - Dhembja dhe lotët pushtuan edhe fshatin Pleshë të Bashkisë së Klosit në rrethin e Matit, pikërisht në vendlindjen e pronarit të lokalit të Farkës, Afrim Dibrës. Gjeografia e dhembjes është mjaft e madhe. Pak pas mesnate, një telefonatë mbërriti tek xhaxhallarët e Afrimit. Elez Dibra, rreth të 80-ve, xhaxha i viktimës, thotë se rreth orës 3:00, vajza e tij e telefonoi nga Tirana, për t’i dhënë lajmin e kobshëm: “Afrimi vdiq”. Pak çaste pas lajmin të keq, Elezi dhe të afërm të tjerë vendosën t’u drejtohen prindërve të Afrimit. “Sapo i thirrëm tek shtëpia, në atë orë të vonë, im vëlla kuptoi se diçka e keqe kishte ndodhur. “Çfarë më ka ndodhur? Ju lutem më tregoni?” - tha Guri. “Të rroni me fëmijët e tjerë! Afrimi ka vdekur”, - i thamë. Lotët e babit dhe të nënës që po vinte pas tij tek dera kryesore e shtëpisë nuk kishin të mbaruar. Sipas Elezit, Afrimi ishte një nga 10 fëmijët e familjes, i cili në vitet ‘90 emigroi në Greqi e Gjermani, ku ndenji më shumë se 5 vjet. Para afro dy vitesh ai është vendosur me banim në Tiranë dhe bleu lokalin buzë liqenit të Farkës. Të afërm, miq e bashkëfshatarë u nisën menjëherë drejt Tiranës, të organizuar me disa fugonë. Pas disa ditësh, një tjetër ceremoni mortore do organizohet, sipas zakonit, në vendlindjen e Afrimit. H. Pasha Topi mbetet pa fjalëPresidenti i Republikës, Bamir Topi, u ka shprehur ngushëllimet familjarëve të 16 personave që humbën jetën në tragjedinë e Farkës. “Nuk mund të gjej fjalë për të përshkruar dhembjen dhe trishtimin, kur mësova lajmin e kësaj tragjedie, që përfshiu tri familje. Ajo u konsumua në konturet e një absurdi, si shkak i një pakujdesie, të cilën ne po e ndeshim në mënyrë shumë të shëmtuar”, ka thënë kreu i shtetit në mesazhin e tij ngushëllues. “Ndiej një hidhërim shumë të thellë, para së gjithash për familjarët e mbijetuar, por unë dëshiroj gjithashtu të ndaj dhembjen time me dhembjen e familjarëve. Dëshiroj t’u shpreh edhe njëherë familjarëve ngushëllimet më të sinqerta dhe Zoti ju dhëntë kurajë dhe vullnet për ta përballuar këtë dhembje kaq të madhe”, deklaroi Presidenti Topi. Rreth orës 15.00 ai ka shkuar në shtëpinë e familjes, për të përcjellë personalisht ngushëllimet. Leskaj: Problem siguriaGjatë ceremonisë mortore të familjes Osmani, bashkë me lotët dhe dhembjen e shumë të njohurve dhe të afërmve, ishin të pranishëm kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deputeti Gramoz Ruçi, kryetarja e grupit parlamentar socialist, Valentina Leskaj, Musa Ulqini dhe Gramoz Ruçi. Sipas Leskajt, e cila ngushëlloi të afërmit e 8 viktimave nga familja Osmani, problem mbetet siguria e qytetarëve. Topalli: Tragjedi që na prek të gjithëveKuvendi i Shqipërisë mbajti një minutë heshtje në nderim të viktimave që humbën jetën në aksidentin tragjik në liqenin e Farkës. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, tha se të gjithë ndihen shumë të shokuar nga dhembja e thellë e kësaj tragjedie të rëndë njerëzore. “Fatkeqësi që na prek të gjithëve dhe që na bën të ndjehemi të gjithë pranë familjeve të viktimave”, ka deklaruar kryeparlamentarja. Pas këtij momenti, të nderimit të kujtimit të viktimave, Topalli ka thënë se me mirëkuptimin e të gjithë grupeve parlamentare, u vendos që seanca e djeshme plenare të mos zhvillohej, në nderim të jetëve të humbura. Ajo ka zhvilluar një vizitë në shtëpinë e viktimave për të shprehur ngushëllimet.Qeveria e shpall ditë zieKryeministri Sali Berisha dhe qeveria që drejton, në nderim të viktimave, ka vendosur që dita e djeshme të shpallej ditë zie kombëtare. “Duke ndarë këtë zi të thellë me familjet Osmani, Hysaj, Spahiu, Blamo dhe Dibra, qeveria u shpreh familjarëve të këtyre viktimave të pafajshme ngushëllimet më të sinqerta”, tha kreu i qeverisë në një konferencë të posaçme për shtyp. “Këshilli i Ministrave vendos të shpallë ditën e sotme ditë zie kombëtare, në nderim të viktimave të mbytura. Në të gjithë institucionet shtetërore publike, flamuri kombëtar të ulet në gjysmë shtizë në orën 12 dhe, në nderim të tyre, të ndërpritet çdo veprimtari dhe të mbahet një minutë heshtje”, ka thënë ai. Ndërkohë, në vendimin e qeverisë u ngarkua Ministria e Brendshme për përballimin e shpenzimeve të ceremonisë mortore të viktimave. Kreu i ekzekutivit ka shkuar personalisht për të ngushëlluar familjet. Ngushëllime nga KosovaPresidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, i dërgoi dje një telegram ngushëllimi Presidentit të Shqipërisë, Bamir Topit, për tragjedinë që ndodhi në Liqenin e Farkës, afër Tiranës. “Pranoni ngushëllimet e mia më të sinqerta dhe të popullit të Kosovës për tragjedinë e rëndë që ndodhi në Liqenin e Farkës, në të cilën humbën jetën 16 qytetarë të Shqipërisë. Këtë lajm të kobshëm e morëm me pikëllim të thellë të gjithë ne në Kosovë, ndaj ju lusim, z. President, që t’ua shprehni ngushëllimet tona edhe institucioneve, familjarëve të viktimave dhe gjithë popullit të Shqipërisë”, thuhet në telegramin e Presidentit të Kosovës. Futbolli mban zi, ndeshjet 1 minutë me vonesëNdeshjet e Kategorisë Superiore dhe asaj të Parë do të fillojnë me një minutë vonesë këtë fundjavë. Ky është vendimi i marrë dje nga Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) pas tragjedisë së Farkës. “Federata Shqiptare e Futbollit siguron se është pranë familjeve të viktimave, duke ndjerë dhembjen e thellë për të afërmit e tyre, të humbur në tragjedinë në Liqenit të Farkës, - shkruhet në deklaratë. - Për këtë arsye, në të gjitha ndeshjet e Kampionatit Kombëtar të Kategorisë Superiore dhe të Kategorisë së Parë, ditën e shtunë do të mbahet një minutë heshtje, në respekt të viktimave të tragjedisë së Liqenit të Farkës”. Loriku ndan dhembjenLorik Cana ndau dhembjen për humbjen e jetës së 16 personave në tragjedinë e Farkës. Zëvendëskapiteni i Kombëtares së Shqiptarëve dhe kapiten i ish-kampionëve të Evropës, Olimpikut të Marsejës, ngushëlloi familjarët e viktimave dhe tha se qëndronte pranë tyre në këto çaste të vështira.